Kërkohet rritje e tarifës së ujit edhe në Konispol, vendimmarrja shtyhet për muajin e ardhshëm

Kërkohet rritje e tarifës së ujit edhe në Konispol, vendimmarrja shtyhet për muajin e ardhshëm

Këshilli Bashkiak Konispol ka shtyrë për mbledhjen e muajit të ardhshëm vendimmarrjen për ndryshimin e tarifave të ujit dhe kanalizimeve. Këshilltarët kanë kërkuar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Sarandë më shumë argumente për pagesat e propozuara. Sipas kërkesës së ujësjellësit, familjet do të paguajnë 65 lekë për çdo metër kub ujë të konsumuar. Përveç ujit, propozohet edhe një pagesë fikse prej 200 lekësh në muaj. Kjo pagesë fikse aktualisht nuk aplikohet në njësinë Konispol.

Sot, familjet paguajnë me dy çmime të ndryshme: një pjesë 50 lekë për metër kub dhe pjesa tjetër 66,67 lekë. Propozimi i çon të dyja kategoritë në 65 lekë. Por shtimi i pagesës fikse bën që, për një konsum prej 10 metrash kub në muaj, fatura të rritet për të dyja grupet.

Familja që sot paguan 50 lekë për metër kub ka një pagesë prej 500 lekësh për ujin. Me propozimin e ri, do të paguante 650 lekë për ujin dhe 200 lekë pagesë fikse: gjithsej 850 lekë, ose 350 lekë më shumë në muaj. Familja që sot paguan 66,67 lekë për metër kub paguan rreth 667 lekë për të njëjtën sasi uji. Me çmimin e ri dhe pagesën fikse, shuma do të bëhej 850 lekë, ose rreth 183 lekë më shumë në muaj. Pra, edhe pse kësaj familjeje i ulet pak çmimi i ujit, pagesa totale i rritet.

Në kërkesën e ujësjellësit përfshihet edhe një tarifë prej 25 lekësh për metër kub për largimin e ujërave të ndotura. Kjo propozohet megjithëse banorët përdorin gropa septike dhe vetë relacioni i shoqërisë thotë se UK Konispol nuk ka në përdorim asnjë sistem të ujërave të përdorura.

Nëse kjo tarifë do t’i aplikohej një familjeje për 10 metra kub, ajo do të paguante edhe 250 lekë të tjera në muaj. Në këtë rast, pagesa për ujin, tarifën fikse dhe kanalizimet do të arrinte në 1.100 lekë, nga 500 ose rreth 667 lekë që paguan sot.

Megjithatë, dokumenti nuk e bën të qartë nëse tarifa e kanalizimeve do t’u vendoset të gjithë abonentëve apo vetëm një pjese të tyre. Nuk sqarohet as çfarë shërbimi do të marrin banorët kundrejt kësaj pagese, kur ujërat e ndotura i mbledhin në gropa septike.

Rritje propozohet edhe për bizneset dhe institucionet: çmimi i ujit nga 83,34 në 140 lekë për metër kub, një pagesë fikse prej 300 lekësh në muaj dhe tarifë kanalizimesh prej 45 lekësh për metër kub.

Këshilli Bashkiak Konispol do ta rikthejë çështjen në mbledhjen e muajit të ardhshëm, pasi ka kërkuar më shumë argumente nga ujësjellësi. Të gjitha shumat e përmendura në shembuj janë pa TVSH. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Ujësjellësi kërkon tarifa të reja edhe në Delvinë dhe Finiq. Detajet e propozimit të ri
Lexoni më shumë
Kërkohet rritje e tarifës së ujit edhe në Konispol, vendimmarrja shtyhet për muajin e ardhshëm
Lexoni më shumë
Rama: Rrjetet sociale janë të rrezikshme! Paralajmëron kufizim në 16 ose 18 vjeç
Lexoni më shumë
Ujësjellës Kanalizime Sarandë kërkonte rritje të tarifës së ujit, Këshillit Bashkiak i jep përgjigje
Lexoni më shumë
IKMT aksion në Lukovë, Borsh dhe Piqeras, shemben disa objekte në bregdet
Lexoni më shumë
Ligji i ri për turizmin, qeveria ruan dhënien e pronave shtetërore deri në 99 vjet dhe shitjen e vilave në resorte
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.