Akademiku sarandjot Josif Papagjoni: Sarandës nuk i shkojnë të katapultuarit nga qarqe politike

15/02/2318:25

Shperndaje:
Libri im i fundit “Fluturimi i bletës - SARANDA” ka veshur kostumin e tij të bardhë të nusërimit. Por nuk dua të flas për atë sot. Dua të flas për “mecenatin” e tij, një mik i vyer dhe, besoj, i një shumice të qytetit tim të lindjes: ADRIAN GURMËN...
...Një peng rrinte varur në vetëdijen time prej 73 vjeçari. Dhe një dyshim. Qytetin që flinte brenda meje, Sarandën, doja ta zgjoja përmes këtij libri. Unë dhe qyteti. Ose qyteti tek unë. Me mijëra ëndrra digjeshin butësisht në trurin tim. Por si ta zgjoja? Nuk i kisha paratë. Dhe ia përcolla dëshirën time kryetarit të Bashkisë Sarandë, zotit Adrian Gurma. Pa e bërë dy fjalën, me etikën e tij të veçantë, por dhe me idenë a vizionin se libra të tillë gjithsesi janë memorie që lëvizin në kohë për vetë qytetin dhe nuk e lënë të “plaket”, më premtoi se do ta mbështeste botimin sikundër ja ku ai u mundësua. Dhe unë, pa e tjerrur më gjatë, në fletën e parë të këtij libri malli dhe para kujtdo që së afërmi do ta ketë në dorë, po e shkruaj me germa kapitale: 
FALEMINDERIT! Falenderime të tilla Adrian Gurmës them se i kanë bërë edhe të tjerë.
Seç kam pasur një pëlqim për kryebashkiakun e Sarandës, Adrianin. Janë shumë gjëra që mund të fliten, por s’është vendi për tepri. Ndofta sepse ai është një profil i butë tejet qytetar, bashkëkohës, që ka një etikë shëmbullore dhe një takt komunikimi, ku fle paqësisht modestia, e që mua personalisht më pëlqen fort. Ndofta sepse vjen nga një familje me rrënjë e Nivicës së Bregut, biri i një ushtaraku të lartë karriere tejet të njohur e të suksesshëm siç qe Anastas Gurma. Ndofta edhe nga që është mjek e shushurima njerëzore e qytetit i ka blatuar jo pak mirënjohje. Hyn këtu dhe modeli, tipologjia a paradigma prej shtetari pa vetullngrysje, përkundrazi i përkorë, i kujdesshëm për tjetrin. Apo mos ndofta është “alkimia” ime, prirja që ky njeri ka ndaj kulturës, artit, letërsisë, historisë së qytetit, eventeve të një dimensioni formues, që e ngrenë cilësinë e një bashkiaku në epëri intelektuale? 
Të gjitha janë nga pak. Para do kohësh ai i dha “jetë” projektit të historikut të Estradës Profesioniste të Sarandës, një nga shenjat domethënëse të identitetit të qytetit, librit “Aroma e një kohe që ikën” të Vangjel Agorës, pastaj librit të Timo Mërkurit dhe ç’kam dëgjuar, edhe disa shkrimtarëve të tjerë të qytetit. Mua thuajse më ka lumturuar vendosja e një memoriali shkrimor në shitoren e dikurshme të artistit, këngëtarit dhe poetit të famshëm të këngës polifonike bregase Neço Muka (Nestor Marioti) te shkallarja e parë e qytetit, në vitet ‘30. Dhe unë do doja që nesër diku aty afër të ngrihej një shtatore për këtë bilbil dhe kulturolog të kombit tonë, që krijoi aq vargje të bukura për “Vajzën e valëve”, “Katina nina-nina”, “O moj korçare”, “Sarandiotja” dhe që incizoi në pllakat “Pafe” zërin e Tefta Tashko Koços, ison polifonike shqiptare, muzikë në piano etj... Pastaj do të kujtoja financimin e projektit të filmit dokumentar kushtuar Sarandës, sesionin poetik për vjershëtorin e paharruar kosovar Din Mehmeti, takimet interesante me shkrimtarë të zëshëm shqiptarë si Stefan Çapaliku etj. 
