OMONIA refuzon të dhënat e Censit, mungesë transparence! Të bëhet regjistrim i posaçëm për minoritarët

21/07/2411:25

Shperndaje:

OMONIA ka reaguar lidhur me rezultatet e Censit 2023 dhe në një deklaratë të ndarë për mediat, thuhet refuzojnë të dhënat e Censit. Sipas OMONIA-s, përfaqësuesit e minoriteteve në Shqipëri refuzojnë të dhënat dhe kërkojnë që për minoritarët të bëhet një tjetër regjistrim.

 

Disa javë pas publikimit të rezultateve të Censit 2023 të popullsisë dhe banesave, OMONIA ka kundërshtuar të dhënat duke i konsideruar të papranushme, ku rezultoi se në Shqipëri jetojnë aktualisht 23 mijë minoritarë të etnisë greke. Përmes një deklarate për mediat, OMONIA bën të ditur se refuzojnë këto rezultate dhe kërkojnë që me procedurë të posaçme të kryhet regjistrimi ekskluzivisht për minoritetet duke respektuar parimin e vetdeklarimit.

OMONIA thotë se nuk ka bazë të besueshme të dhënash dhe se sipas tyre janë përjashtuar nga mbledhja dhe përpunimi i të dhënave. Sipas OMONIA-s procesi i censit dështoi të implementojë praktikat më të mira në këtë fushë dhe bashkëpunimit me përfaqësuesit e komuniteteve, pjesëmarrjen e tyre të drejtëpdrejtë në proces si dhe përgatitjen e një buletini të qartë për pyetjet e karakterit të origjinës etnike, gjuhës amtare dhe besimit fetar.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se ka pasur mungesë transparence dhe pretendohet se “në raste të përsëritura, njësitë familjare të pjesëtarëve të minoriteteve nuk u vizituan nga anketuesit e ngarkuar.”

 

Deklarata e plotë

 

NJOFTIM PËR SHTYP

 

Lënda: Takim i formacioneve politike dhe organizatave të minoriteteve kombëtare në Tiranë për procesin e Regjistrimit Popullsisë në Shqipëri. Refuzojnë rezultatet dhe parashtrojnë kërkesë për procedurë të posaçme të regjistrimit ekskluzivisht për minoritetet me respektim të parimit të vetidentifikimit.

Të Mërkurën e kaluar, 17 Korrik 2024, me iniciativë dhe koordinim të Kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut z. Vangjel Dule, u organizua në Tiranë takim me pjesëmarrjen formacioneve politike dhe organizatave përfaqësuese të minoriteteve kombëtare në Shqipëri.

 

Çështje ekskluzive e diskutimeve përbënte procedura e Regjistrimit Popullsisë Cens23 që u realizua në vend gjatë vitit të kaluar dhe rezultatet së fundmi të shpallura nga Autoriteti Shtetëror i Statistikave – INSTAT.

Pas diskutimeve u adoptua bashkërisht  teksti i  konkluzioneve paraprake për pikën e vetme të rendit të ditës së Takimit, që  u përgatit nga ana e Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek OMONOIA,  si grupi më i rëndësishëm nga madhësia numerike dhe impakti historik, sikundër dhe më i mirëorganizuar në politika të sanksionimit dhe zbatimit të politikave që lidhen me Minoritetet Kombëtare.

 

Në përmbyllje u konkludua duke nënvizuar se procesi shtetëror i regjistrimit refuzohet nga gjithë spektri i përfaqësuesve të minoriteteve, që nga njëra anë i bën rezultatet e publikuara të pabesueshme dhe për pasojë të refuzueshme dhe nga ana tjetër nxjerr në pah probleme më thelbësore që lidhen me diskriminime dhe represione të minoriteteve. Politikat qeveritare në këtë fushë karakterizohen nga elementë të mentalitetit totalitarist nacionalist që për rrjedhojë nuk përputhen me angazhime detyruese të vendit nga anëtarësia në konventa ndërkombëtare respektive dhe as me parakushtet që imponohen të përmbushen në kuadrin e integrimit në BE.

 

Përfundimisht  gjithë pjesëmarrësit e interesuar në vend,  kërkojnë që rezultatet e shpallura të mos mirën parasysh në implementimin e politikave qeverisëse për minoritetet. Për më tepër pretendojnë arsyeshëm aplikimin e një procedure adekuate ekskluzivisht për regjistrimin e demografisë dhe dhe gjeografisë së komuniteteve të pjesëtarëve të Minoriteteve Kombëtare me zbatim rigoroz të së drejtës dhe kriterit të vetidentifikimit.

 

KONKLUZIONE PARAPRAKE PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË CENS23 NËN PRIZMIN E PËRFAQËSUESVE TË MINORITETEVE KOMBËTARE

REFUZIM I REZULTATEVE TË SHPALLURA NGA INSTAT

 

Të mbledhur në Tiranë, sot më 17 Korrik 2024, ne, përfaqësuesit nga organizatat e interesit të Minoriteteve Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, për të trajtuar ekskluzivisht çështje të lidhura me Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe rezultatet e tij të publikuara nga INSTAT konstatojmë:

Regjistrimi përsa i përket Minoriteteve që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë edhe kësaj radhe dështoi të implementojë praktikat më të mira në këtë fushë përsa i përket bashkëpunimit me përfaqësuesit e komuniteteve, pjesëmarrjen tonë të drejtpërdrejtë në proces, përgatitjen e një buletini të qartë për pyetjet e karakterit të origjinës etnike, gjuhës amtare dhe besimit fetar.

