Jorgo Goro nga spitali i burgut jep njoftimin e pazakontë

27/03/2414:32

Shperndaje:

Jorgo Goro ka njoftuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë Himarë.

Të nderuar miq dhe dashamirës!

Ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbeja qytetit tim për 12 vite e 10 muaj, si qytetari i parë falë votës së himariotëve të mi. Kandidova për të fituar dhe megjithëse humba, mbeta këto kohë lidhur në detyrë, me legjitimitet të cunguar formal dhe moral.

Rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë nuk ishte në favorin tim, por as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën dhe as në dorën time. S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte, dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve.

Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik, për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobuzët me premtime, dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por ama unë nuk kisha as si të flisja dhe për më tepër t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës, dhe që arriti deri në Bruksel.

E gjitha kjo nga një organizatë anadollake e minoritetit, që fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së, se po “lufton” gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Por që në fakt e dimë të gjithë që ajo është një organizatë që orkestrohet nga njerëz të paditur, të pa skrupuj dhe pa kurrë farë ideali. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh, e di shumë mirë për kë dhe për çfarë flas. Fiks fare një çetë nga ato të kohërave të errëta që sot mbahet për “forcë” politike.

KUJDES! Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi, për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë. Kjo sepse Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje.

Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues, pikërisht ata që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, teksa gjykoj se nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të “fitimtarit”.

Këtu unë i dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën. Por ama nga ana tjetër di të them se zullumi i asaj “fitoreje” me më pak se 20 vota, ishte shumë më i madh se sa duket nga ato që dëgjohen në media për hetimin.

Ndaj e vetmja gjë që dua sot është që Himara të vazhdojë punën e nisur, dhe fqinjësia e vjetër tradicionale mes dy shtetesh, të mos jetë kurrë pengu i disa palo-spekullantëve lokalë, të maskuar si viktima të një padrejtësie të re shtetërore që nuk ekziston për pronat e himariotëve. Një marrëzi qesharake dhe e rrezikshme, e ngritur si kurth ndërshtetëror pikërisht nga këta spekullantë të djallëzuar.

Himara sot ka statusin e transformimit total të saj, ku prona dikur e destinuar për të provokuar deri edhe tragjedi familjare, vlen shumëfish më shumë. Ku çdo banor ka shërbime në mjekësi, shikon dhe prek investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme në arsim, infrastrukturë, energji elektrike, ujë i pijshëm, etj.

Dhe për të shkuar tek turizmi, ku Himara dikur e frekuentuar vetëm me shqiptarët nga vendi dhe Kosova, sot është kampione e frekuentimit masiv të miliona turistëve nga mbarë bota. Dhe JO në hotele dhe rezidenca të ndërtuara mbi prona të grabitura nga shteti për “oligarkët”, siç edhe bërtasin spekullantët anadollakë të lokalitetit, por në troje të kontraktuara me çmime apo kushte gjithnjë dhe më të favorshme, dhe kjo nga cilado familje himariote që ka dëshiruar t’i japë të vetat për zhvillim.

Ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi, unë jam në një situatë absurde me drejtësinë, dhe kjo për një faj që absolutisht nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarët në Vlorë, ku unë nuk kam asnjë lidhje për “falsifikim dokumentash”, të cilat këto tek unë, kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë.

Gjithsesi, ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës, me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e natyrisht me moral.

Ndaj edhe duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (ata që më kanë votuar apo edhe që nuk më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), kjo për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur.

Natyrisht që do doja të ishte ndryshe ky largim i imi, dhe aspak jo me një letër nga një qeli paraburgimi, por jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!

Me mirënjohje të thellë!

Goro


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Butrinti Fiton në Cërrik dhe ngjitet në vendin e dytë, Delvina barazon në Këlcyrë
Saranda Lift kërkon punonjës për montim dhe shërbime ashensorësh
Aksident tragjik në Bypass-in e Fierit, humb jetën 30-vjeçari nga Saranda
Bar Caffe në Sarandë kërkon të punësojë Kamarier/e dhe Sanitare
TURBINA – BUTRINTI / LIVE NË SARANDA WEB
Policia Bashkiake: Shanset për kioska në Ksamil? Janë ZERO

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.