Mumushe Ibrahimi, 85-vjeçarja nga Saranda vijon ende të qepë jorganë e të thurë qilima – VIDEO

28/12/2519:16

Shperndaje:

Mumushe Ibrahimi, 85-vjeçarja nga Saranda vijon ende të qepë jorganë e të thurë qilima

 

Historia e Mumushe Ibrahimi është historia e qindra grave shqiptare që, përmes punës së palodhur dhe duarve të arta, mbajtën gjallë traditën, familjen dhe dinjitetin në kohë të vështira. Edhe pse në prag të 85 viteve, Mumushja vazhdon të punojë me të njëjtin përkushtim si dekada më parë, duke qepur jorganë, duke punuar sixhade dhe qëndisje tradicionale, një art që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

 

 

Gjithçka nisi në fshatin Janjar, ku që në moshën 10-vjeçare ajo ndiqte të atin nëpër fusha për të mbledhur pambukun e mbetur pas korrjes. Pikërisht nga ai pambuk, Mumushja realizoi punimet e saj të para: çorape, qëndisje dhe elementë artizanati, duke hedhur themelet e një pasioni që nuk do ta linte kurrë. Ajo ishte vajza më e madhe e familjes dhe që në fëmijëri u mësua me punën, përgjegjësinë dhe sakrificën.

 

Pas martesës, në moshë shumë të re, u vendos në Sarandë, ku nisi punë në Ndërmarrjen e Punimeve të Ndryshme (NPN), ku prodhoheshin jorganë të punuar me dorë. Më vonë, pas zhvendosjes së kësaj ndërmarrjeje në Delvinë, ajo filloi punë në Ndërmarrjen e Punimeve Artistike (NPA), një nga ndërmarrjet më të vlerësuara në vend për prodhimin e qilimave dhe sixhadeve tradicionale shqiptare.

 

Punimet e realizuara në NPA Sarandë tregtoheshin kryesisht për eksport dhe kanë zbukuruar ambiente elitare, përfshirë edhe hotele të njohura në Shqipëri. Qilimat dhe sixhadeve të punuara me dorë ishin krenaria e grave artizane të Sarandës, një dëshmi e vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.

 

Pas vitit 1990, me mbylljen e ndërmarrjes për shkak të mungesës së lëndës së parë, shumë gra mbetën pa punë dhe u detyruan të emigronin. Mumushja, së bashku me një shoqe, bleu një tezgjah dhe nisi të punonte në shtëpi, duke e vazhduar këtë aktivitet për rreth 10 vite. Por jeta nuk ishte e lehtë. Sëmundja e djalit të saj të madh e detyroi të vazhdonte punën edhe në kushte të rënda, për të siguruar mjetet e nevojshme për kurimin e tij.

 

Edhe pse puna ishte jashtëzakonisht e lodhshme — tri ditë e tri net për të realizuar një jorgan — shpërblimi ishte minimal. Megjithatë, Mumushja nuk u dorëzua kurrë. Sot, disa nga punimet e saj i ruan ende në shtëpi, duke refuzuar t’i shesë, sepse për të ato janë dëshmi e një jete të tërë pune, sakrifice dhe dashurie për zanatin.

 

Edhe sot, ndërsa po mbush 85 vjeç, Mumushe Ibrahimi vazhdon të qepë jorganë dhe të punojë tantella për jastëkë, me të njëjtën kënaqësi që ndiente 75 vite më parë. Historia e saj është një thirrje për të mos harruar zanatet e vjetra, gratë artizane dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Mumushe Ibrahimi, 85-vjeçarja nga Saranda vijon ende të qepë jorganë e të thurë qilima – VIDEO
Qeveria merr vendimin: Lirohen 380 të burgosur, 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi
Policia e Sarandës sekuestron fishekzjarret e Vitit të Ri – VIDEO
Epirus Hotel kërkon Shef kuzhine, Recepsionist/e, Kamarier/e dhe Sanitare
Mbyllën sytë në Butrint, prokuroria dërgon për gjykim 3 inspektorët, kreun e IVMT-së dhe ndërtuesin
Tenderi 1.3 milion euro për punimet në Rrugën e Katërt: Në garë 2 kompani me oferta 97% dhe 98% të fondit limit

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.