Gjykata Kushtetuese: Butrinti do të menaxhohet nga Fondacioni privat

24/04/2422:15

Shperndaje:

Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit për administrimin e parkut kombëtar të Butrintit duke lënë në fuqi marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin. 

Kushtetuesja rrëzoi pretendimet e deputeteve demokrate duke vënë në dukje se kjo marrëveshje nuk cënon as identitetin kombëtar dhe as trashëgiminë kulturore. 
Në vendimin e saj gjykata vlerëson se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.

Sipas gjykatës pavarësisht se menaxhimi i Butrintit do të realizohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, roli i shtetit mbetet parësor në raport me Parkun Kombetar të Butrintit. Por Gjykata Kushtetuese vlerëson se marrëveshja, në tërësinë e saj, ka krijuar mekanizma garantues dhe rendit tre pikat:

Së pari, Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përket shtetit;

Së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes;

Së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë.

Dy vite më parë qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe AADF, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje. Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë të drejtuar nga Sali Berisha i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkun Kombëtar të Butrintit. Gjykata Kushtetuese e regjistroi kërkesën e deputetëve opozitarë në 2022, ndërsa u zhvilluan disa seanca në janar, shkurt, korrik, tetor e nëntor 2023.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.