IZET  LIBRARIA  –  IZET  MENÇURIA (portreti i një njeriu të virtytshëm) – Nga Pajtim Çaushi

28/09/2319:30

Shperndaje:

IZET  LIBRARIA  –  IZET  MENÇURIA (portreti i një njeriu të virtytshëm) – Nga Pajtim Çaushi, botuar në miremengjes.net

Izet Jahaj (Izeti) u lind në Konispol më 8 nëntor 1933. Të pakët ishin ata që i njihnin mbiemrin e vërtetë Jahaj, shumica e njihte me përcaktimin Izet libraria ose Izet libri.

Dikush që kishte marrëdhënie më të afërta me të e dinte se atij njeriu të mirë e të ditur i shkonte bukur për shtat edhe ndajshtimi Mençuria pasi i tillë ishte.

Nuk thuhet kot se tek rrjedh, do pikojë.

Lindi në një familje fisnike të Konispolit. I ati, Mehmet Jahaj ka qënë kryeplak në Konispol. Njeri i drejtë, humanitar që i ndihmonte të tjerët kur ishin në nevojë. E shoqja nanë Dizja, fisnike e model i një zonje të nderuar konispolite.

Djemtë Dauti, Esati, Izeti dhe vajza Asije, të lindur e rritur në këtë dritë fisnikërie, u bënë pasardhës të vitytshëm në edukatë, sjellje e punë.    

Ilaç më i mirë për kohët fatkeqe është durimi

 

Ndonëse pjesë e parisë atdhetare të Konispolit, regjimi komunist që u vendos pas vitit ’44 s’e kurseu këtë familje për ta vënë në gijotinën e dhunës e të persekutimit.

I miri dhe humanisti Mehmet Jahaj (Izeti) u arrestua në vitin 1945, u mbyll në kalanë burg të Gjirokastrës prej nga nuk doli kurrë. Atje i humbi jeta dhe kockat. As sot familjarët nuk kanë një varr të tij për ta kujtuar me një tufë lule respekti.

Pasardhësit, fëmijë me intelekt e të aftë për çdo punë kur me vështirësi sistemoheshin, kalonin në kalvar mundimesh e persekutimesh.

Sa herë ngrihej dallga e luftës së klasave, i pari që do të largohej nga puna do të ishte Izeti, më i zellshi në punë, më duararti mes shokëve.

I mërzitur, por jo pesimist i thoshte dajo Myfitit:

– Unë ika, po ti ruaj veten se në listë të kanë!

Dhe një rast i shëmtuar dhe qesharak për regjimin e kohës.

Esati, mësues i nderuar, u pushua si arsimtar dhe u dërgua në kooperativë. Bashkë me të edhe mësuesi tjetër i nderuar, Agim Losha. Shkuan në punë prodhuese.

Pas i shoqëroi paradoksi qesharak i byrosë së partisë dhe kryesisë së kooperativës:

– Asnjë makinë mos t’i marrë. Që të kaliten, ta bëjnë me këmbë Konispol – Rrahë e kthim.

Për turpin e urdhëruesve, ashtu u bë!…    

Koha fatkeqe i luftoi dhe i persekutoi, por ata duruan dhe mbijetuan.

 

Punon me diell që lind, pushon me diell që perëndon

 

Izeti ishte i aftë për çdo punë ndaj dhe bëri disa të tilla në jetë. Kudo e ndiqnin hijet e së keqes, por atij nuk i qëndronte asnjë njollë shpifëse sipër pasi ishte i përkushtuar dhe shumë i zoti i punës së vet.

Në rini punoi si llogaritar tek Ndërmarrja e Tregtisë e Konispolit. Në atë kohë atje punonte edhe nëna jonë, Fetanetja. Nga miqësia që Izeti kishte me vëllain e saj Myfitin, ajo edhe atij i fliste vëlla. Kur binte fjala për punën, buzëqeshte e thoshte:

– Vëllai s’e ka shokun për punë… E fillon pa dalë dielli dhe e lë kur ikën dielli.

Ashtu ndodhte vërtetë, ai s’dinte të linte përgjysmë asnjë lloj pune.   

Më vonë punoi në Shtëpinë e Kulturës së qytetit, më pas kujdestar konvikti e së fundi si librar i Ndërmarrjes së Librit.

Ironia e punës së fundit qëndron në faktin se mjedisi i librarisë ishte ndërtesa e babait të tij. Pra shtëpia e vet ishte marrë, shtetëzuar e kthyer në librari nga rregjimi komunist.

