Festa e “RIZA” bashkon qindra banorë në Theologo, tradita dhe trashëgimia kulturore në qendër të vëmendjes

11/08/2619:19

Shperndaje:

Festa e “RIZA” bashkon qindra banorë në Theologo, tradita dhe trashëgimia kulturore në qendër të vëmendjes

Manastiri i Shën Joanit në Theologo të Bashkisë Finiq u kthye në një pikëtakim brezash, kujtimesh dhe tradite, ku qindra banorë morën pjesë në festën e krahinës “Riza – Rrënjët”. Shumë prej pjesëmarrësve kishin ardhur posaçërisht nga Greqia dhe vende të tjera, duke u rikthyer në vendlindje për një festë që synon të mbajë gjallë lidhjen me origjinën, kulturën dhe traditat e zonës.

 

 

Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte prania e këngëtares Eli Rizo, e cila jeton prej më shumë se 30 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për Saranda Web, ajo ndau emocionet e rikthimit dhe të takimit me banorët e krahinës së saj, pas kaq shumë vitesh larg vendlindjes.

 

Në aktivitet morën pjesë gjithashtu deputeti Vasil Llajo, kryetari i MEGA-s, dr. Lefter Nika, përfaqësues vendorë dhe banorë të shumtë të zonës.

 

Përtej atmosferës festive, aktiviteti solli në vëmendje një prej pasurive më të mëdha të kësaj treve: trashëgiminë e jashtëzakonshme historike dhe kulturore.

 

Theologos, në Njësinë Administrative Dhivër të Bashkisë Finiq, është një nga zonat minoritare më të pasura me monumente, me rreth 15 objekte historike që dëshmojnë një histori dhe trashëgimi qindravjeçare.

 

Deputeti Vasil Llajo u shpreh se po punohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës që manastiret, kishat dhe pasuritë e tjera historike të zonës të përfitojnë statusin e monumenteve të kulturës. Synimi, sipas tij, është jo vetëm mbrojtja e tyre, por edhe kthimi i kësaj treve në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor.

 

Në të njëjtën linjë, kryetari i MEGA-s, dr. Lefter Nika, theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe krijimit të kushteve që të rinjtë të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.

“Duam të mbajmë gjallë traditat e zonës dhe të nxisim kthimin e të rinjve për të investuar këtu, në mënyrë që kjo trevë të kthehet në një destinacion turistik, pasi ka pasuri të shumta kulturore dhe natyrore”, ishte mesazhi i Nikës.

 

Një histori që lexohet në ura, manastire dhe kisha

 

Historia e kësaj zone shkon shumë më larg se festa e sotme.

Një prej qendrave të rëndësishme historike ka qenë Cerkovica, pranë urës së gurtë mbi 300-vjeçare, një dëshmi e mjeshtërisë së ndërtuesve të dikurshëm. Deri në vitet 1950, zona kishte një rol të rëndësishëm ekonomik, me mullinj, kovaçana dhe han, ndërsa rrugët që kalonin këtu krijonin lidhje me qendra të rëndësishme të lashtësisë.

 

Pranë urës ndodhet Manastiri i Shën Joanit të Theologos, një prej objekteve më të veçanta të zonës, i ngritur në një pozicion mbresëlënës mes relievit shkëmbor.

Studiuesi Petro Bereti tregon se manastiri lidhet gjithashtu me një nyje të rëndësishme të rrugëve të vjetra.

 

“Është ndërtuar në vitin 1797 dhe në vitin 1806 është bërë pikturimi ose ikonografia brenda këtij manastiri. Është edhe kryqëzimi i rrugëve romake, që njëra vjen nga Dermishi, kalon në Kustovo, në Dhivër, mbërrin këtu dhe vazhdon në drejtim të Malçanit dhe del në Rripës, që është pika kufitare me Greqinë”, tregon Bereti.

 

Gjurmët e së shkuarës gjenden pothuajse në çdo pjesë të kësaj treve. Në Malçan ndodhet Kisha e Shën Mërisë, e periudhës pasbizantine, me arkitekturën e saj karakteristike. Në Dhivër ndodhen tre manastire, mes tyre Manastiri i Shën Gjergjit, i ndërtuar në shkëmb, ndërsa në Leshnicë ruhen ura të vjetra guri dhe objekte të tjera kulti.

 

Por kjo pasuri përballet edhe me një problem serioz: degradimin.

 

Sipas Beretit, disa prej monumenteve kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa veçanërisht urat e vjetra rrezikojnë të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme.

 

“Vitet e fundit nuk shohim një interes nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore për ruajtjen dhe administrimin e këtyre monumenteve. Dy ura që janë këtu, ajo e Leshnicës dhe ura tjetër që ka qenë kanal vaditës në zonën e Malçanit, rrezikojnë të shemben”, shprehet ai.

 

Nga “Rrënjët” drejt një destinacioni të turizmit kulturor

 

Asfaltimi i rrugës gjatë vitit të kaluar e ka bërë zonën shumë më të aksesueshme dhe ka krijuar një mundësi të re për zhvillimin e turizmit.

 

Por rruga është vetëm hapi i parë.

Restaurimi i monumenteve, evidentimi dhe promovimi i tyre, krijimi i itinerareve turistike dhe mbështetja e investimeve lokale mund ta shndërrojnë Theologon dhe gjithë krahinën përreth në një destinacion të veçantë të turizmit kulturor dhe natyror në Bashkinë Finiq.

 

Festa e “Rrënjëve” tregoi pikërisht potencialin më të madh të kësaj treve: lidhjen e fortë të njerëzve me vendin e tyre.

 

Qindra banorë, shumë prej tyre të rikthyer nga emigracioni, u mblodhën përsëri pranë manastirit, mes monumenteve që kanë mbijetuar ndër shekuj. Një takim që nuk ishte vetëm festë, por edhe një kujtesë se historia e kësaj zone mund të jetë një nga mundësitë më të mëdha për të ardhmen e saj.

 

Sepse në Theologo, “Rrënjët” nuk janë vetëm emri i një feste. Janë historia, njerëzit dhe trashëgimia që vazhdojnë t’i lidhin brezat me vendin e tyre. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Festa e “RIZA” bashkon qindra banorë në Theologo, tradita dhe trashëgimia kulturore në qendër të vëmendjes
Disa qytetarë në Sarandë guxojnë të protestojnë për mungesën e ujit – VIDEO
Ndryshimet në Kodin Rrugor: Shoferët që kapen me alkool mbi 0.5 gr/l në gjak, u hiqet patenta përgjithmonë
Amarino Restaurant & Hotel – Ksamil kërkon të punësojë staf. Ofrohet akomodim
Saranda çel Fest Folk 2026, Ansambli Kombëtar sjell magjinë e folklorit shqiptar buzë Jonit
Ramo Saranda Hotel & Restaurant kërkon Ndihmës Kuzhinier dhe Ndihmës Kamarier

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.