Statusi i deputetit dhe rasti Kokëdhima – Opinion

08/12/1615:07

Shperndaje:


OPINION Nga Panajot ZOTO
Fillimisht kryetarja e degës së PS Sarandë dhe më pas kreu i PS të Bashkisë Vlorë, deklaruan publikisht se distancohen nga strukturat paralele që ish deputeti Kokëdhima ka ngritur, dhe prej lëvizjes së tij politike për reformimin e partisë… Ndërkaq, Damjan Gjiknuri, kordinatori aktual i partisë në këtë qark, në disa takime me strukturat dhe socialistët e bazës, ka thënë se zoti Kokëdhima “ka një axhendë personale”, duke lënë të kuptohet se lëvizja e tij politike nuk ka mbështetjen e udhëheqjes qendrore të PS.
Çështja Kokëdhima u debatua edhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar socialist, nga ku doli edhe njoftimi se në mbledhjen e afërt të AKP do të votohet për t’ia hequr këtij ish deputeti, ofiqet partiake të fituara pas Kongresit të PS të marsit 2016.
Me këtë qëndrim zyrtar të PS fashiten dilemat ndër socialistët për ç’ka flitej e justifikohej gjithë sipërmarrja e ish deputetit në këtë qark: Se ai nuk vepronte me kokën e vet, se për çdo veprim të tij (në raport me strukturat partiake, etj.) kishte dijeni edhe kryetari Rama, apo se platforma “pilot” që ai zbatoi në zgjedhjet në parti, kishte miratimin e kryetarit Rama dhe të kryetarit të AK, Gramoz Ruci, etj.
Tani ish deputeti Kokëdhima, në të drejtën e tij, mund të vazhdojë në linjën e nisur.
Mund të sponsorizojë edhe më tej ndonjë televizion në Sarandë për të publikuar fjalimet e tij të mbajtura “me socialistë” në Tiranë, etj., por, dihet që nuk ka suport partiak sikundër mendohej.
Në historinë e gjatë politike të PS do të shënohet edhe “rasti Kokëdhima”, ndërkaq, gjykoj se gjithçka ndodhi nuk duhet t’i mbetet vetëm historisë. Më parë t’i jepet një përgjigje “ psesë”. Guxoj të them se për çka ndodhi nuk janë pa përgjegjësi edhe forumet e larta dhe drejtuesit e PS. Edhe zoti Rama, edhe zoti Ruçi janë sinjalizuar për ambicjet dhe mënyrën se si Kokëdhima (deputet, por dhe më pas) po drejtonte një proces zgjedhor në parti, në shkelje të statutit dhe udhëzimeve të AKP, dhe jo vetëm… Ndërkaq, pati vetëm heshtje deri sa, siç thotë populli, kupa të mbushej.
Në fakt, në shkallë vendi Partia Socialiste nuk kishte vetëm një “Koço”. Në çdo qark ishte emëruar një “kryedeputet” (statuti dhe statusi i deputetit nuk e parashikon) dhe në rast se askush tjetër nuk është identifikuar si “komisar”, “pasha”, apo “aga”, etj., kjo, shpjegohet me qëndrimet joabuzive të tyre në rolin e “kryedeputetit”.
Thuhet se zoti Kokëdhima ka abuzuar me besimin e kryetarit të PS. Dakord, por tej kësaj, problemi duhet parë institucionalisht. Cili është roli i deputetit dhe raporti i tij me partinë, me strukturat e saj në bazë, me pushtetin vendor, me administratën, etj? Mendoj se në këto çështje deputetëve u është lënë “dorë e lirë” veprimi.
Prandaj ndodh që deputeti bën dhe kryetarin e partisë. Mënjanon strukturat drejtuese të zgjedhura dhe ngre struktura paralele. Përzgjedh vetë delegatët, këshilltarët, kryetarët e PS. Ndërhyn në çështjet e pushtetit vendor dhe urdhëron mbledhjen ose jo të këshillit bashkiak. Dërgon njerëzit e tij (grup kontrolli) për kontroll në administratën e pushtetit vendor. Vetemëron drejtuesit në institucionet e ndryshme etj., etj.
Fakt është se edhe “kryedeputetët” në qarqet e tjera nuk iu kanë shpëtuar tundimeve autoritare, duke i lënë “jashtë liste” deputetët e tjerë…
Çështja është se abuzohet me statusin dhe funksionin e deputetit, si dhe raportet me forcën politike që i përket. Raportet e tij me partinë në zonën elektorale nuk mund të jenë raporte që e vënë atë mbi strukturat e bazës, në rolin komandues apo urdhërues. E njejta gjë mund të thuhet edhe për raportet e tij me pushtetin vendor, administratën, problemet e punësimit, etj. Janë çështje që dihen, por tolerohen deri atje sa partisë në qendër nuk i shkojnë problemet dhe shqetësimet reale që kanë zgjedhësit, qytetarët, apo studimet e mirëfillta zhvëllimore e sociale të zonave, që grupet e deputetëve duhet të realizojnë.
Rasti Kokëdhima na jep të drejtën e këtij gjykimi dhe adresimi të problemit.kokedhima-sarande

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

ABZHR lajm të mirë për 699 fermerë nga Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi
Tifozët e Butrintit apelojnë: Shpëtoni Onuh, ai është pjesë e Familjes tonë!
Publikohen Çmimet e Referencës për Shtëpitë dhe Apartamentet në Sarandë, Delvinë, Himarë dhe Konispol
100 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës “Pandeli Boçari” në Sarandë
Arrestohen 11 persona në Sarandë dhe Delvinë, akuzohen për shpërndarje ‘malli’ – VIDEO
Operacion i Policisë gjatë natës: 15 të shoqëruar në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.