Arrestohet Shefi dhe kupola drejtuese e Komisariatit të Policisë Sarandë
Arrestohet Shefi dhe kupola drejtuese e Komisariatit të Policisë Sarandë. Katër efektivë të Policia e Shtetit në Sarandë janë ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas hetimeve për mosveprim ndaj një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi në qytet.

Të ndaluarit janë Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë, Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve, Nënkomisar Ajdin Islamaj, specialist për rendin dhe Inspektor Robert Çulli, specialist zone. Sipas njoftimit zyrtar, ndaj tyre rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të kryera në bashkëpunim dhe jo vetëm për këtë rast.
Menjëherë pas ndalimit të tyre, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, urdhëroi pezullimin nga detyra të katër efektivëve, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi procedurat për përjashtimin e tyre nga radhët e policisë. Sipas Policisë së Shtetit, shkeljet e konstatuara kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të institucionit.
Po ashtu, është pezulluar menjëherë nga detyra edhe Komisar Blerim Tafçiu, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, pasi sipas njoftimit nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga AMP.
Hetimet nisën pas denoncimeve dhe informacioneve të mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në lagjen nr. 1 të Sarandës. Sipas autoriteteve, në një objekt të përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave ndodheshin edhe në ujë, po kryheshin punime ndërtimi të paligjshme në një hapësirë plazhi.
Pas ndërhyrjes së policisë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që po punonin në këtë objekt, ndërsa shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit dhe për llogari të së cilës dyshohet se po kryheshin punimet pa leje.
Për këtë rast u angazhuan edhe strukturat e IKMT, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat ndërhynë për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.
Sipas Policisë së Shtetit, paralelisht me procedimin ndaj personave të përfshirë në ndërtim, u njoftua edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa në bashkëpunim me Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë nisën hetimet për nxjerrjen e përgjegjësive ndaj punonjësve të policisë që dyshohet se nuk kishin kryer detyrën për të parandaluar ndërtimin pa leje.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit falënderoi qytetarët për denoncimet dhe i ftoi ata të vijojnë të raportojnë çdo rast abuzimi apo paligjshmërie, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional. Institucioni theksoi se mbetet i vendosur për të larguar nga radhët e tij çdo punonjës që shpërdoron detyrën, cenon ligjin dhe besimin e qytetarëve. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 2
15/05/2623:30
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 29
15/05/2623:30
Luani i Butrintit gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
15/05/2623:30
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 13
15/05/2623:30
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 27
15/05/2623:30