Paketa e Maleve në Sarandë dhe 3 ndërmarrjet e përbashkëta
Paketa e Maleve në Sarandë dhe 3 ndërmarrjet e përbashkëta
“Paketa e Maleve” dhe kushtet e reja nga Edi Rama për kryebashkiakët – Çfarë po ndodh në Sarandë dhe cilat mund të jenë 3 ndërmarrjet të përbashkëta?

Një zhvillim i ri në raportet mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor ka ngjallur diskutime dhe pikëpyetje në shumë bashki të vendit, përfshirë edhe Sarandën. Kryeministri Edi Rama ka vendosur një seri kushtesh të reja për rikandidimin e kryetarëve të bashkive.
Sipas informacioneve të bëra publike, kushtet janë firmosja e të paktën 10 kontratave për agroturizëm, si dhe krijimi i 3 ndërmarrjeve publike në çdo bashki. Ky kushtëzim vjen menjëherë pas presionit për firmosjen e hartave në kuadër të të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, që sipas qeverisë, synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turistik në këto zona.
Pak ditë më parë, u bë publike se kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, ka firmosur hartat për përfshirjen e territorit të Sarandës në këtë paketë. Konkretisht, bëhet fjalë për rreth 22 hektarë në zonën e Gjashtës dhe 43 hektarë në Lëkurës. Megjithatë, deri në këtë moment, mungon transparenca mbi vendndodhjen e saktë të këtyre parcelave dhe mënyrën se si do të zhvillohen ato.
Në këtë kuadër, vëmendja tashmë është zhvendosur te hapi i radhës: firmosja e 10 kontratave për agroturizëm në territorin e Sarandës. Sipas kryeministrit, këto kontrata do të lidhen me emigrantë që duan të kthehen në Atdhe për të investuar në aktivitete turistike të lidhura me natyrën, bujqësinë dhe traditën lokale.
Paralelisht me këtë, një tjetër element i rëndësishëm është krijimi i 3 ndërmarrjeve publike – një kërkesë që hap një debat të gjerë mbi funksionin dhe ndikimin e tyre në ekonominë lokale.
Në mungesë të një transparence, lind natyrshëm pyetja: cilat mund të jenë këto 3 ndërmarrje publike që mund të krijohen në Sarandë?
Një nga mundësitë më të diskutueshme është krijimi i një ndërmarrjeje publike për menaxhimin e turizmit. Duke qenë se Saranda është një nga destinacionet kryesore turistike në vend, një strukturë e tillë mund të prezantohet se do të bëjë organizimin, promovimin dhe menaxhimin e fluksit turistik, duke përfshirë edhe administrimin e hapësirave publike, plazheve apo eventeve sezonale.
Një tjetër opsion mund të jetë krijimi i një ndërmarrjeje publike për menaxhimin e territorit dhe shërbimeve urbane, e cila mund të përfshijë pastrimin, mirëmbajtjen e hapësirave publike apo edhe menaxhimin e mbetjeve.
Përtej skenarëve më të zakonshëm si turizmi, agroturizmi apo shërbimet urbane, ekzistojnë edhe disa opsione të tjera që mund të jenë në tavolinë për krijimin e 3 ndërmarrjeve publike në Sarandë, sidomos duke parë drejtimin që po ndjek qeveria e Edi Rama me ndërhyrje më të drejtpërdrejta në ekonomi dhe territor.
Një opsion i mundshëm është krijimi i një ndërmarrjeje publike për menaxhimin e pronave publike dhe zhvillimin e tyre. Kjo do të thotë që bashkia mund të centralizojë administrimin e tokave, objekteve apo hapësirave publike dhe t’i japë me qira ose në përdorim për projekte turistike apo ekonomike.
Po ashtu, mund të kemi një ndërmarrje publike për transportin lokal dhe parkimet. Problematika e trafikut dhe parkimit në Sarandë, sidomos gjatë sezonit turistik, është një nga çështjet më të ndjeshme. Një kompani publike mund të marrë në dorë menaxhimin e parkimeve me pagesë, transportit urban apo edhe shërbimeve të reja si linja turistike apo transport elektrik.
Në një plan më strategjik, mund të krijohet edhe një ndërmarrje publike për zhvillimin ekonomik dhe investimet, një lloj “agjencie lokale zhvillimi” që negocion me investitorë, menaxhon projekte dhe bashkëpunon me donatorë apo programe ndërkombëtare.
Megjithatë, të gjitha këto mbeten në nivel hipotezash, për aq kohë sa mungon një transparencë e plotë nga institucionet vendore dhe qendrore. Në një qytet si Saranda, ku presioni urbanistik dhe zhvillimi turistik janë në rritje të vazhdueshme, çdo vendimmarrje e tillë ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në të ardhmen e territorit.
Në këtë realitet, Bashkia Sarandë vijon të mbetet një institucion i mbyllur ndaj publikut. Propaganda vizuale përmes videove me dron nuk ka munguar, por përballë tyre mungon thelbi: informacioni real. Qytetarëve nuk u është paraqitur kurrë në mënyrë të qartë asnjë projekt konkret, asnjë plan zhvillimi, asnjë përgjigje për pyetjet që lidhen me të ardhmen e qytetit të tyre. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 12
28/04/2620:30
Suvenire nga Saranda
28/04/2620:30
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
28/04/2620:30
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 3
28/04/2620:30
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 2
28/04/2620:30