Do të ishte fatlume që një projekt serioz të rikonstruktonte më në fund sallën dhe skenën e Kinoteatrit të Sarandës, duke krijuar mundësi të arta për shfaqje, performime e koncerte pa fund nga e gjithë Shqipëria dhe vende të tjera të botës. 
Galeria e arteve pamore në Sarandë, falë Lefter Çekos dhe mbështetjes së kryetarit të bashkisë është bërë një “koshere”, ku gëlojnë artistë të shumtë me kolonitë ndërkombëtare të pikturës nga e gjithë bota, organizimin e ekspozitave të përmuajshme. Kam qenë vetë në shumë syresh dhe kam ndjerë gëzim, kam ndjerë fibrën e artit, të teatrit dhe të filmit (Open Cinema etj.); kam ndjerë afrimin e fëmijëve si artistët e ardhshëm, freskimin e Bandës Frymore të qytetit. Të gjitha këto më duket se e kanë bërë shumëdimensionale qasjen për artin e kulturën. 
Dhe për këtë shkak unë vlerësoj në këtë rast dorën e shtrirë të Adrianit, shijen e tij, kuptimin se arti, kultura janë kurora lulesh për qytetin që ia rritin bukurinë, kënaqësinë...
Unë ndjehem pjesë e Sarandës. Nuk jam një i “ardhur”, as një i larguar, por i lindur aty, me dashuri për qytetin tim, njerëzit e tij. Unë nuk kam pushtet, por dua që pushteti në qytetin tim të “burojë” mirëqenie, begati, harmoni, ardhmëri. Ka shumë gjëra për të thënë, shumë nyje e inde që dhembin, ashtu siç ka dhe shumë ëndrra për ta bërë Sarandën tonë edhe më të bukur, edhe më të lakmuar. Nuk është vetëm turizmi dhe shtimi i kapaciteteve të hotelerive, shërbimit, plazheve etj.
Dy gjëra që nuk shqiten nga kujtesa e gjallë e sarandiotëve janë shëtitorja e re, që i zgjeroi ndjeshëm mushkëritë qytetit, që i dha qytetarit shansin e “bisedës” me detin aty pranë këmbëve të tij, që krijoi imazhin e hijshëm prej një amfiteatri në det me shkallaret e shumta. Kjo shëtitore ishte zgjidhje fatlume edhe për zgjerimin e plazheve, frymëmarrjen dhe shpengimin e “shëtitjes” buzë detit, shijimin e natës së dritave, magjisë së ngjyrave, puhizës freskuese. Së dyti ishte hapja e rrugës së sipërme, që e lidh qytetin me Ksamilin dhe e çliron trafikun nga një ngërç i madh. Jo thjesht rastësia, as vetëm financimet qeveritare, por besoj edhe këmbëngulja e kryebashkiakut Gurma mundësoi finalizimin e tyre. Dëgjova dje një politikan të njohur që ngulte këmbë se kryebashkiakët duhet të jenë menazherë të mirë, jo specialistë të mirë. Ok, por më shumë nga të dyja këto ata duhet të jenë qytetarë të mirë, njerëz mendjehollë, me impakt te njerëzit, sepse për realizimin e projekteve kryebashkiaku ka ekipe profesionistësh. Ne ende e konceptojmë figurën e kryebashkiakut si njeri që ka në dorë ose një kërbaç, ose një “qese” me flori, ose një fytyrë të vrerosur. 
Sa pak kryebashkiakë të paqëm e intelektualë që kemi! Adrian Gurma i përket kësaj kategorie, njeriut të dimensionit intelektual.
