Finiq, i vjedhin të moshuarës 6,800 euro që i kishte kursyer për një operacion.
Një banesë në fshatin Finiq është vjedhur mbrëmjen e 31 tetorit. Sipas denoncimit të Eleni Anastasit, nga shtëpia e saj janë marrë 6 800 euro, varëse, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. E moshuara tregon se vjedhja ka ndodhur rreth orës 18:00–18:30, gjatë kohës kur ajo kishte shkuar për vizitë te të afërmit, të cilët banojnë jo shumë larg shtëpisë së saj.
Kur është kthyer në banesë, ajo ka konstatuar se dyert ishin të shqyera, ndërsa autorët e kishin kthyer shtëpinë përmbys.
Sipas denoncimit të saj, autorët kanë vjedhur edhe shumën prej 6 800 eurosh, të cilën ajo e kishte kursyer për një operacion që do të kryente, së bashku me bizhuteritë dhe sendet e tjera me vlerë.
Pas konstatimit të vjedhjes, Eleni Anastasi ka njoftuar policinë, të cilët kanë shkuar në vendngjarje pas njoftimit të saj.
Pavarësisht mbërritjes së policisë në banesë, deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar për këtë ngjarje. Saranda Web