Turizëm mes plehrash: Premtimet e bashkisë nuk e çliruan Sarandën nga ndotja
Përmes një pyetësori, qytetarët u ankuan për mungesë kontenierësh dhe keqmenaxhim të mbetjeve urbane gjatë sezonit të fundit turistik, ndërsa Bashkia thotë se nuk mund të ketë sukses pa bashkëpunimin e qytetarëve dhe bizneseve.
Në fillim të tetorit, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma vizituan qendrën e re të riciklimit në Volloder – prej nga promovuan modelin e ndarjes së mbetjeve urbane në burim.
“E kemi shpallur prioritet kombëtar çështjen e pastrimit, që nuk bëhet vetëm me aksione dhe fushata, por kërkon një sistem të integruar,” tha ministrja Kumbaro.
“Mjedisi dhe turizmi janë shumë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën, nëse ne nxisim turizmin duhet të jemi parandalues të ndotjes dhe këtë nuk mund ta bëjmë kur fillon sezoni turistik,” shtoi ajo.
E mbështetur financiarisht nga organizata gjermane, GIZ, Bashkia e Sarandës pilotoi këtë verë ndarjen në burim dhe riciklimin e mbetjeve urbane për qendrën e qytetit dhe disa biznese të mëdha të zonës. Megjithatë, vetëm pak qytetarë mendojnë se projektet e bashkisë e çliruan Sarandën nga ndotja.
Përmes një pyetësori të publikuar nga Saranda Web dhe faqes në Facebook, dhjetëra qytetarë nga Saranda, Ksamili dhe Delvina raportuan problematika të shumta me pastrimin e mbetjeve urbane, të tilla si mungesa e kontenierëve dhe vonesa në zbrazjen e tyre, dezinfektime të rralla apo hedhjen e mbeturinave vend e pa vend nga vetë qytetarët. Mes të anketuarve, 57% ishin burra, ndërsa 43% ishin gra.
- Rreth 75 për qind e të anketuarve e konsideruan të keqe cilësinë e pastrimit në zonën e tyre, kundrejt 25% që mendojnë se është mesatare ose e mirë.
- Të anketuarit mendojnë se qytetarët dhe bashkitë ndajnë një përgjegjësi të barabartë në ndotjen e mjedisit; të parët duke i hedhur mbeturinat ngado, ndërsa të dytët duke mos pastruar rregullisht.
- Megjithatë, 61% e të anketuarve fajësojnë bashkinë për keqmenaxhimin e mbetjeve, 19% fajësojnë kompaninë e pastrimit dhe po kaq fajësojnë qytetarët.
Problemet më të mëdha në Bashkinë e Sarandës vërehen gjatë sezonit turistik, kur sasia e mbetjeve dyfishohet nga 558 ton në 1189 ton në muaj. Sipas vlerësimit të bërë në planin e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane, sasia e mbetjeve të krijuara nga turistët gjatë muajve qershor-shtator arrin mesatarisht 631 ton në muaj.
Areti Papadhima, specialiste e mjedisit në Bashkinë e Sarandës, i shpjegoi problematikat me rritjen e numrit të turistëve dhe të sasisë së mbetjeve nga viti në vit. Në një intervistë për Saranda Web, Papadhima tha se për përmirësimin e shërbimit këtë vit u ngrit një task-forcë me 30 punonjës – të cilët monitoruan situatën e menaxhimit të mbetjeve në terren.
“Bashkia ka pjesën e vet dhe të menaxhimit, që është detyrë e saj parësore, por ne faktikisht kërkojmë edhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe të bizneseve, sepse sado që të bëhet dhe të punohet nga ana e Bashkisë, nëqoftëse ne nuk e kemi bashkëpunimin e tyre, nuk arrijmë dot, në moment që të kemi sukses,” tha Papadhima.
“Mundohemi dhe po punojmë maksimalisht, nuk themi se kemi bërë më të mirën e mundshme,” shtoi ajo.
Pak kontenierë
Menaxhimi i mbetjeve urbane i kushton bashkisë së Sarandës rreth 92 milionë lekë në vit ose 7 për qind të buxhetit të saj total. Fatura paguhet nga qytetarët e Sarandës, të cilët sigurojnë përmes tarifës të ardhura në masën 98% të kostos së shërbimit.
Por pavarësisht kostove të shpenzuara, një pjesë qytetarësh u ankuan se Bashkia nuk është kujdesur që të vendosë kazanë dhe kontenierë pranë vendbanimeve të tyre.
“Nuk mund të ketë kazan në një vend me 50 pallate e nëse nuk shtohen kazanët në çdo subjekt, këtë punë do kemi,” shkroi një qytetar.
“Të vendosen kazanët ku kanë qenë, e kanë vendin bosh. Kazanët janë vetëm për lagjen, për qytetarët, familjarët. Biznesi të marrë masat vetë. Po shkoi biznesi tek kazani i lagjes, mos prisni të përmirësohet situata,” komentoi një tjetër qytetar.
Në të gjithë territorin e Bashkisë së Sarandës, përfshi dhe Ksamilin janë të shpërndarë 376 kontenierë, por një pjesë prej tyre nuk janë në kushte të mira. Siç vlerësohet në planin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, e gjithë infrastruktura për grumbullimin e mbetjeve është shumë e dëmtuar, duke krijuar shpesh vonesa dhe probleme në ofrimin e rregullt të shërbimit.
Ndryshe nga vlerësimi në planin e menaxhimit, Areti Papadhima i tha Saranda Web se bashkia blen çdo vit kontenierë dhe i shpërdan në territorin e saj. Ajo tha gjithashtu se për vitin 2021 janë shtuar 70 kontenierë të rinj falë donacionit të projektit të GIZ, që asiston aktualisht bashkinë e Sarandës për menaxhimin e mbetjeve.
Megjithatë, Papadhima u shpreh e hapur për të rishikuar numrin e kontenierëve dhe shpërndarjen e tyre, në konsultim sipas saj edhe me qytetarët e Sarandës.
“Bashkia do rishikojë përsëri punën e vet, do ta rishikojë dhe do shikojë shtimin e kontienerëve, meqënëse është dhe kërkesë e qytetarëve, rishpërndarjen e tyre; mund të ketë ndonjë mënyrë tjetër për ta shpërndarë,” tha Papadhima.
“Do shikohen kushtet teknike, mund të rishikohet kontrata, domethënë të gjitha këto janë pjesë e punës dhe aty ku kemi, të themi se kemi çaluar apo kemi parë defektet tona, do t’i rishikojmë për vitin tjetër,” përfundoi ajo.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
DEA e Butrintit, punim në gur nga Agur Kapo
31/10/2117:23
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 18
31/10/2117:23
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 30
31/10/2117:23
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 21
31/10/2117:23
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 22
31/10/2117:23