Çmime tavan për çadrat në plazhe dhe masa ndëshkuese, qeveria vendos rregulla të reja

28/01/2619:59

Shperndaje:

Qeveria vendos rregulla të reja: çmime tavan për çadrat në plazhe dhe masa ndëshkuese

 

Pas alarmit të Kryeministrit Edi Rama për rritjen abuzive të çmimeve gjatë sezonit turistik në jug të vendit, qeveria ka vendosur të ndërhyjë për të frenuar tarifat e larta në plazhe. Nga ky sezon, nuk do të jenë më subjektet private që vendosin çmimet sipas dëshirës, por bashkitë, të cilat do të përcaktojnë çmimet maksimale për çadrat dhe shezlongët.

 

 

Përmes një vendimi të ri, Këshillat Bashkiakë marrin kompetencën të miratojnë, përpara nisjes së sezonit turistik, çmimet tavan për çdo zonë bregdetare. Tarifat do të jenë të diferencuara sipas vendndodhjes dhe standardit të shërbimit, duke shmangur vendosjen arbitrare të çmimeve nga operatorët privatë.

 

Në rastet kur bashkitë nuk miratojnë vendime specifike, do të zbatohen kontratat ekzistuese mes pushtetit vendor dhe subjekteve private, me çmimet maksimale të parashikuara në to. Çdo tejkalim i këtyre kufijve do të konsiderohet shkelje e rëndë dhe do të shoqërohet me gjoba, si dhe me humbjen e menjëhershme të së drejtës për të menaxhuar stacionet e plazhit.

Paralelisht, bashkitë do të krijojnë zona publike me pagesë të kontrolluar, me synim garantimin e aksesit të përballueshëm për pushuesit. Në plazhet publike të administruara nga vetë bashkitë ndalohet delegimi i menaxhimit tek subjektet private.

 

Vendimi parashikon gjithashtu që bashkitë të publikojnë plane të detajuara për nivelin e lejuar të zhurmave në çdo zonë bregdetare përpara nisjes së sezonit, kufij që do të jenë të detyrueshëm për të gjithë operatorët.

 

Ndërkohë, për plazhin e Ksamilit, pas paralajmërimeve të Kryeministrit Rama vitin e kaluar, Bashkia Sarandë po harton një projekt për menaxhim të përbashkët mes pushtetit vendor dhe bizneseve, me synim rregullimin e çmimeve dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Çmime tavan për çadrat në plazhe dhe masa ndëshkuese, qeveria vendos rregulla të reja
Shqiptarët ikin, qeveria negocion për punëtorë nga Indonezia / Alarm për mbrojtjen, kushtet e punës dhe mashtrimet
Ashpërsohet dënimi për zjarret dhe ndërtimet pa leje. 1 vit burg për parkimin dysh
Me vendim të shpallur në rrjetet sociale, monopatinat ende të bllokuara dhe pa rregullore
Banori i fshatit Çiflik denoncon cilësinë e dobët të punimeve për ujësjellësin – VIDEO
Jepet me qira ambient në Ksamil, i përshtatshëm për magazinë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.