Kështjella – Kalaja e Delvinës

10/04/1715:39

Shperndaje:

Kështjella – Kalaja e Delvinës ndodhet në qytetin e Delvinës… Në një pikë gjeografike që ka dominuar hyrjen nga treva e Gjirokastrës me anë të Qafës së Muzinës për në fushën e Vrinës.

Kështjella – Kalaja e Delvinës ka pasur një sipërfaqe prej 0.17 ha.

Ngrihej mbi një kurriz shkëmbor dhe dy rrugë ngjiteshin për tek ajo nga jugu dhe veriu.

Nga anët e tjera rrethohet me dy përrenj. Fortifikimi përbëhej prej kështjellës dhe një muri parapritë në anën perëndimore. Vetë kështjella ka pasur trajtën e një gjysmë elipsi me drejtim perëndim – lindje dhe shfrytëzonte plotësisht mbrojten natyrale të terrenit. Balli lindor i murit i kundërvihej qafës. Në ekstremin perëndimor ajo mbrohej nga një kullë gjashtëkëndëshe dhe muri zgjatej në anën veriore deri te hyrja e kështjellës. Në jug muri ndjek konturin e greminës.

Muri ballor pëson një thyerje dhe mbrohej prej dy kullave anësore. Muri ballor së bashku me murin parapritë formojnë një kompleks mbrojtës. Mbrojtja e përgjithshme e kështjellës paraqet një rast unik për zonën.

Kalaja delvine 1

Truallin brenda kështjellës e zinin rrënoja ndërtesash si p.sh. të një xhamie, një stere e dy depove.

Ato përkojnë plotësisht me inventarin që jep Evlija Çelebiu në shek. XVII. Studimet kanë nxjerrë tri faza ndërtimi për kështjellën dhe në të dallohen tri kulla. Kulla e parë ruhet në themel. Ka formë gjysmë elipsi, me përmasa 6.50 m x 3.50 m. e me gjerësi muresh 1.30 m – 1.50 m.

KALAJA E DELVINES

Kulla e dytë ka formën e një rrethi të çrregullt… Me përmasa 6.70 x 5.40 me mure 1.60 m të gjerë. Kulla e tretë ka formën e një gjashtëkëndëshi të çrregullt me brinjët 2 – 4 të gjata… Me mure 0.90 m. të gjerë. Në hyrje krijohen dy koridore paralele me gjerësi 2.50 m, ku njëri është 2 m më poshtë se tjetri.

Kjo jep mundësinë që të komunikohet midis kështjellës dhe murit parapritës pa dalë jashtë korridorit. Sipas E. Çelebiut dëshmohet se ka pasur dy porta metalike.

Stereja ka pasur planimetri trapezoidale me përmasa 2.50 x 4.60 x 3.40 x 4.70 m… Dhe lartësi 2 m në pjesën e fillimit, 2.50 m në fund me një kapacitet 15 m ujë. Stereja mbulohej me qemer cilindrik me gurë smerç dhe ka qenë e suvatuar me llaç shamot. Në qemer ndodhen pjerrtazi një tub qeramike me diametër 0.10 m për furnizim me ujë… Dhe një pusetë 0.50 m x 0.40 m për shkarkimin e ujërave.

Brenda kështjellës dallohen dy depo nëntokësore me përmasa 3 m x 3 m dhe 2 m x 3.20 m… Të mbuluara me qemer cilindrik. Bazuar në të dhënat historike dhe teknikën e ndërtimit fillestar të saj… Kështjella – kalaja e Delvinës fillimet e saj i ka në shek. XI – XII. Dhe formën e plotë e arrin në shek. XIII – XIV.


Banja e Delvinës


Ndodhet në lagjen e vjetër Xhermëhallë, ngjitur me kalanë mesjetare. Banja ndodhet në një kompleks arkitektonik që formohet prej xhamisë, tyrbeve, imaretit, krojeve dhe vetë banjës. Banja hyn në nivelin e banjave të vogla. Përbëhet prej katër ambientesh. Gjerësinë e ndërtesës e zë ambienti i zhveshjes dhe djathtas ka një hyrje që bënte lidhjen me kthinat sanitare. Njëra pranë tjetrës vijnë dy ambiente të banjës së bashku me një vaskë. Dallohen gjurmë të tubacioneve qeramike me diametër 10 cm dhe gjatësi 27 cm. Ambient tjetër i banjës, shumë i dëmtuar, është stereja, nën të cilën duken gjurmë të hipokaustit. Ambientet mbulohen me kupola sferike të realizuara me tulla.

Në çati duken gjurmë tjegullash dhe oxhakësh të daljes së tymit. Në muraturën e banjës është përdorur brezi i drurit. Dyshemetë e ambientet kanë një pendencë. Pendenca fillon të ulet nga ambienti i banjës në drejtim të nyjes sanitare, ku bëhet shkarkimi i ujërave të banjës. Gazi i nxehtë i furrës, pasi qarkullonte nën dysheme, ngrohte ambientet… Dhe dilte në hapësirë me anë të disa kanaleve vertikale të hapur në muret e banjës… Direkt me paretin e suvasë.



Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.