Ishujt e Ksamilit magjikë, po ku arrijnë njerëzit, arrijnë dhe plehrat që askush s’i heq

04/07/2018:02

Shperndaje:


Nga Alba Malltezi
Me not, apo me pedalo’, me varkë apo me parashutë cilido mund të prekë tre ishujt e rrallë të Ksamilit. Të çliruar nga ndërtesat abuzive të lokaleve që prej vitesh u merrnin frymën, sot janë të lirë, por liria për të paktën dy prej tyre është shndërruar në liri të disa individëve për të lënë plehra në to. Duket se në fillim sezoni privatët kujdesen shumë mirë për hapësirat e tyre, por kush ka për detyrë të kujdeset për hapësirat publike, as nuk e vret mendjen fare që puna të shkëlqejë. Kështu, nëse shkon në ishullin e parë më të afërt nga bregu, përplasja me qese me mbeturina, kanaçe redbulli, pepsi, birre, cocacola, patatina e çibukë, është takimi i parë. Një rrugëzë e vogël në këmbë mund të lejojë përshkimin e të vetmit ishull për të dalë në anën tjetër, por edhe këtu, era e rëndë dhe papastërtitë nuk të lejojnë. Rast unikal, kur mrekulli të tilla të natyrës të mbajnë era “sëmundje” në vend të aromës së mirë të pemëve e ujit kristal.

Ishulli i dytë më i afërt nga bregu nga larg “të merr në qafë”. Edhe këtu shihen mbetjet e lokaleve të dikurshëm, por zhgënjimi më i madh është kur afrohemi: plehrat e hedhura andej këndej as nuk të bëjnë të futesh e të qëndrosh nën freskinë e pemëve.

Ishulli i tretë, ose ishujt binjakë siç njihen, janë të mrekullueshëm. Edhe këtu janë të lëna qartazi mbeturinat e lokaleve që qenë. Mbeturina ka më pak, uji është kristal dhe pylli është shumë i dendur e i padepërtueshëm, por dallohen gjurmët e ndonjë ditëlindjeje apo fejese: petale sintetike kudo.

Të flasim ende në 2020 për plehra të hedhura pa kujdes e të qajmë hallin që dikush nuk e bën punën që ka për të bërë, nuk është gjë për t’u lavdëruar. Ishujt e Ksamilit janë të vegjël, të bukur, të prekshëm. Me siguri punonjës të gjelbërimit në qytetin e vogël ka dhe shteti, ashtu siç privatët i kanë lulëzuar e pastruar bahçet dhe ballkonët e tyre, duhet të tregojnë se kujdesen për këtë pasuri të rrallë. Të shohësh plehra kanaçesh e shishesh nga më të ndryshmet në ishujt që frekuentohen e arrihen nga kushdo, është shumë e trishtueshme. Shoqata, vullnetarë, nisma, nuk mund të jenë zgjidhja për një mjedis që ndotet sapo dikush mbyll sytë. Ndërsa në Tiranë sheh kudo punonjës të Pastrimit e të Gjelbërimit në krye të detyrës dhe në përkujdes të parqeve e lulishteve, në Jug, nuk sheh një për be. Ndaj papastërtia dhe përkujdesja e hapësirave publike çalon. Apo duhet që dikush gjithmonë të ulërasë: Bëni punën! Kini kujdes, gazetarët që ju shohin janë kudo. /Shqiptarja.com


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Bylis B me 10 lojtarë për 75 minuta mposht Butrintin në Sarandë
Butrinti pret Bylis B në Sarandë, duel mes dy skuadrave që e nisën sezonin me fitore
Ministri kërkon shkrirjen e zinxhirit drejtues të Policisë në Sarandë dhe ngritjen e një Task-Force
Vrau ish-partneren 25-vjeçare dhe plagosi veten për të sajuar një sulm
Delvina triumfon në Memaliaj, reagon pas humbjes në derbi
Vrasja në Sarandë, Policia: Po bëjmë kontrolle me dronë në Sarandë dhe Delvinë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.