Borsh/ Banorët e Qazim Pali sërish në protestë: “Pronat i kemi me ligj, por na i rrëmbejnë”

23/02/2613:04

Shperndaje:

Borsh/ Banorët e Qazim Pali sërish në protestë: “Pronat i kemi me ligj, por na i rrëmbejnë”

Banorët e fshatit Qazim Pali në Borsh kanë dalë sërish në protestë, duke kundërshtuar bllokimin e çertifikatave të pronësisë për rreth 100 hektarë tokë që ata thonë se e kanë përfituar ligjërisht sipas ligjit nr. 7501.

 

 

Sipas banorëve, prej afro një viti Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka pezulluar çertifikatat, duke i lënë në pasiguri të plotë për pronat e tyre. Ata theksojnë se kjo nuk është hera e parë që protestojnë. Më herët kanë zhvilluar protesta si në Borsh, ashtu edhe pranë zyrave të ASHK-së në Tiranë dhe në Sarandë, por, sipas tyre, ende nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete.

 

“I kthyem moçalet në tokë buke”

 

Banorët rrëfejnë se zona ku sot ndodhen tokat ka qenë moçalishte, të cilën e kanë kthyer ndër vite në tokë bujqësore me punën dhe sakrificën e tyre.

Në vitin 2020, përmes një ceremonie zyrtare, atyre iu dorëzuan çertifikatat e pronësisë, duke iu njohur zyrtarisht e drejta mbi këto parcela. Por aktualisht, sipas tyre, këto çertifikata janë të bllokuara dhe ata nuk mund t’i shesin, t’i zhvillojnë apo as t’i përdorin lirisht.

 

Sipas informacionit të bërë publik nga protestuesit, bllokimi është bërë me pretendimin për mbivendosje me prona të pretenduara nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Banorët e kundërshtojnë këtë argument, duke e cilësuar të pabazë dhe duke theksuar se institucionet nuk kanë paraqitur një zgjidhje përfundimtare apo transparente.

Ata shprehen se prej një viti jetojnë në pasiguri juridike, ndërsa tokat e tyre mbeten të ngrira administrativisht.

 

Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat derisa t’u zhbllokohen çertifikatat dhe t’u garantohet e drejta e pronës. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke e konsideruar situatën si një padrejtësi të zgjatur dhe të pajustifikuar.

Çështja e pronësisë në zonat bregdetare mbetet një nga temat më të ndjeshme për komunitetin, ndërsa banorët e Qazim Pali thonë se nuk do të tërhiqen pa marrë një përgjigje përfundimtare për tokat që, sipas tyre, i kanë fituar me ligj dhe me djersën e tyre.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Market & Bakery PRODA në Metoq kërkon të punësojë KASIERE
Të arrestuarit marrin peng policin në Sarandë, AMP nis hetimet – pezullohen 3 punonjës
Denoncimi tronditës: Të arrestuarit morën peng efektivin brenda Komisariatit të Sarandës
U arrestuan si shpërndarës, Gjykata lë 15 persona në burg dhe 5 në “arrest shtëpie”
Prokuroria kërkon masat për 20 të arrestuarit si shpërndarës në Shëtitoren e Sarandës dhe Ksamil
Lirohen sot nga qelitë e paraburgimit 13 doganierët grekë të Mavromatit

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.