Vetingu/ Miranda Andoni e Apelit Gjirokastër vlerësohet pozitivisht për pastërtinë e figurës

09/06/2015:48

Shperndaje:


Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni u përball të martën gjatë seancës dëgjimore me rezultatet e procesit të rivlerësimit të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK. Trupa gjykuese që po kryen vetingun e gjyqtaren Andoni përbëhet nga Pamela Qirko kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.
Miranda Andoni e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si gjyqtare në Gjykatën e Përmetit. Në vitin 2005 u emërua si gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, ndërkohë që në dhjetor 2019, Andoni u zgjodh me short anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Relatorja e çështjes, Firdes Shuli tha në fillim të seancës se rivlerësimi i gjyqtares Andoni është përfunduar në të tri kriteret, për deklarimin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konflikit të Interesit, ILDKPKI, nuk janë evidentuar probleme në deklarimin e pasurive nga ana e gjyqtares Miranda Andoni si edhe ka rezultuar të ketë pasur burime të ligjishme financiare për krijimin e tyre.

Veç pasaktësive dhe dy balancave negative në vlerë të vogël, edhe Komisioni nuk identifikoi probleme të tjera për pasurinë e Andonit.

Për një apartament me sipërfaqe 123 m2 të blerë në Tiranë në vitin 2008 për vlerën 105 600 euro dhe një garazh në shumën 13 mijë euro, nuk janë konstatuar balanca negative. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Andoni ka deklaruar një kredi bankare në vlerën 80 mijë euro me afat 15 vjeçar dhe kursime familjare.

Komisioni identifikoi mospasqyrimin në deklaratën veting të një huaje në vlerën 3780 euro të marrë nga nëna e subjektit në vitin 2008, me qëllim mundësimin e pagesës së këstit të parë të apartamentit dhe të garazhit. Ndërkohë, ka rezultuar se Andoni e ka shënuar këtë huamarrje në vitin 2008 dhe rezulton se është kryer me transaksion bankar në emër të bashkëshortit të saj.

Andoni e quajti pakujdesi mospasqyrimin e huasë në deklaratën veting dhe shtoi se shuma është depozituar në llogarinë bankare të bashkëshortit, si dhe është shënuar në deklaratën periodike.

Për shkak të mosdeklarimit në vitin 2017 të kësaj huaje, Komisioni ka vendosur të mos e përfshijë në analizën fiananciare vlerën 3780 euro, prej nga ka rezultuar fillimisht një balancë negative në vlerën 201 mijë lekë për blerjen e apartamentit dhe garazhit.

Pas kalimit të barrës së provës, Andoni e ka përmbysur rezultatin e analizës financiare duke evidentuar mospërfshirjen e dy vlerave financiare të përfituara nga interesi i maturimit të dy depozitave nga bashkëshorti dhe nga dhënia me qira për disa vite të një objekti në Përmet. Sipas Komisionit, pas përfshirjes së këtyre vlerave nuk ka rezultuar mungesë burimesh për blerjen e apartamentit dhe garazhit në Tiranë.

Relatorja Shuli tha se kanë rezultuar të sakta deklarimet për blerjen e një autoveture në vitin 2013 për vlerën 700 mijë lekë, për shlyerjen në vite të kredisë dhe dy depozitave në emër të fëmijëve që kanë studiuar në Gjermani. Gjithashtu, është konkluduar se bashkëshortët Andoni kanë pasur burime të ligjme për blerjen e makinës dhe krijimin e dy depozitave për llogari të fëmijëve.

Komisioni ka hetuar të ardhurat e përfituara nga shitja e një objekti në Përmet për vlerën 5 mijë euro. Ka rezultuar se objekti tip kioskë bar-kafe është ndërtuar në vitin 1993 nga bashkëshorti i gjyqtares Andoni në vlerën 18 mijë USD.

Si burim krijimi, ajo ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga bashkëshorti prej emigrimit në Gjermani në përiudhën 1991-1993 dhe ka dorëzuar dokumentacionin e punësimit të tij. Sipas relatores Shuli në dokumentacionin e dorëzuar rezultojnë të përshkruara pagesa bruto, ajo neto dhe taksat e paguara.

Sipas KPK-së rezultoi se për ndërtimin e objektit është nevojitur vlera 2 milionë lekë dhe jo 1.5 milionë lekë e deklaruar prej Andonit.

Gjyqtarja shpjegoi në seancë se vlera e deklaruar për ndërtimin e objektit ishte bazuar në akt-marrëveshjen e ndërtimit ku pasqyrohej vlera 18 mijë USD. Andoni tha se me përllogaritjen e kursit në kohën e nënshkrimit të akt-marrëveshjes, vlera 18 mijë USD ka qenë 1.5 milionë lekë, aq sa edhe kishte fituar bashkëshorti në emigracion.

Komisioni konstatoi se për shkak të shitjes së objektit në vlerë më të vogël nga kostoja e ndërtimit, nuk mund të paguhej tatim mbi fitim.

Në seancë dëgjimore u shpjegua se objekti ishte dhënë me qira prej vitit 2003, por nuk ishte arritur të provohej pagesa e tatimit mbi qiranë për të gjithë vitet. Shuli tha se për ato vite që mungonin, ishte kryer pagesa e tatimit mbi qiranë në vitin 2020 dhe se do të vlerësohet nëse do të përfshihen në analizën financiare ose jo, para marrjes së vendimit përfundimtar.

Andoni tha gjatë seancës dëgjimore se bashkëshorti i saj nuk kishte rezultuar ndonjëherë debitor në pagesat e tatimit mbi qiranë, pasi do të ishte njoftuar prej tatimeve nëse do të kishte pasur detyrime të pashlyera. “Duke qenë se nuk gjetëm dot dokumentacion, i paguam edhe për ato vite që nuk rezultonin,” tha Andoni.

Me balanca të vogla negative kanë rezultuar vetëm dy vite, 29 mijë lekë në vitin 2003 dhe rreth 200 mijë lekë në 2008-ën. Shuli tha se këto balanca negative konstatohen pa përfshirjen e të ardhurave të përfituara nga qiraja e objektit bar-kafe për dy vitet në fjalë.

Gjyqtarja Miranda Andoni u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që u identifikuan disa gjetje për profesionalizmin. Komisioni evidentoi tejkalimin e afateve të gjykimit të parashikuara në ligj në disa raste.

Edhe në 15 denoncimet e kryera prej publikut, tre prej tyre që kanë qenë për shkak të shtyrjes së proceseve gjyqësore. Shuli tha se Andoni ka shpjeguar se shtyrjet janë kryer me qëllim zhvillimin e hetimeve të pjesshme për veprime që nuk ishin kryer në Shkallës së Parë ose me kërkesa të palëve.

Gjyqtarja Miranda Andoni tha në fund të seancës së ishte dakort me gjithë procesin dhe se i ishin respektuar të gjithë të drejtat. “Vlerësoj se jam e përshtatshme të vazhdoj detyrën dhe kërkoj konfirmimin,” përfundoi gjyqtarja Miranda Andoni. KPK do të shpallë vendimin më datë 12 qershor, ora 09:30. / REPORTER.AL


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.