Në veçanti, pritshmëritë tona ishin të shtuara përderisa kërkesa jonë për qasje të sinqertë dhe me besueshmëri të çështjes së demografisë dhe gjeografisë së minoriteteve pas rrëzimit të regjimit totalitar gjen përkrahje dhe përbën argument në raportet e Këshillit të Evropës, parakusht për avancimin e proceseve integruese në BE dhe, kryesisht mbështetur në faktin e ekzistencës tanimë në kuadrin ligjor vendas të ligjit për mbrojtjen e minoriteteve Kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Meqenëse në vend nuk ekziston një bazë e besueshme dhe e gjithë pranuar për madhësitë numerike dhe shpërndarjen e komuniteteve të mirëqëna pjesëtarësh të minoriteteve etnike dhe për më tepër kur, as Ligji i sipërpërmendur nuk përcakton një instrument adekuat të deklarimit të qytetarëve si pjesëtarë të minoriteteve përkatëse, Regjistrimi i Popullsisë pritej të prekte edhe këtë aspekt.

 

Në fazën delikate të mbledhjes në terren të të dhënave, informacionet që kemi mbledhur në rajone të ndryshme, në zona rurale dhe qendra urbane, në sasi të mjaftueshme për nxjerrjen e  konkluzioneve, flasin qartë për dështim total. Në raste të përsëritura, njësitë familjare të pjesëtarëve të komuniteteve tona nuk u vizituan nga anketuesit e ngarkuar. Aty ku u vizituan pati neglizhencë në mbledhjen e përgjigjeve për pyetjet në fokus të interesit tonë të drejtpërdrejtë. Nuk u aplikua,  ndonese ishte mundësia, alternativa e regjistrimit elektronik përmes platformave adekuate. Ka denoncime të besueshme për implikim në proces ofiqarësh dhe strukturash shtetërore pa kompetencë dhe justifikim ligjor. U manifestua përsëri fenomeni negativ i shoqërimit të procesit me propagandë mediatike negative, të padëshiruar dhe me frymëzim nacional totalitar. Nuk u tregua afeksioni i nevojshëm për përgatitje të procesit apo dhe realizim të fazës së vizitave në familje dhe tabulimit të të dhënave në gjuhët amtare të pjesëtarëve të minoriteteve që, nga njëra anë do të shtonte vullnetin për pjesëmarrje dhe  nga ana tjetër do ta bënte anketimin më miqësor dhe të besueshëm.

 

Në fazën e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, pavarësisht këmbënguljes sonë për të patur akses të institucionalizuar, u përjashtuam plotësisht dhe u privuam nga një e drejtë e tillë. Kjo fazë u mbizotërua nga mungesa e transparencës,  ndërsa specialistë të sektorit të statistikave flasin për mungesë profesionalizmi, aplikim metodologjie antishkencore dhe abuzime të tjera për të kënaqur tendenca të synuara të politikave qeveritare.

Në këto kushte rezultatet e shpallura me vonesa të pajustifikuara nga ana e INSTAT janë të papranueshme, të pabazuara dhe përbëjnë tregues të qartë të vullneteve për mpakje artificiale të madhësive numerike të minoriteteve. E lidhur kjo me vijimin e politikave diskriminuese, mos zbatim në fakt të të drejtave që u përkasin pjesëtarëve të minoriteteve dhe që lidhen me ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre.

 

Në mënyrë të qartë shprehim indinjatën tonë për dështimin e Cens 23 përsa i përket fushës që na përket dhe refuzojmë të pranojmë si të besueshme të dhënat e publikuara. Përsërisim kërkesën tonë se është koha e reflektimit dhe kjo të shprehet me realizimin e një procesi ad hoc për të konkluduar në demografinë dhe gjeografinë e minoriteteve në vend duke respektuar maksimalisht të drejtën dhe kriterin e vetdeklarimit të qytetarëve për origjinën etnike, gjuhën amtare dhe përkatësinë fetare.

Duke qenë se faktori ndërkombëtar dhe, kryesisht Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian që ishin dhe financuesit kryesore te procesit dhe faktit që, në kuadrin e proceseve integruese, ekzistojnë detyrime të posaçme, nga  njera anë të ndikojnë që të dhënat edhe të këtij Regjistrimi përsa u përket minoriteteve dhe komuniteteve fetare të mos merren në konsideratë dhe nga ana tjetër të mbështesin kërkesën tonë për regjistrim të posaçëm me objekt mbledhjen e të dhënave në fjalë.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

ABZHR lajm të mirë për 699 fermerë nga Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi
Tifozët e Butrintit apelojnë: Shpëtoni Onuh, ai është pjesë e Familjes tonë!
Publikohen Çmimet e Referencës për Shtëpitë dhe Apartamentet në Sarandë, Delvinë, Himarë dhe Konispol
100 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës “Pandeli Boçari” në Sarandë
Arrestohen 11 persona në Sarandë dhe Delvinë, akuzohen për shpërndarje ‘malli’ – VIDEO
Operacion i Policisë gjatë natës: 15 të shoqëruar në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.