Saranda ka diçka të veçantë, ndoshta ndryshe nga gjithë qytetet e Shqipërisë: harmonia, paqja dhe ekuilibri midis katër entiteteve të saj, minoritarëve grekë, çamëve, bregdetasve dhe labëve. Pas viteve ’90 aty janë vendosur edhe shumë të ardhur nga rrethet e ndryshme të vendit. Ka pastaj jo pak të huaj të pensionuar ose jo, që banojnë aty. Shpesh ky është një ekuilibër i brishtë, sepse përfaqësimi i këtyre entiteteve është gati-gati një lojë mbi telin e ekuilibrit. Duhet shumë mençuri, shumë dashuri, shumë tolerancë dhe shumë komunikim për të krijuar premisat e një kohezioni social aktiv, të brendshëm, të natyrshëm e pa sforco. Që të fitosh zemrën e këtyre entiteteve duhet të jesh, si të thuash, “njeriu i shtëpisë”, i mirëbesuari i tyre, jo një “apostull” i rremë, ca më pak një pushtetar i njëanshëm, “krahinor”, që privilegjon dhe favorizon, qoftë dhe pa dashje, vetëm këtë apo atë entitet. Unë gjykoj se Adriani është pjesë e urtësisë dhe e drejtpeshimit në raportet e brishta që buisin mes bashkësive etnokulturore, religjioze e krahinore. 
Sarandës nuk i shkojnë të katapultuarit nga qarqe politike, që nuk kanë “histori” dhe komunikime të brendshme me të, që janë pa rrënjë por thjesht caktohen nga loja e lobingjeve partiake, e liderëve e më gjerë. Asaj nuk i shkojnë të “ardhurit” pa histori në qytet, as të “caktuarit” nga lart sipas preferencave personale. Ata janë të dështuar. 
Saranda, ndryshe nga shumë rrethe të tjerë, sipas meje nuk ka as përfaqësimin e duhur në kupolat partiake, në qeveri e në parlament me djemtë dhe vajzat e saj. Andaj ajo ka një lobing të dobët. 
Përfaqësuesit e saj në pushtetin qendror dhe parlament nuk janë të ardhur nga familjet e rrënjës së saj. Nuk them të mos ketë edhe të tillë, por sarandiotët duhet të jenë të parët. Meqë është zonë me shumicë të majtë, kandidojnë për një vend të sigurt deputetë që nuk janë prej andej. Kjo lojë duhet të marrë fund sepse është një bumerang. Herët a vonë dorashka të përplaset ty në fytyrë. Mos të harrojmë se Saranda ka nevojë për vizion, ka nevojë për qytetari, ka nevojë për njohje dhe sidomos ka nevojë për shumë, shumë dashuri...
Unë nuk e di se kush mund të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë së qytetit. Unë dua që ai të jetë një sarandiot i rrënjës, dua që të jetë një njeri i qytetëruar, me bonsens, që di të menaxhojë fuqinë turistike, që di ta mbajë të pastër qytetin, që di të krijojë kohezionin e domosdoshëm social mes entiteteve shoqërore, profesionale, gjinore e krahinore, si dhe komuniteteve fetare. Sarandës i duhet një njeri që ka vizionin e perspektivës zhvillimore dhe ngul këmbë fort tek njerëzit dhe burimet e parasë, për t’i vënë këto në funksion të begatisë dhe lumturisë së njerëzve. Nuk e di ç’mendojnë të tjerët, por unë si njeri i “agorave sokratiane” të librave, artit, kulturës, dijes dhe si idhtar i mendjehapjes do doja ta rishihja mikun tim Ardian Gurma të riprovonte aftësitë e tij drejtuese, të testonte ngulmin dhe synimet e tij duke e parë rishtazi veten në detyrën e kryebashkiakut. Them se nuk gaboj, apo jo?

Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

E kërkuan 93% e ndjekësve të Saranda Web, Rama: Do ta mbyllim rrugaçin e lagjes
Mesopotam Agroturizëm kërkon të punësojë Kamarier/e për Restorant
Delvinë: Dhunon babanë e moshuar, arrestohet 32-vjeçari
Gati tenderi 270 mijë euro për rregullimin e 1800 metër rrugica në lagjet 1 dhe 2 në Sarandë
Qeveria njofton pensionistët: Në pranverë do të merrni bonus nga 50 – 100 euro
Edhe rruga pas Maternitetit deri te kryqëzimi me Onhezmi do të shtrohet me mozaik

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.