Alltun Çela pas shkarkimit nga Vettingu: “100 herë do ta dënoja atë që masakroi Sarandën”

08/01/1911:20

Shperndaje:

Alltun Çela pas shkarkimit nga Vettingu: “100 herë do ta dënoja atë që masakroi Sarandën”

 

Ish-kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij. Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Çela shprehet i vendosur për të vijuar betejën ligjore, ndërsa avokati Adriatik Lapaj ka zbuluar fjalët e tij të forta të thëna përpara komisionit të vetingut.

 

“Sikur 100 herë ta gjykoja atë që masakroi Sarandën me lejet e ndërtimit dhe trojet që ndau nga tre herë, 100 herë do ta dënoja”, janë fjalët që Lapaj citon nga dëshmia e Çelës. Sipas tij, shkarkimi i ish-kryetarit të Gjykatës nuk erdhi për arsye profesionale, por si një goditje e padrejtë për vendimet e tij të guximshme kundër abuzimeve me ndërtimet në qytetin bregdetar.

 

Lapaj nënvizon se Çela ishte gjyqtari që i dha fund ndryshimit abuziv të kombësive, duke dërguar ligjin “Për gjendjen civile” në Gjykatën Kushtetuese dhe duke fituar çështjen. Ai shton se vendimi për shkarkimin e tij u bazua në arsyetime të dobëta, si fakti që kishte dënuar me burg personin përgjegjës për kaosin urbanistik në Sarandë apo që kishte trashëguar një pronë familjare me pëlqimin e të afërmve.

 

REAGIMI I ALLTUN ÇELA:

 

 

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Alltun Çela shpreh falënderime për mbështetjen e madhe që ka marrë pas vendimit të Vettingut. Ai thekson se ka shërbyer për 23 vite në sistemin e drejtësisë duke respektuar amanetin e familjes së tij të persekutuar politikisht për të qenë i drejtë dhe i ndershëm.

 

“Unë ende juridikisht nuk konsiderohem i shkarkuar sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë. Betejën ligjore do ta çoj deri në fund, kam besim të plotë se do arrij drejtësinë time”, shprehet Çela, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të tij në sistemin gjyqësor.

 

Ai thekson se pavarësisht vendimit, do të vazhdojë të jetojë mes qytetarëve të Sarandës, në të njëjtën shtëpi ku ka jetuar prej vitit 1995 dhe mes kolegëve të drejtësisë. “Këtu do jetë dera ime edhe pas 20 vitesh”, përfundon ai mesazhin e tij.

 

MESAZHI I PLOTË I ALLTUN ÇELA:

 

Të dashur miq!

Së pari, ju falenderoj shumë për mijëra mesazhet dhe telefonatat tuaja nga çdo kënd ku jetoni!
Së dyti, në këto 23 vite të shërbimit tim në radhët e drejtësisë jam munduar të mos e harroj amanetin e babait tim për të qenë i drejtë e që kurrë mos abuzoja me të.
Vuajtjet e padrejta të familjes time të dënuar politikisht kanë qenë refreni i çdo dite të punës time për të bërë vetëm drejtësi për këdo u sulmua nga abuzuesit me pushtetin pavarësisht krahut në këto 23 vite.
Kanë qenë 23 vite të vështira,por jam ndjerë krenarë për cfarë kam dhënë, dhe kurrë se kam parë veten mbi të tjerët. Rrugëtimi im ka kaluar përmes gjykimit të mbi 12 000 çështjeve gjyqësore me mbi 25 000 qytetarë të përfshirë.
Rrugëtimi im nisi në Delvinë si Kryegjyqtar në muajin Mars të vitit 1995. Kujtoj me shumë respekt mbarë qytetarët e Delvinës në vitin 1997 kur më respektuan duke e ruajtur Gjykatën edhe pse çdo institucioni tjetër në jug i doli flaka.
Në vitin 1998 u transferova si gjyqtar në Sarandë. Zyrën ku punova u mundova ta kthej në zgjidhje për qytetarët. E bëra me shpirt. Nuk pata asnjë dallim në dhënien e drejtësisë. Zyra ku punoja ishte e hapur për të gjithë.
Jam përpjekur me çdo mundësi që çdo shtresë apo komunitet të ndihej i përfaqësuar. Sigurisht në jetë kam bërë dhe gabimet e mija por kurrë në kurriz të drejtësisë.
Shtetin tim, në vazhdim të traditës familjare do e dua njësoj pavarësisht goditjes së padrejtë që mori karriera ime.
Unë i premtoj kujtdo dashamirësi se betejën ligjore do e çoj deri në fund. Kam besim të plotë se do e arrij drejtësinë time. Ishte vetëm shkalla e parë.
Unë ende juridikisht nuk konsiderohem i shkarkuar sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë.
Për ta mbyllur, sot ndihem krenar që jetoj po në banesën ish-punishte , të përshtatur për banim bashkë me miqtë e mi prej vitit 1995, pa asnjë dallim. Këtu do jetë dera ime edhe pas 20 vitesh. Në rrugët e qytetit do të më keni edhe në vazhdim. Ndër tavolinat e kolegëve të drejtësisë edhe në vazhdim.
I juaji, me Respekt Alltun Çela

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Tom Doshi nga Saranda: PSD e vetmja parti që ka program social – VIDEO
Kep Merli Resort & Residences kerkon te punesoje nje Magazinier/e
Sarandë – 3 ditë pa ujë në “Lugu i Dardhës”: Banorët kërkojnë ndihmë urgjente
Damian Gjiknuri takon banorët e Rusanit: Mos e çoni votën dëm për parti të tjera! Votoni numrin 5
Damian Gjiknuri në Sarandë: Angazhim për zgjidhjen e problematikave dhe përfundimin e Bypass-it
Vikingen Boat Tours kërkon të punësojë 2 agjentë/e biletash për sezonin turistik

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.