‘Nuk ka kthim pas’: Përpjekja për të shtypur protestën shton zemërimin e qytetararëve. Publikuar në Reporter.al nga Aleksanda Bogdani
Rreth orës 2:30 të pasdites së shtunë, gjithçka ishte e qetë para Kryeministrisë. Punonjësit e policisë, një pjesë e mirë e të cilëve vajza të vendosura në shkallë apo përgjatë bulevardit, dukeshin po ashtu të qetë. E vetmja zhurmë vinte nga radiot e tyre. “Shpërndajini. Janë dyzet veta… Është ai me blu organizatori,” kumbon në radio urdhri për protestuesit, që gjendeshin në atë moment përpara Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit.
Në më pak se 10 minuta, qindra qytetarë që po protestonin para Ministrisë së Arsimit u zhvendosën në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët paralele, në përpjekje për t’i shpëtuar gazit lotsjellës, për t’u grupuar më pas përpara Kryeministrisë.
Këtu radhët u shtuan. Nga rrugët e shumta që dalin në bulevard, mijëra protestues, kryesisht të rinj e të reja, u dyndën në shesh. Mes protestuesve kishte grupe të organizuara, të veshura me një uniformitet të sajuar, që dolën në krye të marshimit. Pas tyre, disa mijëra qytetarë të tjerë marshuan në paqe me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.
Tubimi i së shtunës është pjesë e valës së protestave anti-qeveritare, të cilat nisën më 31 maj paqësisht kundër projektit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur në Zvërnec. Në tetor, protestat morën një kthesë të dhunshme me përplasje të përditshme mes policisë dhe protestuesve. Të ushqyera nga skandalet e njëpasnjëshme të qeverisjes, rritja e kostos së jetesës dhe dhjetra pakënaqësi të tjera, protestat kanë bashkuar në rrugë studentë, profesionistë e qytetarë të thjeshtë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në orën 3:05 të pasdites, qytetarët ishin ende duke marshuar në bulevard. Në krye të protestës, para Kryeministrisë, kishin filluar ndërkohë përplasjet e zakonshme mes disa dhjetëra protestuesve dhe policisë, por kjo nuk dukej se e prekte pjesën tjetër të turmës. Megjithatë, 5-6 minuta më vonë, mijëra protestues paqësorë, që ndodheshin qindra metra larg pikës ku kishte përplasje, u goditën pas shpine me gaz lotsjellës.
Brenda pak minutash, dhjetëra forca policie dhe autoblinda të pajisura me topa uji i ndanë protestuesit në mes, duke rrethuar një pjesë të mirë të tyre që ndodheshin mes urës së madhe mbi Lanë dhe Galerisë së Arteve. Të zënë “në kurth”, protestuesit tentuan të rezistonin duke qëlluar me gurë në të dyja drejtimet, por policia e mbuloi të gjithë bulevardin me gaz lotsjellës. Dhjetra granata të tilla gazi u hodhën në pak minuta, duke krijuar mjegull mbi parkun “Rinia” dhe bulevardin përkrah, ndërsa protestuesit u shpërndanë në drejtim të rrugës “Myslym Shyri”, në Pedonale, në Unazë dhe në rrugët e tjera lidhëse. Shumë shpejt sheshi mbeti i zbrazur, teksa grupe të policisë i ndoqën protestuesit në disa rrugë.
Makinat e policisë duke hedhur ujë me presion në bulevard. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.Megjithatë, protestuesit u riorganizuan brenda 30 minutash. Një grup prej gati 200-300 personash qëndroi përballë policisë në hyrje të parkut “Rinia”. Mijëra të tjerë u rimblodhën në sheshin “Skënderbej”, përballë një mase policie që ndalonte daljen në bulevard. Këtu protestuesit hodhën gurë dhe molotovë, ndërsa policia u përgjigj me gaz dhe plumba gome.
E lagur kokë e këmbë nga uji i hedhur prej policisë dhe me sy të skuqur nga gazi, një vajzë 28-vjeçare i tha BIRN se rezistenca ishte e vetmja zgjidhje.
“Po ikna sot, s’kena të ardhme. Do ikim krejt nga këtu, po ikëm sot nga Tirana,” tha ajo, ndërsa po mblidhte veten në një zonë pa gaz.
Shumica e protestuesve ndajnë bindje të ngjashme.
“Unë di të them që nuk ka kthim pas,” thotë një burrë që prezantohet si pedagog në Universitetin Politeknik, i cili tregon se në protestë ka dalë për shkak të pakënaqësive të akumuluara. Sipas tij, fakti që njerëzit i rezistojnë bombardimit me gaz dhe rikthehen në protestë është tregues se ajo nuk ndalet. Megjithatë, burri nuk e tregon emrin, sepse, ashtu si një pjesë e mirë e protestuesve, punon në administratë.
