Peshkatarët në Limion heshtin nga frika: Këta urdhërojnë edhe peshkun të mos futet në rrjetën e atij që ankohet
Peshkatarët në Limion heshtin nga frika: Këta urdhërojnë edhe peshkun të mos futet në rrjetën e atij që ankohet.
Porti i Limionit në Sarandë iu dha nga qeveria Rama kompanive private me premtimin për ta kthyer në marinë luksoze jahtesh, por problemet me procedurat ligjore dhe mungesa e financimeve e kanë lënë projektin në vendnumëro.

Në Limion të Sarandës, hapësira që dikur shërbente si bazë e Forcës Detare sot është ndarë mes një projekti të dështuar për resort luksoz, të sekuestruar nga SPAK, aktivitetit në tkurrje të peshkimit dhe objekteve ushtarake të braktisura.
Në këtë pikë strategjike të bregdetit shqiptar, shteti ka zgjedhur t’i hapë rrugë investimeve private. Por, sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve të industrisë së peshkimit, kostoja e kësaj tërheqjeje po reflektohet në degradimin e infrastrukturës portuale, krizën e sektorit të peshkimit dhe dobësimin e kapaciteteve detare të vendit.
Për Artur Meçollarin, ish-zv/komandanti i Forcës Detare, projektet për marina jahtesh nga veriu në jug të vendit janë të pastudiuara dhe rrezikojnë të mbeten investime pa efekt real ekonomik.
“Ti ndërton portin dhe aty mbaron gjithçka,” thotë ai. “Turizmi elitar nuk vjen vetëm për të lidhur jahtin,” shtoi Meçollari, ndërsa theksoi se “duhet një strategji e plotë në tokë dhe në det.”
Në Limion të Sarandës koha duket sikur ka ndalur.
Rruga drejt bazës detare kalon përmes një peizazhi ku brigjet shkëmbore të Jonit përplasen me ndërhyrjet e nisura për ndërtimin e një resorti turistik dhe marine private. Mes kodrave të zhveshura qëndrojnë të stivuara blloqe të mëdha betoni, ndërsa një betoniere e heshtur dhe mjete të tjera ndërtimi të kompanisë Albabeton kanë mbetur të ngrira që prej nisjes së hetimeve nga SPAK.
Zona e njohur si “Prona nr. 696” ose “Baza Ndihmëse Limion” ishte pjesë e planit të përhapjes së Forcës Detare. Megjithatë, në vitin 2020, qeveria ia dha me qira simbolike bashkimit të kompanive “Concord Investment” dhe “Kastrati Group” për ndërtimin e një porti turistik dhe resorti vilash.
Meçollari e kallëzoi vendimin në SPAK, duke argumentuar se dhënia e bazës cenonte sigurinë kombëtare dhe pengonte operacionet e Rojës Bregdetare dhe misionet e kërkim-shpëtimit në det.
Pas hetimeve për “shpërdorim detyre”, SPAK vendosi sekuestro preventive mbi bazën. Në vitin 2023, Gjykata e Lartë la në fuqi bllokimin e projektit, duke arsyetuar se prona kishte status të veçantë për shkak të funksionit të saj në sigurinë kombëtare.
“Prona nr. 696 nuk mund të trajtohet si pasuri e zakonshme shtetërore,” argumentoi gjykata, duke paralajmëruar se vijimi i punimeve do të rëndonte pasojat e mundshme penale dhe do të cenonte operacionalitetin e Forcës Detare.
Megjithatë, vetë baza ushtarake mbart shenjat e një braktisjeje të gjatë. Godina të amortizuara, dritare të thyera dhe shkurre të egra rrethojnë objektet që dikur shërbenin si struktura të Marinës.
Në port, anijet e Rojës Bregdetare janë kufizuar në një mol të ngushtë dhe të amortizuar. Mes tyre dhe zonës së përdorur nga koncesionari qëndrojnë peshkarexhat e zonës, ndërsa peshkatarët ankohen për kostot e larta të naftës dhe presionin e vazhdueshëm për t’u larguar.
Në Limion shumë prej peshkatarëve refuzojnë të flasin publikisht nga frika.
“Kemi frikë të flasim,” thotë një kapiten 62-vjeçar, i cili pretendon se koncesionari u ka kërkuar të zhvendosen. “Këta jo vetëm të gjobisin, por urdhërojnë edhe peshkun të mos futet në rrjetën e atij që ankohet,” përfundoi ai me ironi. PUBLIKUAR në REPORTER.AL
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 4
21/05/2614:42
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 27
21/05/2614:42
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 7
21/05/2614:42
Suvenire nga Saranda
21/05/2614:42
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 1
21/05/2614:42