Qytetarët në shesh në ditën e tretë, protestë kundër mafies dhe politikës së korruptuar – VIDEO

02/06/2619:09

Shperndaje:

Qytetarët në shesh në ditën e tretë, protestë kundër mafies dhe politikës së korruptuar

Për të tretën ditë radhazi, rrugët e Tiranës janë mbushur me qytetarë dhe aktivistë që kundërshtojnë projektin gjigant të ndërtimit të një resorti në Zvërnec, një investim prej 4 miliardë eurosh që po konsiderohet nga protestuesit si një tjetër shembull i privatizimit të pasurive publike në favor të interesave të ngushta ekonomike.

 

 

Tubimi nisi në Sheshin Skënderbej dhe më pas u zhvendos drejt Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, ku protestuesit kërkuan anulimin e menjëhershëm të projektit dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, qeveria po ua dorëzon oligarkëve territore që u përkasin qytetarëve, ndërsa investitorët po përfitojnë nga vendime që cenojnë interesin publik dhe mjedisin.

 

Vetëm pak orë para protestës, Edi Rama tentoi të zbusë tensionet me një ftesë për dialog, duke kërkuar që protestuesit të përzgjidhnin 20 përfaqësues për një takim publik. Megjithatë, në të njëjtën kohë ai e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti i Zvërnecit, duke e kthyer ftesën për dialog në një formalitet politik pa garanci për ndryshim kursi.

 

Ndërsa qytetarët vijojnë protestat në rrugë, ajo që bie në sy është heshtja e opozitës së drejtuar nga Sali Berisha. Në një moment kur mijëra qytetarë po kërkojnë llogari për një nga projektet më të debatueshme të viteve të fundit, mungesa e një reagimi të fortë nga opozita ngre pikëpyetje serioze mbi rolin e saj real.

 

Për shumë protestues, kjo heshtje nuk është rastësi. Në shesh u dëgjuan thirrje që nuk kursyen as qeverinë dhe as opozitën tradicionale, duke i konsideruar të dyja palët pjesë të të njëjtit sistem politik që, sipas tyre, ka bashkëjetuar për vite me radhë duke ndarë pushtetin dhe privilegjet, ndërsa interesat e qytetarëve janë lënë në plan të dytë.

 

“Jep dorëheqjen, s’ka dialog. Rama në burg, Berisha në burg”, ishte një nga sloganet që jehonte përpara Kryeministrisë, duke reflektuar zemërimin e një pjese të protestuesve jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës.

 

Ndërsa Rama flet për investime strategjike dhe zhvillim ekonomik, kundërshtarët e projektit argumentojnë se zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi faljen e pronave publike dhe injorimin e zërit të komunitetit. Nga ana tjetër, mungesa e një qëndrimi të qartë nga Berisha po interpretohet nga shumë qytetarë si një tjetër dëshmi e krizës së përfaqësimit politik në vend.

 

Nëse protestat do të vazhdojnë dhe do të zgjerojnë mbështetjen qytetare, çështja e Zvërnecit mund të kthehet në një nga përballjet më të forta mes qytetarëve dhe klasës politike shqiptare, një klasë që sot po akuzohet nga rruga se, pavarësisht retorikës së përditshme, është shumë më e bashkuar në interesa sesa në konfliktet që shfaq para publikut. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Qytetarët në shesh në ditën e tretë, protestë kundër mafies dhe politikës së korruptuar – VIDEO
Vila Luiza & Bushati në Ksamil kërkon Sanitare
Uma Restaurant në Ksamil kërkon staf. Ofrohet Akomodimi dhe ushqimi
Gjergj Erebara: Sot duhet të protestojmë edhe për Kakomenë 
Restaurant Balcony në Sarandë kërkon Nd. Kuzhine, Zgarist, Nd. Kamarier dhe Hostes
Protestuesit ultimatum 24 orë qeverisë: Të anulohet projekti, paralajmërojnë rikthim në shesh nesër në orën 18:00

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.