“Administrata është më e pakënaqura me kryeministrin”, thotë ai, duke shtuar se të gjitha skandalet që kanë ndodhur e kanë bërë administratën publike të ndjehet keq e më keq, ndaj nuk sheh zgjidhje tjetër përveç vijimit të protestave.
Një protestuese që e shoqëron tregon se ata ishin kthyer bashkë në Shqipëri në vitin 2013, pasi kishin studiuar jashtë, dhe tani ndodheshin në shesh me shpresën që vendi të mund të ndryshohej dhe të mos shtyheshin të iknin sërish. Gruaja, e cila thotë se ka studiuar për piano, vëren se pakënaqësitë janë masive.
“Po të shikosh ka njerëz të shtresave dhe të moshave të ndryshme, fizionomive të ndryshme. Tregon që kjo gjë e ka prekur një pjesë shumë të madhe të popullsisë sesa një grupim,” tha ajo.
Frika e punonjësve të administratës për të mos u identifikuar nuk duket e pabazë. Një ish-punonjëse e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, tregon se u shkarkua nga puna në korrik, pasi kishte marrë pjesë në protestat e qershorit. Ajo thotë se e kishte mësuar arsyen e largimit përmes miqve të saj brenda institucionit dhe thekson se në administratë nuk ka meritokraci, por vetëm “patronazhistë”.
“Unë aktualisht jam hequr nga puna, edhe pse kisha CV-në më të plotë e të kualifikuar në ARRSH pas një vit e gjysmë punë atje. I kam bërë mesazh në privat Kryeministrit për ta vënë në dijeni për situatën, dhe zoti Kryeministër nuk i dha dot zgjidhje. Nuk i jep dot më zgjidhje Shqipërisë ai,” thotë ajo, ndërsa tregon në telefon mesazhin e mbetur pa përgjigje.
Pas 12 ditësh protesta të dhunshme, ajo shton se zemërimi i qytetarëve vetëm sa është rritur.
“Ajo që shikoj unë është që populli është akoma më i acaruar, sepse këto reformat që ne deri tani ngrinim tabelat në mënyrë paqësore që të mos miratoheshin në Parlament, ai nuk i dëgjoi fare,” thotë gruaja.
“Populli do jetë, do vazhdojë të jetë në shesh edhe për shumë kohë. Edhe për shumë kohë, paqësisht apo me dhunë”.
Në sheshin “Skënderbej”, mes granatave të gazit lotsjellës që rrëshqasin në pllaka e të tjerave që hidhen mbi kokë, Ardi, një 19-vjeçar që studion Mjekësi në Budapest, tregon se ka ardhur enkas për protestën, me shpresën se vendi mund të ndryshojë. Shoku i tij që e shoqëron në protestë shtrëngon hundët për t’u mbrojtur nga gazi, ndërsa e sheh ndryshimin të lidhur vetëm me ndryshimin e klasës politike.
“Pse ky shtet kontrollohet nga persona që nuk ia duan të mirën këtij vendi? Unë jam 18 vjeç, ai ka qenë shumicën e jetës time në fuqi edhe nuk na ka lënë mundësi përveç një sistemi të ri,” thotë ai, teksa një valë e re gazi mbulon sheshin.
Ndërsa heq maskën kundërgaz dhe syzet, Mishel, një studente e Regjisë së Filmit në Akademinë e Arteve, shprehet se e vetmja arsye pse ajo dhe qindra moshatarë durojnë prej ditësh me radhë gazin lotsjellës dhe dhunën, është shpresa se gjërat do të ndryshojnë.
“Shpresa. Shpresa se ndoshta, Shqipëria jonë e vogël me kaq shumë histori dhe me kaq shumë vlera do t’ia dalë që të bëhet një shtet ku të gjithë shqiptarët janë të lumtur. Shpresa është ajo që na mban çdo ditë këtu,” thotë Mishel.
Për të dhe të rinjtë e tjerë, protestat e fundit janë e vetmja shpresë përballë një mase të madhe pakënaqësish.
“Gjithë studentët shqiptarë vuajnë, sakrifikojnë për të bërë një copë shkollë dhe për të marrë dije. Dija duhet të ishte kudo pa pagesë. Dija duhet të ishte kudo e dhuruar, sepse është ajo që i çon përpara që të gjithë,” vijon Mishel, teksa përshkruan një Shqipëri ku familjet mezi ia dalin në fund të muajit.
Ndërsa mbrëmja bie mbi Tiranë, era e rëndë e gazit lotsjellës mbetet ende pezull mbi rrugët e qytetit. Protesta ndërkohë vijoi për orë të tëra, me përplasje në disa pjesë të tjera të qytetit. Një bilanc i të lënduarve nuk ishte ende publik deri pas orës 20 të mbrëmjes, ndërsa pas rënies së muzgut, policia përsëriti skemën e sulmit në rrugica duke ndaluar dhe goditur qytetarë.