Freedom House: Demokracia në Shqipëri asnjë përmirësim, liria e medias e përkeqësuar

11/04/2421:31

Shperndaje:

Demokracia vijon të jetë e brishtë në vendin tonë, sipas “Freedom House”. Sipas raportit vjetor të publikuar nga kjo organizatë, Shqipëria mbetet një vend “pjesërisht i lirë” sa i takon vlerësimit të demokracisë, duke marrë vetëm 46 pikë nga 100 në total.

Raporti mat disa fusha të caktuara të shoqërisë, pëfshirë qeverisjen, procesin elektoral, shoqërinë civile, median e pavarur, korrupsionin, mjedisin ligjor dhe qeverisjen lokale.

Sipas raportit demokracia e Shqipërisë pësoi sfida të shumta në vitin 2023, veçanërisht gjatë zgjedhjeve lokale të majit, ku u konsolidua më shumë pozita dominuese e partisë në pushtet.

Shqipëria merr vetëm gjysmën e pikëve në matjen e qeverisjes në nivel kombëtar, procesit elektoral dhe funksionimit të shoqërisë civile.

“Shumë ish-ministra thuhet se po hetohen për korrupsion dhe abuzim me pushtetin dhe analistët vendas thonë se këto akuza nxitën ndryshimet në qeveri”,-thekson raporti.

Raporti vë theksin edhe në keqfunksionimin e parlamentit, sidomos tek dhuna e përdorur mes forcave politike.

“Funksionimi i parlamentit dhe nënkomisioneve të tij u përkeqësua në vitin 2023, me shumicën e seancave paraprake dhe nënkomisioneve që u përfshinë në përleshje të dhunshme midis fraksionit të Partisë Demokratike të Berishës dhe Partisë Socialiste. Kjo kulmoi në nëntor me deputetët e opozitës që ndezën bomba tymuese për të ndezur zjarre në mes të parlamentit me qëllim që të prishnin seancën”.

Megjithëse ështe kusht për anëtarësimin në BE, raporti evidenton se qeveria dhe parlamenti kanë anashkaluar shoqërisë civile në diskutime dhe dialogje, duke mos marrë në konsiderate propozimet apo shqetësimet e tyre.

“Në vitin 2023, qeveria propozoi më shumë politika dhe parlamenti miratoi më shumë ligje duke mos u konsultuar me OJQ-të dhe grupet e interesit. Si parakusht për anëtarësimin në BE, Shqipëria kishte kërkesa ligjore që OJQ-të të konsultoheshin për ndryshimet e politikave dhe të merreshin parasysh pikëpamjet dhe shqetësimet e tyre. Megjithatë, qeveria dhe parlamenti nuk kanë arritur të angazhohen në një dialog konstruktiv me sektorin e shoqërisë civile, duke demonstruar se kërkesat për përfshirjen dhe fuqizimin e OJQ-ve në konsultimin e politikave mbeten një premtim bosh”.

Tjetër rast i zvogëlimit të hapësirës së shoqërisë civile mbetet edhe ai i Akademisë së Shkencave.

“… Disa organizata të shoqërisë civile kundërshtuan ndryshimet në kuadrin ligjor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2023, me arsyetimin se ndryshimet do të politizonin më tej institucionin dhe do të minonin lirinë akademike. Më vonë doli në dritë se kreu aktual i Akademisë i kishte shkruar vetë ndryshimet për përfitimin e tij personal. Megjithatë, parlamenti miratoi ndryshimet dhe presidenti i nënshkroi ato në ligj”,- thekson raporti.

Media

Raporti rithekson se pronësia e medias vijon të mbetet e përqëndruar midis disa pronarëve kryesorë, sikurse “Top Media” “Klan”  G2 Media’, Hysenbelliu dhe Carlo Bollino.

“Përqendrimi i pronësisë së medias në Shqipëri është bërë i mundur nga mungesa e transparencës në ligjet dhe politikat e pronësisë së medias, veçanërisht për mënyrën se si financohet media”,-thekson raporti.

Ndërsa kjo gjë ndikon në autocensurë të gazetarëve.

“Ndërhyrja politike dhe biznesi i shtyn gazetarët të përfshihen në autocensurë. Gjatë zgjedhjeve lokale, pati disa raste të ndërhyrjes në autonomisë editoriale, duke i lënë gazetarët të prekshëm ndaj presionit nga pronarët e mediave dhe politikanët për të informuar publikun”.

Raporit nënvizon një sërë rastesh kur gazetarët janë sulmuar apo kërcënuar.

“…duke përfshirë Elvis Hilën, Afrovita Hysaj dhe Elton Qyno, që nxorën në pah një mjedis të përkeqësuar për sigurinë e gazetarëve. Në një rast tjetër të dukshëm, reporterja e Balkan Insight, Ola Xama, u sulmua verbalisht nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe iu referua si “një vrasëse me pagesë” pas publikimit të një artikulli në lidhje me hetimet për korrupsion në një kontratë prokurimi për inceneratorin e mbetjeve në Tiranë”,-nënvizon raporti.

Ndërsa nuk mbeten pa përmendur edhe raste të kërcënimeve ligjore, sikurse padia për shpifje e kryebashkiakut Veliaj ndaj emisionit “Piranjat” për shkak të rolit të tij në lidhje me inceneratorin. Njëjtë edhe ish-kryeministri Berisha, ndaj BIRN, për shkak të raportimit se ish-kryeministri po keqinformonte publikun për arsyet, për të cilat u sanksionua nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Qeverisja vendore

Edhe për qeverisjen lokale Shqipëria merr 4.5 nga 7 pikë në total. “Debate të përqëndruara te liderët politikë kombëtare se sa për çështjet lokale” është përkufizimi i zgjedhjeve lokale të mbajtura në vitin 2021.

Sipas raportit modeli i qeverisjes vendore ka të meta, pasi bashkitë e vendit kanë shumë pak kapacitete të zhvillojnë politikat e tyre.

“…Për shembull, vetëm 12 nga 61 bashkitë kanë caktuar drejtori mjedisore, pavarësisht sfidave të rënda që sjell ndryshimi klimatik global. Organizata “Instituti për Bashkitë Shqiptare” publikoi një raport të rëndësishëm në vitin 2023 duke bërë thirrje për një grup të ri reformash për t’i bërë qeverisjet vendore më demokratike dhe transparente, pasi vetëm 29 nga 61 bashki kanë një program adekuat transparence në lidhje me proceset e tyre vendimmarrës”.

Korniza gjyqësore

Sipas raportit, SPAK ka treguar shifra pozitive të nisjes së hetimeve për zyrtarë kryesorë publikë dhe rrjetin e krimit të organizuar.

Megjithatë, “agjencitë e zbatimit të ligjit nuk janë ende në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe janë nën ndikimin e politikanëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar, siç vërehet në shumë raste gjatë vitit 2023”.

Raporit thekson mes të tjerash nevojën për të tërhequr rekrutë të rinj.

“Që nga reforma e vitit 2017, sistemi gjyqësor nuk ka arritur të tërheqë rekrutë të rinj dhe është në prag të kolapsit. Ndërsa magjistratët e rinj do të diplomohen në vitin 2023, numri i mundshëm është i pamjaftueshëm për të drejtuar sistemin me kapacitet të plotë edhe për pesë vjet të tjera, duke gërryer më tej besimin e publikut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.,

Korrupsioni

Nivelin më të ulët të pikëve, 3 nga 7 në total Shqipëria e merr te matja e korrupsionit, duke përfshirë këtu raste të rëndësishme sikurse inceneratorët.

“Kontratat e prokurimit publik për ndërtimin dhe funksionimin e inceneratorëve të mbetjeve për qytetet e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit janë kthyer në një çështje politike të diskutueshme në Shqipëri në vitin 2023, pasi hetimet e SPAK zbuluan se kontratat u ishin dhënë kompanive pa përvojë paraprake në menaxhimin e mbetjeve, por me lidhje të ngushta me zyrtarë të lartë të qeverisë”.

Nuk mbetet pa përmendur edhe çështja e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, në kohën kur në krye të shëndetësisë ishte Ilir Beqaj.

“Në gusht, SPAK akuzoi ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj dhe tre zyrtarë të tjerë për korrupsion për rregullimin e procesit të tenderit për një kontratë të prokurimit publik prej 110 milionë dollarësh për blerjen dhe sterilizimin e pajisjeve mjekësore të dhënë në vitin 2015. SPAK akuzoi gjithashtu ish-ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqaj, në nëntor për rolin që luajti si ministër në gjoja manipulimin e kontratës”.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Policia e Sarandës kap sot një 17-vjeçar duke drejtuar automjet pa Leje Drejtimi
Policia kontroll fizik një 17-vjeçari në Sarandë, i gjendet një thikë dhe kanabis
Qendra Estetike Doctor Fish Sarandë kërkon parukier/e me eksperiencë për bashkëpunim
Një 16-vjeçar kapet nga Policia duke drejtuar një automjet
MEMALIAJ – BUTRINTI 0-3 / LIVE NË SARANDA WEB
Rezultatet e Zgjedhjeve për Kryetarin e ri të MEGA për çdo qendër

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.