Policia greke ka goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike në rajonin e Thesprotisë, duke sekuestruar 66 kilogramë e 742 gramë kanabis dhe arrestuar tre persona.
Operacioni është zhvilluar mesditën e së mërkurës, 25 nëntor, nga efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë, në bashkëpunim me Departamentin e Dytë të Policisë Kufitare të Filatit.
Gjatë operacionit, policia ka ndaluar një automjet që drejtohej nga një prej të dyshuarve. Nga kontrolli në brendësi të makinës janë zbuluar 60 pako me kanabis, me një peshë totale prej 66 kilogramësh e 742 gramësh.
Në vijim të operacionit, efektivët kanë ndaluar në një zonë tjetër edhe një automjet të dytë, në të cilin udhëtonin dy persona.
Sipas hetimeve të policisë greke, dy të arrestuarit dyshohet se lëviznin përpara automjetit që transportonte lëndën narkotike, me qëllim që të paralajmëronin drejtuesin e tij për kontrollet e mundshme policore përgjatë rrugës.
Përveç lëndës narkotike, policia ka sekuestruar dy automjetet e përdorura, 1.130 euro dhe katër telefona celularë.
Në operacion janë angazhuar edhe dy qen të specializuar të policisë greke, të quajtur “IKARUS” dhe “JERRY”.
Tre të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë për procedurat e mëtejshme.