Deputeti fshehu pasuritë që ka në Sarandë, kërkohet arrestimi i tij

Në muajin Tetor 2018, Partia Demokratike denoncoi deputetin e Partisë Socialiste Ervin Bushati për fshehje të pasurisë dhe mosjustifikimit ligjërisht të pasurisë. PD deklaroi se deputeti Ervin Bushati ka fshehur të paktën 7 pasurive të paluajtshme, ku përfshihen: 1. Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall në Tiranë. 2. Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall në Tiranë. 3. Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall po në Tiranë. 4. Një ndërtesë me sipërfaqe 76 m2 në Qerret Kavajë. 5. Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall në Qerret, Kavajë. 6. Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall në Sarandë. 7. Një garazh me sipërfaqe secila 42 m2 në Sarandë.

Por PD nuk është mjaftuar vetëm me denoncimin publik. Duke qenë se prokuroria nuk nisi hetimet kryesisht, PD depozitoi në prokurori Kallëzim Penal kundër Ervin Bushatit për fshehjen e pasurisë dhe falsifikimin e Deklaratës së Pasurisë, duke e akuzuar për kryerjen e dy veprave penale: “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 190 dhe 257/a i Kodit Penal.

Vetëm disa ditë pas depozitimit të Kallëzimit Penal, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 25.10.2018, vendosi “mosfillimin e procedimit penal”.
Duke mos qenë dakord me vendimin e prokurorisë, që refuzonte të hetonte paligjshëmrinë e pasurisë së një deputeti të mazhorancës, Partia Demokratike e ankimoi vendimin në Gjykatë.
Më datë 20 Janar 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranoi ankimin e PD, duke rrëzuar Prokuorinë e Tiranës dhe duke e detyruar këtë të fundit të nis menjëherë procedim penal ndaj deputetit Ervin Bushati për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Prokuroria e Tiranës e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke këmbëngul që të mos e hetojë Ervin Bushatin.
Gjykata e Apelit, më 13 Mars 2019, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke vulosur kështu përfundimisht rrëzimin e prokurorisë dhe detyrimin e saj që të procedojë penalisht deputetin e PS Ervin Bushati.
Pas këtij vendimi të formës së prerë, organi i prokurorisë është ligjërisht i detyruar që të procedoi penal deputetin Ervin Bushati, për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Mbetet për t’u parë rezultati i hetimit dhe nëse deputeti i mazhorancës do të dënohet apo jo penalisht për fshehjen e pasurisë. 360grade.al