Pirro Vengu pritet me protesta para Kuvendit, qytetarët kundërshtojnë reformën territoriale
Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Pirro Vengu, është përballur me protestues në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, ku qytetarë nga disa bashki të vendit janë mbledhur për të kundërshtuar ndarjen e re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste. Në momentin kur Vengu po kalonte për të hyrë në godinë, nga protestuesit janë dëgjuar thirrjet “O hajdut”, të drejtuara ndaj tij.
Tubimi ka nisur që prej mëngjesit të së hënës. Pjesëmarrësit kundërshtojnë shkrirjen e bashkive të tyre dhe bashkimin me njësi vendore më të mëdha, duke kërkuar që zëri i komuniteteve të merret parasysh përpara vendimmarrjes. Drafti i propozuar nga PS parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Pikërisht ndërhyrja në hartën ekzistuese administrative ka nxitur reagime nga banorë dhe përfaqësues vendorë të zonave që preken.
Në qarkun e Vlorës, një prej çështjeve që ka sjellë kundërshtime është propozimi për bashkimin e Selenicës me Bashkinë Vlorë. Ky ndryshim do të sillte humbjen e statusit të Selenicës si bashki më vete. Kundër këtij propozimi është shprehur kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj. Ruajtjen e kësaj bashkie e ka mbështetur edhe deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj.
Sinaj ka dalë kundër draftit të propozuar nga partia e tij edhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Kundërshtim ka shprehur gjithashtu deputeti Erion Braçe, duke e zhvendosur debatin për reformën edhe brenda vetë mazhorancës.
Ndërsa propozimi vijon të shqyrtohet, protestuesit kërkojnë që ndryshimet territoriale të mos miratohen pa marrë parasysh qëndrimet e banorëve dhe pasojat për shërbimet e përfaqësimin vendor. Saranda Web