
“Nuk do të ndalemi!” – Banorët e Borshit protestë për pronat para ASHK Tiranë – VIDEO
“Nuk do të ndalemi!” – Banorët e Borshit protestojnë për pronat para ASHK Tiranë, kërkojnë drejtësi dhe hetim nga SPAK
Banorët e fshatit Borsh në bashkinë Himarë kanë vijuar me vendosmëri protestat e tyre kundër asaj që e cilësojnë si një grabitje sistematike të pronave të tyre. Ditën e djeshme, me pankarta në duar, ata protestuan përpara zyrave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Tiranë.
Shumë prej protestuesve kishin ardhur posaçërisht nga emigracioni në Greqi për të ngritur zërin për të drejtën mbi pronat. Në qendër të kërkesave të tyre ishte zhbllokimi i punës së ASHK Sarandë, zbatimi i ligjit 7501 dhe hetimi nga SPAK për abuzimet me pronat në zonën e tyre.
Dhjetëra forca policore u vendosën përpara godinës së ASHK-së për të shmangur hyrjen e protestuesve brenda institucionit, por kjo nuk i ndaloi banorët të protestonin për më shumë se dy orë në mënyrë paqësore. Pas insistimit dhe presionit të tyre, përfaqësues të ASHK Tiranë pranuan të takojnë avokatin dhe një përfaqësues të banorëve.
Në dalje të takimit, përfaqësuesit u shprehën se janë dëgjuar nga drejtuesit e institucionit dhe se u është premtuar një zgjidhje e drejtë për problemin e tyre. Megjithatë, banorët mbetën të rezervuar në optimizëm dhe paralajmëruan se protestat nuk do të ndalen, derisa t’u jepet zgjidhje konkrete dhe e ligjshme çështjes së pronësisë.
“Ne nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë drejtësi. Pronat tona janë të dokumentuara dhe askush nuk ka të drejtë t’i tjetërsojë”, – u shpreh njëri nga protestuesit. Ndërsa një i ri u bëri apel qytetarëve se “sot është radha jonë të përballemi me hajdutët e pronave e nesër do të jetë radha juaj, ndaj ju duhet të jeni në anën tonë dhe të na mbështesini ne dhe jo hajdutët“.
Saranda Web do të vijojë të ndjekë nga afër këtë çështje dhe të japë zë shqetësimeve të banorëve që kërkojnë drejtësi për pronat e tyre.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