Ai që lexon libra flet me të gjitha kohët e vendet e botës

 

Për Izetin si librar do të ndalem pak më gjatë. Kjo për faktin se gjatë atyre viteve e njoha më mirë atë njeri të mençur e të gjendur. Në funksion të lëndës së Letërsisë që zhvilloja në gjimnaz, kisha bibliotekën e shkollës. Fatkeqësisht, kur e mora atje mungonin shumica e librave që kërkonte programi mësimor. Më duhej t’i gjeja për nxënësit. Ia thashë problemin Izetit.

– Më bëj listën nip, të tjerat m’i lerë mua, u përgjigj.

Nga këmbëngulja e tij dhe lidhjet me kushërinjtë Mushi në Tiranë (fisi i njohur intelektualësh konispolit), furnizimi i Librarisë së Konispolit bëhej jo nga Saranda si të tjerët, por direkt nga Ndërmarrja e Librit në qendër.

Kështu, fal tij, gjimnazit të Konispolit s’i mungoi kurrë asnjë libër artistik apo shkencor që i duhej nxënësit a mësuesit.

Vet Izeti lexonte shumë. Im bir Tanushi, më thoshte shpesh:

– O babi, asnjëherë nuk e shoh xhaxhi Izetin të rrijë kot në librari… Ose lexon, ose shkruan diçka. Sa i palodhur ai njeri!

Më kujtohet se një herë gjatë muajit të letërsisë e ftova në vitin e tretë gjimnaz në një bisedë për librin. Erdhi, foli për botimet e reja dhe vlerësoi autorët shqiptarë. Kur një nxënëse që lexonte shumë, i kërkoi një këshillë për sjelljen ndaj leximit, Izeti i mençur dhe i pasionuar i tha:

– Mos lexo me vrap, po me hap… Atë pjesë që e lexon, mos e kalo në stomak, po përtype mirë që të shkojë e të qëndrojë në mendje. Dhe mos harro se ai që lexon libra, flet me të gjitha kohët e vendet e botës.

  

Gjendet përherë një bletë për të ëmbëlsuat zemrën e helmuar

 

Izeti u lidh në një martesë fatlume me Luizën, vajzë me vlera e virtyte nga fisi fisnik i Kuramajve të Konispolit. Ajo solli dritë e lumturi jo vetëm për bashkëshortin, por dhe për nanë Dizen e gjithë familjen. E zgjuar, e sjellshme, me kulturë e intelekt të lindur.

Ajo e ëmbëlsoi me mjaltin njerëzor jetën e hidhur të kësaj familje fisnike të goditur e të mënjanuar nga diktatura e kohës moniste.

Lindën katër vajza si katër ylle. Ato janë Enerjeta, Majlinda, Ildishani dhe Arta. Bija të rralla të dy prindërve të veçantë. Me sjellje të hijshme, me kulturë e dije, me gëzim në sy, me mirëdashje në buzë.

Mes shoqesh në shkollë të shenjuara për rregullsi, studim, pastërti, sinqeritet e respekt pa cak.

Të tillë edhe fëmijët e tyre, të njëjtë si të parët dhe të sotmit e vet.   

Vajzat e Izetit e të Luizës janë në përputhje të plotë me thënien e mençur:

– Pema e shëndetshme frutat i rrit me shije e dritë…

 

Iku, por pas la gjurmë të bukura

 

Izet Jahaj (Izeti) iku nga kjo jetë më 16 nëntor të vitit 2010. Pas kësaj Konispolit i mungoi një qytetar i nderuar, i zgjuar dhe i kulturuar. Një mik i të gjithve.

Ai la pas gjurmë të bukura sjellje e diturie në jetën familjare e qytetare, ndaj do të kujtohet nga të afërmit e bashkëqytetarët me mall e respekt të vijueshëm…

 

                                                                           

Tiranë, 25 shtator 2023  


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Dështon “Fish Saranda Festival”, bizneset bojkotojnë aktivitetin – VIDEO
Rox bar në Sarandë kërkon Përgatitës për sandwich dhe hot dog
Pizza SAVOS në Sarandë kërkon të punësojë Picier. Punësim vjetor
Central Park Hotel në Ksamil kërkon të punësojë Sanitare
SPORT VISION ALBANIA kërkon Shitëse për dyqanin në Sarandë
Këshilli Bashkiak Sarandë miraton çmimet për çadrat në plazhe në Sarandë dhe Ksamil

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.