Skandali/ Aksidenti me pasojë vdekjen, prokuroria dhe ekspertët shpallin “fajtor” viktimën!

 Më 9 dhjetor në fshatin Vrion në Sarandë u aksidentua me vdekje 75-vjeçari Kosta Kaça. Për ngjarjen janë bërë dy akte ekspertimi, ku e para përcaktoi se fajtor ishin të dy; shoferi dhe viktima. Por, ekspertiza e dytë rriti shpejtësinë e lëvizjes së mjetit jashtë normave të lejuara, por në fund e nxori fajtor vetëm viktimën! Djali i tij dyshon se vendi i aksidentit është falsifikuar. Dhe, këtë e fakton me foto nga vendngjarja, ku gjurmët e mjetit janë gjetur në mbi 70 metra, ndërkohë në ekspertizë rezulton se ka qenë vetëm 34 metra. Dyshimet e familjarëve faktohen edhe nga ekspertët e parë, të cilët pohojnë se fare mirë mund të merrnin lekë dhe ta nxirrnin viktimën fajtor siç bënë ekspertët e dytë. Ndërkohë, dyshime të forta ka edhe prokurori që po heton ngjarjen. Ai thotë se u ndje i detyruar të lironte autorin, pasi ekspertiza e dytë e nxori të pafajshëm. Por, prokurori u çudit kur pa fotografitë që disponojnë familjarët dhe deri më tani nuk i dispononte. Gjithashtu ai tha se mjeti mund të ketë qenë më shpejtë, pasi gjurmët e frenimit janë plot 34 metra.

“Pazare me kokën e babait tim”
Djali i viktimës thotë për Fiks Fare se me kokën e babait të tij po bëhen pazare nga ekspertët dhe nga prokuroria. “Në këtë kanal është gjetur trupi i babait duke dhënë shpirt në duart e nënës. I thyer nga këmbët, nga krahët, i thyer fare. Truri i kishte dalë në shesh, gjak nga të gjitha anët, i shpërfyturar. Shpejtësia këtu ka qenë 90 kilometra. Jam drejtuar në polici dhe prokurori, por nuk po gjej dot të vërtetën. Mamaja thotë ishim jashtë rrugës, këta bëjnë ekspertiza, paguajnë dhe ma nxjerrin babanë fajtor. Babai im sot ha baltë në varreza, ndërkohë personi që shtypi babanë tim është i lirë jashtë” thotë ai. Më tej shton se u mor jeta e një njeriu dhe “s’ka faj shoferi thonë këta”. “Kur takova prokurorin më tha është aksident, shoferi ka gabuar, do ndëshkohet. Dhe ne e lamë në dorë të drejtësisë. Po kjo është vrasje e dytë. Kërkojmë të vërtetën të mos shkojmë në vetëgjyqësi. Janë bërë dy akte, njëri e nxori 50 me 50 fajtor babanë dhe shoferin dhe tjetri thotë fajtor është babai. Babai ka qenë jashtë rruge, këtu ka kufizim shpejtësie që është 60 km në orë. Këtu disa e nxjerrin 70 e ca, disa e nxjerrin 60. Këtu ka një kamer në një karburant, që ka fiksuar automjetin duke ardhur” thotë ai, ndërsa në filmime duket automjeti që shkaktoi aksidentin, i cili lëviz me një shpejtësi të madhe.

“Kjo tregon makinën që ai ikte me shpejtësi të madhe dhe personat që kanë qenë në karburant më thonë që shpejtësia ka qenë shumë e madhe. Dhe këta persona nuk janë marrë në pyetje” pohon Sotiri, ndërsa në kamerën e karburantit duken disa persona, të cilët kanë parë skenën e aksidentit. Ata dalin për pak sekonda pas përplasjes, ndërkohë që deri më sot ata nuk janë marrë asnjëherë në pyetje. “Pas ngjarjes, erdha në vendnjarje dhe gjeta policët duke tërhequr makinën mbrapa. Dhe s’ishte as autori që kishte shkuar te objekti ku punonte. Një polic shtynte makinën dhe tjetri drejtonte timonin. Një nga policët është djali i xhaxhait të punëdhënësit të shoferit që bëri aksidentin. Po të shikoni fotografitë rezulton se aksidenti ka qenë shumë më tutje dhe makina ka qenë më larg nga vendi i gjetjes. Në letra rezulton 35 metra nga pika e përplasjes deri te makina, po nuk është kaq. Mund të jetë 70 metra. Duken gjurmët dhe mbetjet e makinës ku ka ndaluar makina për herë të fundit. Një llogjikë më thotë afrimi i makinës thotë që personi ka marrë masat në një distancë më të shkurtër” thotë ai, ndërsa fotografitë në vendngjarje e faktojnë se mbetje të automjetit janë shumë larg vendin ku ka qëndruar mjeti në fund.

Eksperti: Edhe unë mund të kisha marrë lekë… 
Për ngjarjen e datës 9 dhjetor 2019, janë bërë dy akte ekspertimi të urdhëruara nga prokuroria e Sarandës. Në aktin e parë, të datës 3 shkurt të vitit 2020, ka rezultuar se shpejtësia e automjetit ka qenë 70 kilometra në orë. Eksperti ka përcaktuar se si viktima, ashtu edhe drejtuesi i mjetit ka qenë fajtor. Eksperti ka përcaktuar se mjeti lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. Dhe, ndryshe nga familjarët, eksperti ka përcaktuar se përplasja ka ndodhur në asfalt. Pra, të dy kanë qenë fajtor!
Për të njëjtën ngjarje, prokuroria ka urdhëruar kryerjen e një riekspertimi. Kanë ardhur ekspertë të tjerë, ku ndryshe nga eksperti i parë, kanë përcaktuar se shpejtësia e automjetit ka qenë tej normave të lejuara, me një shpejtësi 76 km në orë. Por, ndryshe nga eksperti i parë, ekspertët e dytë kanë përcaktuar se, megjithëse shpejtësia ka qenë 76 km në orë, në këtë rast fajtor është viktima!

Për të faktuar të gjitha dyshimet, nipi i viktimës takon ekspertin e parë që bëri raportin. Ai e pranon se ka shkuar shumë vonë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që pranon se shpejtësia e mjetit që bëri aksidentin ka qenë mbi normën e lejuar. “Nëse unë do të kisha bërë këtë veprimin që bënë tiranasit ai do kishte dalë. S’mund të gjykoj nëse kanë punuar dobët, apo kompanitë e sigurimeve. Unë, nëse do isha shitur në lekë, ai do kishte dalë që ditën e dytë dhe e kisha bërë unë si këta tiranasit, e kupton? Kështu e mendova, kështu e bëra! Edhe unë nëse do merrja lekë do e nxirrja gjyshin 100 % fajtor dhe këtë e nxirrja 0 dhe merrja X lekë në xhep. Kështu e mendova, kështu e gjykova. Dhe ça do kështu. Ekspertiza ime bëhet 0 dhe tani është e Mamirit. Mamiri i donte një shumë…” thotë ai, ndërsa krahason edhe dy aktet e ekspertimit, të cilat janë bërë me fotografi të ndryshme. Në fund, ai thotë se ekspertët e Tiranës mund të jenë paguar nga kompanitë e sigurimeve që të nxjerrë këtë përfundim.

Prokurori: Disa fotografi nuk i kam!
Mbetjet e makinës ishin 17 metra larg vendit ku u gjet makina, ku dalloheshin gjurmet jashtë asfaltit. “Ka qenë një piketim me nr 17, ajo ka qenë piketa më e largët, ndërsa makinën e kishin çuar deri atje më tutje, kishin filluar tërheqjen e makinës, për të mbuluar çfarë? Nuk e di si mund të ketë kaq shumë distanca, me një shpejtësi 60, apo 70 km në orë? Nëse bëhet me kaq, unë do rri do flijohem, le të vinë me 60 km dhe të më hedhin mua te plaku” thotë djali i viktimës. Për të gjitha dyshimet, Sotiri shkon të takojë prokurorin e çështjes, Elidon Hyseni, i cili i thotë se edhe ai ka dyshime dhe do të vendosë për një ekspertizë të tretë. “Edhe unë u çudita se janë 34 metra gjurmë frenimi” i thotë prokurori, ndërsa pranon se nuk i ka marrë në pyetje dëshmitarët që kanë qenë në karburant.

“Unë kërkoj drejtësi vetëm, dhe këtë drejtësi e kërkoj veçse nga ju. Do ju lutesha shumë, më ndihmoni pa kaluar në vetëgjyqësi. Nuk kam nevojë për lekë për babanë, për asnjë gjë. Dua të prehet i qetë babai dhe ajo mamaja ime nuk e di si rron kur kujton ngjarjen” përfundon Sotir Kaca