Policia pranon dhunën ndaj protestuesve, hetime për plagosjen në sy të 28-vjeçarit. Pezullohet një efektiv i “Shqiponjave”
Policia e Shtetit ka pranuar një rast të tejkalimit të detyrës dhe përdorimit joproporcional të forcës nga një efektiv gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për rrethanat në të cilat 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektori A. K., punonjës i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, është pezulluar nga detyra pas publikimit në media të pamjeve ku shfaqet duke shkelur parimin e proporcionalitetit. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin administrativ.
Masa ndaj efektivit vjen pasi rasti u bë publik, duke ngritur pikëpyetje mbi kontrollin e ushtruar nga drejtuesit gjatë ndërhyrjeve në terren. Në të njëjtin njoftim, Policia thekson se përpara protestës ishte kërkuar vetëpërmbajtje nga punonjësit dhe respektim i proporcionalitetit në përdorimin e forcës.
Për dëmtimin në sy të 28-vjeçarit, Policia njofton se kanë nisur veprimet hetimore nga Standardet Profesionale, ndërsa po hetojnë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria. Njoftimi nuk sqaron se si është shkaktuar dëmtimi dhe as nëse efektivi i pezulluar ka lidhje me këtë ngjarje.
Në versionin e saj për protestën, Policia deklaron se punonjësit u sulmuan për disa orë me gurë, sende metalike, shkopinj, mjete piroteknike dhe bomba Molotov. Sipas institucionit, pesë efektivë mbetën të plagosur.
Megjithatë, këto pretendime nuk sqarojnë veprimet e punonjësve që kanë përdorur forcë ndaj qytetarëve. Pranimi i një rasti të shkeljes së proporcionalitetit kërkon zbardhjen e plotë të ndërhyrjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Policia ka shprehur keqardhje për lëndimin e të riut dhe ka premtuar hetim të paanshëm. Por në njoftimin e saj ende mungojnë përgjigjet kryesore: çfarë e shkaktoi dëmtimin në sy të 28-vjeçarit, kush ishte i përfshirë dhe në çfarë rrethanash ndodhi ngjarja. Saranda Web