Shën Harallambi – mbrojtësi shpirtëror i qytetit të Sarandës
Shën Harallambi – mbrojtësi shpirtëror i qytetit të Sarandës
Kisha Ortodokse në Sarandë organizon edhe këtë vit programin e shërbesave të shenjta me rastin e panairit të shenjtë të Enorisë së Shën Harallambi, një nga festat më të rëndësishme fetare për qytetin.

Programi i shërbesave
🔸 E hënë, 9 shkurt – ora 17:30
Do të zhvillohet pritja e Lipsanit të Shenjtë të Shën Harallambi, e ndjekur nga një mbrëmësore e madhe panigjirike, e drejtuar nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanail.
Më pas do të mbahet litania e Lipsanit dhe ikonës së Shenjtit rreth kishës, sipas traditës.
🔸 E martë, 10 shkurt – ora 07:30–10:30
Do të kremtohet Liturgjia Hyjnore, sërish e drejtuar nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanail
Pas përfundimit të shërbesës, do të ofrohet qerasje për besimtarët në sallën e shfaqjeve të kishës.
Një festë me rëndësi të veçantë për Sarandën
Festa e Shën Harallambi mbetet një moment i rëndësishëm lutjeje, përkushtimi dhe bashkimi për komunitetin ortodoks, por edhe një traditë e rrënjosur në jetën qytetare të Sarandës, ku çdo vit marrin pjesë qindra besimtarë.
Shën Harallambi, i njohur si çudibërësi dhe dëshmor i shenjtë, lindi rreth vitit 90 pas Krishtit në Magnisi, në një familje të krishterë që, pavarësisht përndjekjeve të kohës, ruante me përkushtim besimin në Krisht. Që në rini ai u dallua për jetën e tij të virtytshme dhe përkushtimin ndaj Zotit, duke u bërë një shembull i rrallë për komunitetin ku jetonte.
Gjatë gjithë jetës së tij në Magnisi, Shën Harallambi u përpoq jo vetëm të forconte besimin e të krishterëve, por edhe të ndihmonte ata që jetonin në idhujtari, duke i udhëzuar drejt së vërtetës. Ai nuk mund të pranonte që njerëzit të jetonin larg Krishtit, pa kuptuar qëllimin e jetës së tyre, dhe për këtë arsye iu përkushtua plotësisht shërbimit të Perëndisë.
Në vitin 130 pas Krishtit u shugurua prift dhe nisi një mision të dyfishtë: të ndriçonte ata që ishin në gabim dhe të ndihmonte të krishterët të përparonin shpirtërisht përmes jetës kishtare. Kjo veprimtari e tij nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet pagane.
Hegjemoni i Magnisisë, Lukiani, i njohur për ashpërsinë dhe urrejtjen ndaj të krishterëve, urdhëroi arrestimin e tij kur mësoi për ndikimin e madh që kishte. Edhe pse në moshë të thyer, Shën Harallambi qëndroi i palëkundur në besimin e tij, duke refuzuar të përulej para idhujve dhe duke shpallur me guxim besimin në Krishtin.
Për këtë arsye, ai u nënshtrua torturave të tmerrshme. Megjithatë, ai i përballoi ato me durim të jashtëzakonshëm dhe me lutje të vazhdueshme, duke habitur të gjithë ata që e shihnin. Forca e tij shpirtërore ndikoi edhe te disa nga torturuesit dhe të pranishmit, të cilët pranuan besimin e krishterë, edhe pse kjo u kushtoi jetën.
Edhe përballë mrekullive që ndodhën përmes tij, përfshirë shërimin e të sëmurëve dhe ringjalljen e një të vdekuri, mbreti nuk u bind dhe vazhdoi ta detyronte të mohonte besimin. Por Shën Harallambi mbeti i vendosur deri në fund.
Sipas traditës, pak para se të ekzekutohej, ai ia dorëzoi shpirtin Zotit në paqe, duke përmbushur kështu rrugën e tij si dëshmor i besimit. Kisha Ortodokse e përkujton Shën Harallambin çdo vit më 10 shkurt, si një shembull të fuqishëm të besimit, durimit dhe sakrificës.
Shërbesat pritet të zhvillohen në një atmosferë solemne, duke ruajtur traditën shumëvjeçare të nderimit të Shën Harallambit, mbrojtësit shpirtëror të qytetit. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit