Akuzat ndaj Mitropolitit, reagon Kisha: Nuk dimë kush kërkon trazira mes komuniteteve

02/04/1919:59

Shperndaje:


Enoria e Kishës Shën Harallambit në Sarandë ka reaguar përmes një komunikate për shtyp ndaj shkrimit “Skandal: Mitropoliti i Gjirokastrës iu bën thirrje të krishterëve kundër myslymanëve”, të botuar në gazetën Telegraf, në fq. 6 të numrit të së Hënës, datë 1 Prill 2019
KOMUNIKATA
Redaksisë së Gazetës “TELEGRAF” z. Engjëll Masai, Drejtor i Gazetës
z. Agron Mema, gazetar- korrespodent

Stuhi në gotë tenton të krijojë shkrim në Gazetën tuaj nën titullin bombastik “Skandal: Mitropoliti i Gjirokastrës iu bën thirrje të krishterëve kundër myslymanëve”, të botuar në fq. 6 të numrit të së Hënës, datë 1 Prill 2019.
Shkrimi është aq i mbushur me të pavërteta sa në koinçidencë qarkulli ditën që sipas traditë popullore (natyrisht Kisha e refuzon dhe porosit asnjë gënjeshtër dhe mashtrim) thuhet nga ndonjë rrenë për shaka.
Shkrimi është një trill që nuk do tia vlente as komentin dhe as përgjigjen. Por ngaqë jetojmë kohë dinake dhe ngaqë qëllimin autori nuk e fsheh por e shpalos që në titullin që i vë shkrimit dhe që është denigrimi i figurës së një hierarku të matur, të përulurur dhe të duruar për të cilin ndihemi krenarë që e kemi bari dhe at shpirtëror, si edhe akoma më i mbrapshtë hedhja flakë në bashkëjetesën paqësore, firmosim këtë Përgjigje për Shkrimin dinak të mbushur me të pavërteta.

Po të Dielën e Faljes së Kryqit, në mesin e periudhës së Kreshmës Madhe të Pashkës, periudhë në të cilën jemi mësuar për fat të keq të shtohen sulmet monstruoze ndaj Kishës dhe Besimit tonë Orthodhoks, Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, ishte dhe celebroi Liturgjinë Hyjnore në Kishën tonë të Shën Harallambit. Lavdi Perëndisë, ishim aty dhe shumë të tjerë duke treguar përkushtimin e besimtarëve në adhurimin e Perëndisë, duke dëshmuar përparimin tonë shpirtëror dhe njëherësh për të dëgjuar këshillat e tij shpirtërore si nxitje dhe mbështetje për vijimin e kësaj periudhe sakrifice personale në pritje të Ngjalljes së Lavdishme të Zotit dhe Perëndisë sonë Iisu Krisht.
Liturgjia Hyjnore u krye sipas traditës dhe në respekt të përbërjes së grigjës së Kishës sonë në të dy gjuhët dhe në veçanti leximet e ditës, si Apostulli edhe Ungjilli i Shenjtë u bë gjithashtu në të dy gjuhët.
Mitropoliti përgëzoi për përparimin që është shënuar në Enorinë dhe Komunitetin Orthodhoks të Sarandës si në organizimin e saj dhe funksionimin normal në kryerjen e shërbesave dhe mistereve por edhe në veprimtari shoqërore si mjet me të cilin kontribohet në ndarjen e dhuaratave të Kishës: paqes, shpresës, dashurisë, me të gjithë ambientin shoqëror pa dallim origjine dhe përkatësie.
Duke qenë e Diela e Faljes së Kryqit në veçanti Mitropoliti Dhimitër, si nxënës i bindur dhe pasues i mësuesisë paqtuese dhe dashuruese me vetësakrificë të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, na nxiti besimtarët që të mos refuzojmë të mbajmë sejcili Kryqin që Zoti i ka falur sejcilit. Ta lartësojmë Simbolin e Kryqit të Zotit në zemrat dhe shpirtrat tanë dhe ta kemi mbështetës dhe mbrojtës në gjithë jetën dhe veprimtarinë tonë.
Duke trajtuar edhe probleme të natyrës së përditshme dhe nevojave shpirtërore të besimtarëve na përsëriti edhe detyrime që kemi ndaj të parafjeturve tanë në kryerjen e ritualit të përcjelljes dhe përshpirtjeve në kishë dhe jo ambiente të tjera. Shprehje e dashurisë së Kishës për njeriun dhe respektin në dinjitetin e tij është që sikundër pagëzimin me ardhjen e tij në jetë e merr në Kishë edhe përcjelljen për në jetën e përtejme të amëshuar ta marrë plot respekt dhe dashuri po në kishë. Nëse këshilla të tilla shpirtërore nuk jep Episkopi Orthodhoks atëherë çfarë të drejta dhe detyrime të tjera ka? Për pasojë edhe ndihemi të fyer jo për trillimin e gjoja thirrjeve për përçarje por për ndërhyrje akoma edhe në çështje të natyrës shpirtërore për të cilat njerëz që nuk njohin besimin janë edhe inkompetentë ta bëjnë.

Gjithë të tjerat që përmbahen në atë shkrim tendencioz, i hedhim me neveri përtej sepse nuk kanë asgjë të përbashkët me karakterin tolerant dhe dashurues të Orthodhoksëve dhe për më tepër me mësimet e vyera që Episkopi dhe priftërinjtë tanë na përcjellin për gjithë këto vite të ringritjes së Kishës sonë Orthodhokse në Shqipëri.
Trazimet dhe turbullimet shoqërore nuk e dimë kush i nxit dhe përse i kërkon. Ajo për të cilën ne ndihemi të sigurtë është që sa përpiqen t’i atribohen Kishës dhe komunitetit tonë janë diametralisht kundër asaj që ne kemi mësuar, dëshmojmë përditë dhe do të vijojmë ta bëjmë: durim në sulme, këmbëngulje në të vërtetën dhe sjellje me drejtësi.
Përparimi i Enorisë sonë dhe rrezatimi i saj në gjithë ambientin më gjerë shoqëror, larg ndasive me pretekste origjine apo gjuhe duket se ka shqetësuar sa nuk e duan atë.

Ne jemi mësuar të lutemi për ata që na duan dhe ata që na urrejnë: në veçanti në këtë periudhë të hyjshme të Kreshmës së Madhe do të vijojmë ta bëjmë më me devocion!

Sarandë, më 2 Prill 2019


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.