Shëndetësia me lekë “nga xhepi”: Saranda dhe Delvina mes mungesës së mjekëve dhe spitaleve funksionale
Shëndetësia me lekë “nga xhepi”: Saranda dhe Delvina mes mungesës së mjekëve dhe spitaleve funksionale
Në zonën e Sarandës dhe Delvinës, shëndetësia publike ka kohë që ka pushuar së funksionuari si një e drejtë dhe është shndërruar në një shërbim që blihet. Jo me karta shëndeti, jo me sigurime, por me para “nga xhepi”. Për qytetarët, rruga drejt shërbimit shëndetësor fillon gjithmonë me një pyetje të vetme: sa do të kushtojë?

Spitali i Sarandës, që në letër duhet të mbulojë një zonë të gjerë dhe një popullsi që shumëfishohet gjatë sezonit turistik, realisht ofron gjithnjë e më pak. Mungesa e mjekëve specialistë, analizave aboratorike, shërbimet e kufizuara diagnostikuese dhe pamundësia për të trajtuar raste që dalin jashtë “minimumit jetik” e kanë kthyer këtë institucion në një stacion tranzit. Çdo rast që kërkon trajtim serioz, ndërhyrje apo ekzaminim të specializuar dërgohet automatikisht jashtë qytetit.
Pacientët orientohen drejt spitaleve në Vlorë, Fier, Spitalin e Traumës, QSUT ose drejt spitaleve në Greqi. Kjo nuk është më përjashtim, por rregull. Bashkë me të sëmurin udhëtojnë edhe familjarët, shpenzimet, lodhja, frika dhe pasiguria. Ambulanca, rruga, pritja, netët jashtë shtëpisë dhe faturat e pashmangshme janë pjesë e paketës së kujdesit shëndetësor që u ofrohet qytetarëve.
Edhe për shërbime që duhej të ishin bazë, qytetarët e Sarandës detyrohen t’i drejtohen sektorit privat. Analiza, ekzaminime, vizita specialistike, gjithçka paguhet. Për pensionistët, për familjet me të ardhura modeste, kjo do të thotë zgjedhje mes shëndetit dhe mbijetesës. Shumë raste nuk trajtohen në kohë jo sepse mungon vullneti, por sepse mungojnë paratë.
Situata në Delvinë është edhe më e zymtë. Spitali i këtij qyteti ka humbur prej kohësh funksionin e tij real dhe është reduktuar në një infermjeri. Banorët e Delvinës nuk kanë as iluzionin e shërbimit lokal. Edhe rastet më elementare i detyrojnë të nisen drejt Sarandës apo më tej, duke e bërë shëndetin një sfidë financiare.
Në këtë realitet, shteti është praktikisht i padukshëm. Shëndetësia publike është e pranishme vetëm në tabela, ndërsa në praktikë qytetarët paguajnë gjithçka vetë. Kush ka para, shkon në privat. Kush nuk ka, pret. Kush nuk mund të presë, rrezikon jetën. Kjo është panorama reale e shëndetësisë “falas” në Sarandë dhe Delvinë.
Shëndetësia me lekë “nga xhepi” nuk është më një perceptim, por një fakt i përditshëm. Një sistem që funksionon vetëm për ata që mund ta përballojnë dhe që i braktis të tjerët. Për Sarandën dhe Delvinën, kjo nuk është thjesht dështim, por një padrejtësi e hapur që po normalizohet në heshtje. Dhe sa më gjatë të vazhdojë kjo gjendje, aq më e shtrenjtë bëhet jo vetëm kostoja financiare, por edhe ajo njerëzore.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
Suvenire nga Saranda
05/02/2613:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 17
05/02/2613:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 27
05/02/2613:53
Kalaja Veneciane në Butrint, punim në rërë nga Agur Kapo
05/02/2613:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 22
05/02/2613:53