Shqipëria pa gardhe – të dielën në orën 12 zhvillohet protesta në Kakome
Shqipëria pa gardhe – të dielën në orën 12 zhvillohet protesta në Kakome
Pavarësisht heqjes së portës që prej vitesh bllokonte hyrjen drejt plazhit të Kakomesë, organizatorët kanë konfirmuar se protesta e paralajmëruar do të zhvillohet të dielën, më 21 qershor, në orën 12:00.
Sipas organizatorëve, largimi i portës nuk ndryshon qëllimin e protestës, e cila tashmë shkon përtej çështjes së aksesit në Kakome. Ata shprehen se protesta është kthyer në një reagim më të gjerë kundër asaj që e cilësojnë si klasë politike të korruptuar që ka qeverisur vendin për 36 vite, duke favorizuar interesa të ngushta ekonomike dhe duke dëmtuar interesin publik.
Në deklaratat e tyre, organizatorët akuzojnë klasën politike se gjatë këtyre dekadave ka ndërtuar një sistem oligarkik ekonomik, i cili sipas tyre është pasuruar në kurriz të qytetarëve dhe të pasurive kombëtare. Ata pretendojnë se prona publike, bregdeti, burimet natyrore dhe asetet strategjike të vendit janë përdorur për përfitime të një grupi të vogël njerëzish të lidhur me pushtetin.
“Heqja e portës është një fitore e rëndësishme e presionit qytetar, por beteja jonë nuk mbaron këtu. Ne do të vazhdojmë protestën edhe më të fuqishëm për të denoncuar abuzimet me pasuritë kombëtare dhe për të kundërshtuar modelin e qeverisjes që ka prodhuar korrupsion dhe privilegje për një pakicë në kurriz të shumicës”, shprehen organizatorët.
Ata kujtojnë se edhe gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë, çështja e Kakomesë dhe e gardheve që kufizojnë aksesin publik është përmendur si simbol i një problemi më të gjerë që lidhet me mënyrën se si janë administruar pronat dhe pasuritë publike në Shqipëri.
Protesta e së dielës do të zhvillohet nën thirrjen “Shqipëria pa gardhe”, ndërsa organizatorët theksojnë se ajo është një protestë qytetare dhe e hapur për këdo që dëshiron të marrë pjesë, pavarësisht bindjeve politike.
Banorët e Nivicës, banorë të zonës dhe mbështetës nga qytete të ndryshme të vendit pritet të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar në Kakome, ku sipas organizatorëve do të përcillet një mesazh kundër korrupsionit, abuzimit me pasuritë publike dhe modelit politik që, sipas tyre, ka dominuar vendin për më shumë se tre dekada.
Protesta do të mbahet të dielën, më 21 qershor, në orën 12:00, në plazhin e Kakomesë. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit