Gjykata e Sarandës e liroi K.J., avokati Rigels Dërvishi: Kush do t’ia kthejë dinjitetin atij dhe familjes?
Gjykata e Sarandës e liroi K.J., avokati Rigels Dërvishi: Kush do t’ia kthejë dinjitetin atij dhe familjes?
Avokati Rigels Dërvishi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, e cila, sipas tij, e konsideroi të paligjshëm arrestimin e K.J. dhe nuk caktoi masë sigurimi ndaj tij.

DEKLARATA E AVOKATIT:
Sot, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vendosi se arrestimi i shtetasit K.J. ishte i paligjshëm dhe nuk caktoi masë sigurimi ndaj tij. Ky vendim rrëzoi pretendimet e Prokurorisë, duke evidentuar mungesën e bazës ligjore për kufizimin e lirisë së tij.
Megjithatë, lind një pyetje që meriton përgjigje: Kush do t’ia kthejë dinjitetin K.J. dhe familjes së tij?
Për ditë me radhë, opinioni publik u njoh me një komunikatë zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas së cilës ai paraqitej si person i përfshirë në një çështje të lëndëve narkotike. Ky informacion u përhap gjerësisht, duke dëmtuar rëndë reputacionin e një të riu që, sipas materialeve të shqyrtuara nga gjykata, nuk rezultoi të kishte prova që ta lidhnin me veprën penale për të cilën u arrestua.
K.J. nuk u arrestua duke poseduar lëndë narkotike. Ai ndodhej në një automjet që u ndalua gjatë kontrollit të një karvani mjetesh dhe u implikua si bashkëpunëtor pa prova konkrete që të mbështesnin një dyshim të arsyeshëm ndaj tij. Pikërisht për këtë arsye, gjykata nuk legjitimoi arrestimin dhe nuk caktoi masë sigurimi.
Pas çdo vendimi të tillë nuk qëndron vetëm një dosje penale. Qëndron një njeri, një familje, prindër, të afërm dhe një reputacion i ndërtuar ndër vite. Dëmi moral dhe shoqëror që shkakton një arrestim i paligjshëm nuk fshihet lehtë, edhe kur drejtësia arrin ta korrigjojë atë.
Si avokat mbrojtës, që në momentin e parë i jam drejtuar Prokurorisë me kërkesë për rishikimin e menjëhershëm të arrestit dhe lirimin e K.J., duke argumentuar se mungonin provat që ta lidhnin me ngjarjen. Vendimi i sotëm i gjykatës konfirmoi se këto shqetësime ishin të bazuara.
Respektimi i prezumimit të pafajësisë nuk është një formalitet. Ai është një parim themelor i shtetit të së drejtës. Kur ky parim cenohet, nuk mjafton vetëm korrigjimi i gabimit nga gjykata. Shoqëria ka të drejtë të kërkojë përgjegjësi institucionale, ndërsa qytetari ka të drejtë të kërkojë rikthimin e dinjitetit dhe reputacionit të tij.
Drejtësia nuk matet vetëm me lirimin e një personi të pafajshëm. Ajo matet edhe me aftësinë e institucioneve për të mos cenuar padrejtësisht lirinë, emrin dhe dinjitetin e qytetarëve. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 15
03/08/2615:05
Suvenire nga Saranda
03/08/2615:05
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 5
03/08/2615:05
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 25
03/08/2615:05
Luani i Butrintit gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
03/08/2615:05