Ligji i ri: influencerët dhe blogerët që nuk regjistrohen në QKB do t’u bllokohen llogaritë

Ligji i ri: influencerët dhe blogerët që nuk regjistrohen në QKB do t’u bllokohen llogaritë. Aktiviteti ekonomik në internet hyn zyrtarisht në skemën tatimore. Influencerët dhe blogerët detyrohen të publikojnë NIPT-in dhe të dhënat e biznesit

 

 

Ndryshimet e fundit ligjore, të publikuara në Fletoren Zyrtare si pjesë e paketës fiskale, e përfshijnë tashmë në mënyrë të drejtpërdrejtë aktivitetin ekonomik të zhvilluar në internet brenda kuadrit ligjor tatimor. Çdo individ që gjeneron të ardhura online – nga blogerët te influencerët dhe krijuesit e përmbajtjes – konsiderohet subjekt tregtar dhe i nënshtrohet detyrimeve përkatëse ligjore.

 

Sipas ligjit të ri, këta individë janë të detyruar të publikojnë në faqen e tyre personale ose në profilin në rrjetet sociale të dhëna bazë si: NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktin zyrtar. Qëllimi është rritja e transparencës dhe formalizimi i të ardhurave që krijohen përmes platformave digjitale.

 

Si do të kryhet kontrolli nga administrata tatimore?

 

Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore përcaktojnë qartë mekanizmin e identifikimit dhe kontrollit të aktivitetit ekonomik online. Administrata tatimore do të dërgojë fillimisht njoftim zyrtar për subjektet që dyshohet se gjenerojnë të ardhura në rrjetet sociale. Identifikimi i tyre do të bazohet kryesisht në të ardhurat e depozituara në llogaritë bankare personale.

 

Pas njoftimit, individët do të kenë afat për të formalizuar aktivitetin e tyre dhe për të publikuar të dhënat e kërkuara në profilet përkatëse.

 

Ekspertët: Formalizimi ishte i pashmangshëm. Audituesit shprehen se ky proces është i drejtë dhe i domosdoshëm:

 

“Edhe unë si biznes i kam të ekspozuara të gjitha të dhënat, duke filluar nga NIPT-i, adresa dhe informacioni i subjektit. Edhe këta individë duhet t’i kenë të publikuara në llogaritë e tyre sociale. Sot ka influencerë që vijnë për t’u trajtuar si subjekte tregtare, sepse vetë bizneset që bashkëpunojnë me ta kërkojnë faturë për pagesat. Është një kërkesë që ekzistonte prej kohësh dhe tani po zbatohet.”

 

Ligji parashikon ashpërsim të masave në rast se subjektet nuk zbatojnë detyrimet. Nëse brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit zyrtar nuk publikohen të dhënat e kërkuara, administrata tatimore i drejtohet AKEP për bllokimin e llogarive në rrjetet sociale, si dhe aplikimin e gjobave administrative.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga kontrollet e kryera, vetëm gjatë vitit 2025 janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale që kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare individuale. Këto shifra, sipas ekspertëve, dëshmojnë rritjen e shpejtë të ekonomisë online, por edhe nivel të lartë informaliteti, që tashmë synohet të integrohet plotësisht në sistemin tatimor.

 

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Operacion i madh policor në Thesproti, 8 të arrestuar dhe 30 të tjerë të shoqëruar
Lexoni më shumë
Ndryshon procedura për patentat: Çfarë parashikon udhëzimi i ri për kontrollet mjekësore
Lexoni më shumë
Treni elektrik te Syri i Kaltër nën verifikim, BKH kontroll në banesën e nënkryetarit të Bashkisë Sarandë
Lexoni më shumë
Fondet IPARD III ende pa u hapur, BE kërkon garanci për administrimin e tyre
Lexoni më shumë
Protestuesit kërkojnë largimin e Ramës, Policia u kërkon 5 mijë lekë për bllokimin e rrugës
Lexoni më shumë
Keni pyetje për Tatimet? Tashmë mund t’ia drejtoni “Muçit” virtual
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.