IKMT aksion në Lukovë, Borsh dhe Piqeras, shemben disa objekte në bregdet
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndërhyrë sot në bregdetin e bashkisë Himarë, ku janë shembur disa objekte dhe struktura, sipas IKMT të ndërtuara pa leje.
Ndërhyrjet janë kryer në zonën e plazhit të Lukovës, Borshit dhe në Piqeras. Aksioni ka përfshirë prishjen e ndërtimeve të evidentuara si të paligjshme në këto zona.
Ende nuk është bërë i ditur numri i saktë i objekteve të shembura apo sipërfaqja e zënë prej tyre.
Ndërhyrja e sotme pason aksionet e zhvilluara gjatë muajve të verës në disa prej zonave turistike të jugut të vendit.
Në Himarë, Sarandë dhe Ksamil, ndërhyrjet e mëparshme kanë prekur ndërtime të ndryshme pa leje, mes tyre edhe struktura hotelerie dhe beach bare.
Për aksionin në Lukovë, Borsh dhe Piqeras priten hollësi të mëtejshme mbi objektet e prekura dhe vijimin e ndërhyrjeve në bregdet. Saranda Web