Bashkia Konispol

bashkia konispolBashkia Konispol  ka si aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe blegtorinë si dhe tregtinë ndërkufitare me Greqinë. Por ajo ka edhe pjesën më të panjohur të bregdetit shqiptar
Bashkia e re e Konispoli kufizohet në veri me bashkinë Finiq, në perëndim me Sarandën dhe në jug me Greqinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Konispolit. Bashkia e re përbëhet nga 3 Njësi Administrative.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Konispol ka një popullsi prej 8,245 banorësh ndërsa sipas regjistrit civil ka 13,737 banorë. Sipërfaqja e bashkisë së re është 221.88 km2. Sipas të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 37.1 banorë për kilometër katror ndërsa sipas regjistrit civil densiteti është 61.91 banorë/km2.
Njësitë administrative përbërëse janë: Konispol, Xarrë dhe Markat. Fshatrat e Bashkisë Konispol janë Çiflik, Xarrë, Mursi, Shkallë, Vrinë, Shëndëlli, Markat, Dishat, Vërvë, Shalës, Markat, Ninat, Janjar
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Konispolit ka si aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe blegtorinë si dhe tregtinë ndërkufitare me Greqinë. Një pjesë e popullsisë shërben në sektorin e transportit për qëllime turistike në Sarandë ose për transportin ndërkufitar, ndërsa një pjesë e popullsisë kalon kufirin rregullisht për të punuar përkohësisht në zonat pranë kufirit në Greqi.
Bujqësia është e përqendruar te argumet, ullinjtë dhe vreshtat ndërsa zona është e famshme edhe për kullota dimërore për bagëtinë e imët.
Në fshatin Xarë një përpjekje e përbashkët e komunitetit ka krijuar një kooperativë shumë të suksesshme të përqendruar te prodhimi i agrumeve. Por pavarësisht suksesit të bujqësisë në Xarë, popullsia e të gjithë zonës ka qenë në rënie të shpejtë gjatë dekadës së fundit.
Infrastruktura e zonës është sistemuar me ndërtimin e rrugëve lidhëse me Sarandën dhe me Finiqin si dhe me rrugën drejt pikës kufitare të Qafë-Botës.
Bashkia e re do të ketë në territorin e saj edhe një vijë bregdetare prej rreth 10 kilometra të gjatë e cila aktualisht është e pazhvilluar përreth Kepit të Stillos me bukuri të rrallë. Në këtë pjesë të bregdetit gjenden mes të tjerash Ishulli i Tongos, një shkëmb me sipërfaqe prej rreth 5 mijë metrash katrore pranë gjirit të Ftelias, në kufi me Greqinë, si dhe ishulli i Stilit.
Në pjesën veriore të bashkisë së re është krijuar një fshat i ri me banorë të ardhur nga Mirdita, popullsi që është përqendruar te artizanati në funksion të turistëve që vizitojnë Butrintin.

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakBashkia Delvine
Artikulli tjetërBashkia Finiq