25 vjet pranë grave dhe vajzave, Shoqata “Jona” në Sarandë çel fushatën kundër dhunës me bazë gjinore. Shoqata “Jona” shënoi më 25 nëntor 25-vjetorin e saj dhe çeli fushatën “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Takimi bëri bashkë themelueset e shoqatës, aktivistë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët kanë qenë pjesë e punës së saj ndër vite.
Prej një çerek shekulli, “Jona” punon për të drejtat e grave dhe vajzave në Sarandë, Delvinë, Konispol dhe Finiq. Angazhimi i saj përfshin fuqizimin ekonomik të grave, pjesëmarrjen e tyre në jetën shoqërore e politike dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Përvjetori ishte një rast për të falënderuar njerëzit që e kanë mbajtur gjallë këtë punë. Nga themelueset që hodhën hapat e parë te aktivistët dhe bashkëpunëtorët që iu bashkuan më pas, secili ka kontribuar që të drejtat dhe shqetësimet e grave e vajzave të marrin më shumë vëmendje në komunitet.
Me çeljen e fushatës, shoqata riafirmoi angazhimin për të drejtat e njeriut dhe për parandalimin e dhunës.
Mesazhi i përvjetorit u drejtohet edhe njerëzve që mund të bëjnë ndryshim në përditshmëri: të dëgjojmë me seriozitet kur dikush flet për dhunën, të mbështesim ata që kërkojnë ndihmë dhe t’u krijojmë grave e vajzave më shumë mundësi për të marrë pjesë në vendimet që prekin jetën e tyre. Saranda Web