Bukë, një gotë ujë dhe vaj ulliri – Nisma që synon ta bëjë mikpritjen shqiptare simbol të turizmit

10/07/2611:31

Shperndaje:

Bukë, një gotë ujë dhe vaj ulliri – Nisma që synon ta bëjë mikpritjen shqiptare simbol të turizmit.  Mes peizazhit të mrekullueshëm të fshatit bregdetar të Piqerasit u zhvillua një takim i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, ku përfaqësues të institucioneve, sipërmarrës të turizmit dhe operatorë të sektorit diskutuan mbi rëndësinë e mikpritjes shqiptare dhe rolin e saj në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

 

 

Në qendër të aktivitetit ishte nisma “Bukë, Kripë dhe Zemër”, e cila synon të rikthejë në vëmendje një nga traditat më të bukura shqiptare të mirëseardhjes. Nisma propozon që restorantet, bujtinat dhe bizneset e turizmit t’i mirëpresin vizitorët me një copë bukë, një gotë ujë dhe, sipas mundësive, edhe vaj ulliri, si simbol i respektit, bujarisë dhe mikpritjes shqiptare.

 

 

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme, duke theksuar se suksesi i një destinacioni turistik nuk matet vetëm me numrin e vizitorëve, por edhe me cilësinë e shërbimit, mikpritjen dhe ruajtjen e traditave lokale. Sipas tij, Himara mbetet një destinacion ku gastronomia, kultura dhe mikpritja janë pjesë e identitetit dhe një ndër arsyet kryesore që tërheqin turistë vendas dhe të huaj.

 

 

Kryetari i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, Kujtim Dervishi, u shpreh se nisma nuk krijon një traditë të re, por rikthen në vëmendje një zakon të hershëm shqiptar, me synimin që çdo turist të ndihet i mirëpritur si në një shtëpi shqiptare.

 

 

Gjatë aktivitetit foli edhe Migena Vallja, përfaqësuesja e bujtinës mikpritëse Panorama në Piqeras, e cila e cilësoi organizimin e këtij eventi një vlerësim të veçantë për familjen e saj. Ajo tregoi se bujtina feston këtë vit 10-vjetorin e aktivitetit dhe se mikpritja ka qenë gjithmonë pjesë e traditës dhe punës së përditshme të familjes.

 

 

Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, e cilësoi nismën një hap të rëndësishëm për forcimin e imazhit të Shqipërisë si një vend mikpritës. Ai u bëri thirrje restoranteve, bujtinave dhe bizneseve të shërbimit që t’i mirëpresin turistët me bukë, një gotë ujë dhe vaj ulliri falas, si një gjest simbolik që përfaqëson bujarinë dhe traditën shqiptare.

 

 

Ndërkohë, ish-kryetari i Forumit Ekonomik Mbarëkombëtar, Nagip Fejzi, theksoi rëndësinë e përdorimit të produkteve shqiptare në restorante, bujtina dhe resorte, duke vlerësuar se promovimi i prodhimeve vendase forcon ekonominë dhe i jep turizmit shqiptar një identitet më autentik.

 

 

Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje dhe medalje për bujtinën mikpritëse në Piqeras, në vlerësim të kontributit të saj në promovimin e mikpritjes tradicionale shqiptare dhe zhvillimin e turizmit. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

FENIX Apart-Hotel në Sarandë kërkon të punësojë Recepsioniste
Bukë, një gotë ujë dhe vaj ulliri – Nisma që synon ta bëjë mikpritjen shqiptare simbol të turizmit
Policia e shqetësuar: Protestuesit sulmojnë me review negative bizneset
VIBE 360 në Sarandë kërkon Ndihmëse për mëngjeset dhe Sanitare
Ujërat e zeza derdhen në Shëtitore pranë plazhit publik në Sarandë
BUZË Hotel në Sarandë kërkon Recepsionist dhe Pjatalarëse

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.