Kokëdhima: Në 2017 PS nuk merr dot as 60 deputetë. Është koha e revoltës

20/11/1617:03

Shperndaje:


Që në nisje të fjalës së tij para 400 anëtarëve dhe simpatizantëve të PS në kinoteatrin Butriti, Kokëdhima shpërtheu me një denoncim për presione ndaj bazës dhe kërcënim për largim nga puna të të punësuarve.
“Më vjen keq që duhet ta filloj këtë fjalë me një denoncim. Dua të denoncoj presionin që drejtuesit e Partisë Socialiste kanë ushtruar mbi njerëzit gjatë këtyre dy-tri ditëve të fundit për t’i detyruar që të mos marrin pjesë në këtë bashkëbisedim që po zhvillojmë sot. Kjo nuk është një kulturë demokratike, është një kulturë totalitariste dhe berishiste. Nuk është kulturë e të majtës dhe nuk është kulturë e socialistëve. Çfarë u thonë njerëzve këta shokë; mos shkoni në takim se do të mbani përgjegjësi personale, mos shkoni në takim, por bëni punën tuaj, sepse po bëtë diçka tjetër dikush tjetër do të bëjë punën tuaj. Praktikisht këto janë forma të hapura dhe të kamufluara të kërcënimeve me pushime nga puna dhe me kërcënim me bukën e gojës. Nuk kanë bërë mirë, ka gabuar Gjiknuri dhe kolegët e tjerë që janë përfshirë në këtë lloj qëndrimi. Në këtë shantazh nuk janë përfshirë vetëm drejtuesit e PS-së, por edhe funksionarë shteti dhe drejtorë të ndërmarrjeve. Një pjesë e këtyre funksionarëve janë promovuar po nga ne dhe është shumë pa etikë çfarë dëgjojmë që bëjnë me njerëzit. Vërtet mendojnë këta njerëz se këtë e bëjnë për të mirën e PSsë? Ju jeni socialistë dhe keni ardhur në këtë takim për të mirën e socialistëve dhe të qytetarëve të Shqipërisë. Çfarë thonë këta drejtues nga qendra dhe këtu në Sarandë? Çfarë thonë drejtorët e ndërmarrjeve që shantazhojnë socialistët e thjeshtë? Është takim që nuk ka miratimin e partisë ky që bëjmë sot këtu”.
Në akuzat ndaj drejtuesve të PS, Kokëdhima foli edhe për një përplasje më të madhe brenda të majtës, atë me LSI –në. Ai paralajmëroi socialistët të mos eksperimentojnë, pasi pa LSI, PS nuk mund të jetë në pushtet.
“(Ju thonë) Kokëdhima e bën këtë mbledhje jo në të mirë të partisë, por të LSI-së. Ju do e kuptoni vetë sot se në interes të kujt është ky takim. Mos vallë duhet një miratim për të menduar për punët e popullit shqiptar apo ato të Partisë Socialiste. Duhet leje për të menduar për shqetësimet, problemet dhe idetë tona? Kush ka monopolin e të menduarit për jetën tonë? Ata që predikojnë se Kokëdhima nuk është socialist kanë frikë nga idetë e mia dhe nuk janë miq as të PS-së as të mitë. Kokëdhima nuk krijon parti tjetër, nuk shkon në parti tjetër, nuk shkon te LSI-ja. Partia e Kokëdhimës është PS-ja. Unë kam punuar për ta bashkuar PS me LSI-në në çdo palë zgjedhje nga viti 2005 deri sot. Ato janë dy parti të dala nga një trung, ato janë dy pjesë të së majtës. Në 2005, 2007, 2009, 2011, 2013, 2015, kam negociuar me vendosmëri për ta bashkuar të majtën. E majta e bashkuar ka fituar gjithmonë, fiton gjithmonë dhe do fitojë gjithmonë. PS ka humbur gjithmonë kur e majta ka qenë e ndarë. Na mjaftojnë këto 6 palë zgjedhje për ta kuptuar këtë fakt të thjesht. Tre herë kemi humbur. Pse duhet ta injorojmë, për shkak të prioriteteve të tjera. Ku ka prioritet më të madh për të majtën se sa marrja e pushtetit dhe ushtrimi i tij në interes të popullit shqiptar, në cilësinë që presin njerëzit, në lartësi që duan qytetarët? Çfarë kemi bërë me përçarjet e të majtës në gjithë këto vite? I kemi dhuruar pushtetin Saliut dhe i kemi bërë gjithë ato thagma popullit, vendit dhe socialistëve. Ju keni aq shumë përvojë dhe nuk mund t’u mësoj unë se sa e papërgjegjshme është të vësh prioritete të tjera mbi atë të qeverisjes së vendit nga e majta e Shqipërisë dhe nga PS-ja. Edhe për 2017-n unë kam punuar gjithë këto muaj dhe këto 3 vjet dhe do të vazhdoj të punoj që të mos bëjmë alkimi politike, të mos bëjmë eksperimente të pamençura, por të mbajmë një të majtë të bashkuar, ta modernizojmë e përmirësojmë atë, të ushtrojmë qeverisjen në cilësinë që do populli dhe jo ta ndajmë vendin dhe shtetin në parcela. Dhe jo një Shqipëri të ndarë në copa të njërës dhe tjetrës palë.
