DEA | FOCUS CineKO në Sarandë – Tre net me kinematografinë shqiptare përtej kufijve

19/09/269:34

Shperndaje:

DEA | FOCUS CineKO në Sarandë – Tre net me kinematografinë shqiptare përtej kufijve

DEA | FOCUS CineKO vjen në Sarandë nga 18 deri më 20 shtator, duke e shndërruar shëtitoren e qytetit në një kinema të hapur buzë detit. Për tri mbrëmje radhazi, publiku do të ketë mundësi të ndjekë filma shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe bashkëprodhime kinematografike nga rajoni.

 

 

Shfaqjet e DEA | FOCUS CineKO Sarandë nisin çdo mbrëmje në orën 20:30, ndërsa filmat janë në gjuhën shqipe dhe të titruar në anglisht, duke u dhënë mundësi edhe turistëve të huaj që ndodhen në Sarandë të bëhen pjesë e aktivitetit.

 

Nën moton “Kinematografia shqiptare përtej kufijve”, programi sjell këtë vit në Sarandë seksionin CineKO, me fokus krijimtarinë filmike shqiptare që zhvillohet jashtë kufijve të Shqipërisë.

Drejtuesi i DEA OPEN AIR, Edmond Topi, shprehet se këtë vit është zgjedhur një formulë ndryshe, duke marrë parasysh edhe numrin e madh të turistëve të huaj dhe shqiptarëve të diasporës që vizitojnë Sarandën.

 

“Është i treti vit që e bëjmë në Sarandë. Sivjet kemi zgjedhur një formulë disi tjetër. Duke qenë se Saranda ka shumë të huaj dhe shumë shqiptarë nga diaspora, kemi zgjedhur të prezantojmë kinemanë e Kosovës, ose kinemanë jashtë kufijve”, shprehet Topi.

 

DEA | FOCUS CineKO Sarandë, tre filma në tre mbrëmje

 

Programi nisi më 18 shtator me filmin “Karma”, me regji të Esat Fejzës. Prodhimi i Kosovës i vitit 2026 hapi tri netët e kinemasë në shëtitoren e Sarandës.

Mbrëmjen e 19 shtatorit, në orën 20:30, programi vijon me filmin “Krejt e thirrin Rexhon”, me regji të Ibër Dearit. Prodhimi i vitit 2025 nga Maqedonia e Veriut ka një kohëzgjatje prej 126 minutash.

 

20 shtator, DEA | FOCUS CineKO përmbyllet në Sarandë me filmin “Cirku fluturues”, me regji të Fatos Berishës. Filmi është një bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i realizuar në vitin 2019.

“Cirku fluturues” ka një lidhje të veçantë me DEA OPEN AIR, pasi është fitues i Kupës DEA për filmin më të mirë të metrazhit të gjatë në edicionin e vitit 2020.

Sipas Edmond Topit, edhe përzgjedhja e filmave është përshtatur me atmosferën që ofron shëtitorja e Sarandës.

 

“Janë filma të këndshëm, nuk janë filma dramatikë, ashtu siç i rri këtij ambienti të mrekullueshëm në shëtitoren e Sarandës. Besoj se kemi një zgjedhje shumë të mirë për një mbrëmje të këndshme kinemaje në Sarandë”, thotë ai.

 

Filmat në shqip dhe me titra në anglisht

 

Prania e turistëve të huaj në Sarandë edhe gjatë shtatorit ka bërë që organizatorët të mendojnë edhe për publikun ndërkombëtar. Të tre filmat shfaqen në gjuhën shqipe, por janë të titruar në anglisht.

“Filmat janë në gjuhën shqipe, por janë edhe të titruar në anglisht, sepse Saranda është një qytet që ka më shumë gjuhë të huaja sesa shqip. Besoj se edhe të huajt do të jenë të pranishëm për të parë një kinema shumë cilësore të prodhuar në Kosovë”, shprehet Topi.

 

Pjesë e këtij edicioni është edhe Valina Muçolli nga Kosova, e ftuar në festival dhe koordinatore e programit të filmave të Kosovës.

“Në Sarandë gjithmonë kam qenë me pushime, por këtë vit, si e ftuar në festival dhe koordinatore e programit të filmave të Kosovës, është emocion shumë i veçantë. Presim pjesëmarrjen e publikut, që të bëhemi bashkë me publikun e Sarandës dhe t’i shijojmë këta filma të bukur”, shprehet Muçolli.

 

Saranda, kinema e hapur buzë Jonit

 

DEA | FOCUS CineKO në Sarandë synon të promovojë një kinematografi shqiptare që zhvillohet në disa shtete, por bashkohet përmes gjuhës, kulturës dhe bashkëpunimit mes kineastëve shqiptarë.

 

Për tri net, nga 18 deri më 20 shtator, shëtitorja e Sarandës bëhet pikëtakimi mes filmit dhe publikut, duke ofruar një tjetër përvojë kulturore për qytetarët dhe turistët që vazhdojnë të vizitojnë qytetin edhe në shtator.

 

Në një ekran të hapur, vetëm pak metra larg detit, DEA | FOCUS CineKO Sarandë sjell kinematografinë shqiptare përtej kufijve në një prej hapësirave më të frekuentuara të qytetit. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

DEA | FOCUS CineKO në Sarandë – Tre net me kinematografinë shqiptare përtej kufijve
Butrinti pret Bylis B në Sarandë, duel mes dy skuadrave që e nisën sezonin me fitore
Grand Hotel Sarandë kërkon Recepsionist/e për Turnin e Dytë dhe të Tretë
Aksident tragjik në Athinë, humbin jetën tre shqiptarë dhe plagosen dy 18-vjeçarë
Shpallet tenderi 1.4 milionë euro, 285 parkime të reja parashikohen në Ksamil
Klienti qethej kur u godit me thikë: Publikohen pamjet e plagosjes në Sarandë – VIDEO

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.