Familjarët në alarm për zhdukjen e një personi nga Saranda, humb kontaktet gjatë udhëtimit drejt Greqisë
Familjarët e një personi nga Saranda kanë ngritur shqetësimin për zhdukjen e tij, pasi prej ditës së djeshme nuk kanë asnjë informacion mbi vendndodhjen apo gjendjen e tij.

Në një mesazh drejtuar redaksisë së Saranda Web, një familjare kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Koço Zhakës, i cili, sipas saj, është nisur dje nga Saranda në drejtim të Greqisë.
Sipas familjarëve, ai udhëtonte me një automjet Volkswagen Amarok, me targa greke EMX 2461, por dyshohet se nuk ka arritur të kalojë pikën kufitare.
Të shqetësuar nga mungesa e kontaktit, familjarët janë drejtuar edhe në polici, por deri më tani, sipas tyre, nuk kanë marrë asnjë informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij.
Familjarët shprehin shqetësimin se gjatë udhëtimit mund t’i ketë ndodhur diçka dhe kërkojnë ndihmën e kujtdo që mund ta ketë parë atë ose automjetin me të cilin udhëtonte.
Saranda Web u bën thirrje qytetarëve që kanë informacion për Koço Zhakën apo automjetin Volkswagen Amarok me targa EMX 2461, të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 129.