Kokëdhima shpjegoi para simpatizantëve se me sjelljen e saj, PS rrezikon të mos marrë as 60 deputetë në zgjedhjet e 1017 –ës, kryesisht për mosmbajtjen e premtimeve apo për atë që ai e konsideron si “kanibalizim” të saj nga aleatët. Ai nuk i kurseu kritikat as ndaj Ramës, përshkeljen e premtimit për mosimportimin e plehrave dhe “diletantizmin” e treguar në raport me presidentin e zgjedhur të SHBA, Donald Trump.
“Kini parasysh se nga një palë zgjedhje në tjetër, Partia Socialiste po kanibalizohet nga aleatët, po humbet mbështetje dhe po zvogëlohet. Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve të saj. Kjo po ndodh edhe pse kemi kaq shumë njerëz të shkëlqyer në bazë, edhe pse përballë kemi një parti të diskretituar si partia e Saliut. Kjo gjë po ndodh, pasi Partia Socialiste po merr kosto të pamerituara nga njerëzit e saj në pushtet. A është normale që qeveria jonë të harrojë premtimet e saj kundër plehrave në zgjedhjet e vitit 2013 dhe tani të miratojë importin e mbetjeve? Përse duhet t’i japim kosto të pamerituara Partisë Socialiste dhe vendit me deklarata diletante e poshtëruese të zyrtarëve tanë kundër kandidatit dhe tani presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, zotit Donald Tramp? A duhet që një qeveri socialiste, pasi sulmon Lazaratin, e bën gjithë vendin Lazarat? Si ka mundësi që në trafikun e ri të hashashit përfshihen të gjithë ata funksionarë të policisë dhe të shtetit? A i meriton PS-ja këto kosto?”
Kokëdhima tha se ai punoi 3 vite që ta reformonte PS-në nga lart, por përjekjet e tij dështuan, sepse nuk ishte e mundur që Partia Socialiste të reformohej nga lart dhe pasi udhëheqja e partisë nuk dëshiron ta pranojë ripërtëritjen e vet. Ai garantoi se lëvizja e tij nuk synon ndarjen e PS, por forcimin e saj.
Udhëheqja e partisë nuk është e përgatitur për këtë, nuk ka vullnet, sepse nuk dëshiron ta pranojë përtëritjen e vet, sepse kështu një pjesë e madhe e drejtuesve të saj të sotëm do të duhet ta lënë politikën. Në këtë situatë, unë kam vendosur dhe kam zgjedhur të zhvilloj këtë lëvizje politike brenda Partisë Socialiste. Kjo lëvizje synon ta reformojë PS-në me vullnetin dhe forcën e anëtarë- sisë së saj në bazë.
Ish –deputeti tha se edhe në Shqipëri ka mbërritur koha e revoltës kundër kastave politike sunduese. Dhe ngrii pyetjen, nëse ajo duhet të përmbysur me protesta, apo me konkurrencë të ndershme politike.
“Duke mbyllur këtë fjalë, desha të kujtoj se një erë e re po fryn në mbarë botën. Është koha e revoltës, është koha e revoltës kundër kastave sunduese, kundër atyre kastave, që kanë injoruar interesat e njerëzve të thjeshtë, të shoqërisë e shtresave të ulëta të saj. Kjo përmbysje e kë- tyre kastave, që e përdorin pushtetin dhe konjukturën për të parë veç veten e tyre, do të ndodhë, është e pashmangshme edhe në Shqipëri. Në pyetje është sesi, a do të përmbysen me shpërthime sociale, me konflikte, me dhunë, apo me përtëritje paqësore të elitës politike duke i hapur rrugë konkurrencës perfekte në politikë dhe ekonomi.”

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.