BIRN: Qeveria devijoi nga rekomandimet e ekspertëve për tkurrjen e Zonave të Mbrojtura

18/11/2421:18

Shperndaje:

BIRN: Qeveria devijoi nga rekomandimet e ekspertëve për tkurrjen e Zonave të Mbrojtura

 

Qeveria shqiptare nuk i mori parasysh sugjerimet e ekspertëve mjedisorë të kontraktuar prej saj për të kryer një studim për Zonat e Mbrojtura, duke marrë vendime për zvogëlimin e këtyre zonave, kryesisht të atyre me statusin ‘Parqe Kombëtare’.

 

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, AOS, njoftoi të hënën se në seancën gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit, ku 11 organizata kanë kërkuar shfuqizimin e dy vendimeve të qeverisë për zvogëlimin e sipërfaqeve të Zonave të Mbrojtura, doli në pah fakti se ‘qeveria i ka shpërfillur rekomandimet e ekspertëve’.

“Vendimet e qeverisë kanë shpërfillur rekomandimet e ekspertëve të tyre dhe se reduktimi është kryer për t’i hapur rrugë HEC-eve, zonave urbane e turistike, ndërtimit të infrastrukturës përfshirë autostradat, linjat e tensionit të lartë, përdorim intensiv të burimeve natyrore etj,” deklaroi AOS pas seancës.

 

Gent Kromidha, njëri prej ekspertëve që dëshmoi në seancë, i pyetur nga BIRN, dha një version më të zbutur për kontradiktën mes studimit të ekspertëve dhe vendimmarrjes së qeverisë.

“Përgjithësisht rekomandimet tona janë marrë parasysh, por rast pas rasti ka edhe devijime apo ndryshime nga propozimet e dhëna në studim,” tha Kromidha.

Eksperti nuk dha një përcaktim se sa thelbësore ishin këto devijime. “Për shembull në Divjakë nuk besoj se janë thelbësore, por për të tjerat nuk di të them, pasi duhen konfrontuar propozimet tona me ato që janë miratuar nga qeveria,” shtoi ai.

 

Sipas Kromidhës, studimi i kryer në vitin 2019 dhe procesi i shpalljes/ndryshimit të zonave të mbrojtura në vitet 2020 dhe 2022 ishin dy procese të ndara.  Gjithsesi, ai pranon se “studimi ka shërbyer si bazë për procesin e ndryshimit të ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.

 

Ekspertët e organizatave mjedisore i kanë sfiduar këto ndryshime në gjykatë, ku kërkojnë shfuqizim të pjesshëm të vendimeve për ndryshimin e zonave të mbrojtura. Sipas tyre, ndryshimet kanë qenë thelbësore dhe shumë të ndryshme nga ajo që është sugjeruar nëpërmjet studimit të kryer.

“Ne kërkojmë shfuqizimin e këtyre vendimeve pasi janë hequr sipërfaqe më të mëdha se sugjerimet e studimit, siç është rasti i parkut Lurë-Mali i Dejës, ku është hequr 2800 hektarë nga 857 hektarë që ishte sugjeruar,” i tha BIRN përfaqësuesi i AOS, Kristi Bashmili.

 

Po ashtu, AOS, këmbëngul se studimi i eskpertëve i sugjeronte qeverisë që çdo reduktim i territorit të një zone të mbrojtur të paraprihej nga studime të detajuara 2-5 vjeçare për evidentimin e vlerave të zonës së propozuar për heqje nga rrjeti.

 

“Qeveria nuk i kreu kurrë studimet e rekomanduara nga ekspertët e saj përpara vendimmarrjes së KKT-së në dhjetor 2020 dhe vendimet e Këshillit të Ministrave në janar 2022,” thuhet në reagimin e organizatës.

Kromidha e quan keqinterpretim këtë qëndrim të AOS, duke sqaruar se rekomandimi për studime të mëtejshme lidhej me zona të mbrojtura ekzistuese, të cilat sipas tij, e kanë humbur funksionin dhe duhet të hiqen tërësisht nga sistemi kombëtar i zonave të mbrojtura dhe organizatat mbrojtëse duhet të sillnin studime në favor të ruajtjes së tyre.

 

”Nuk ia vlen të merremi kaq gjatë me çfarë kemi hequr në terma të sipërfaqes…,” thotë ai duke iu referuar dëshmisë së dhënë në gjykatë, “por duhet të shqetësohemi për efektivitetin dhe rezultatet konkrete nga menaxhimini i ZM-ve për ruajtjen e habitateve dhe llojeve”.

 

“Nuk kemi nevojë për parqe të mëdha në letër, por për ruajtje dhe menaxhim efektiv te zonave me vlera të larta natyrore,” shtoi Kromidha.

 

Në nëntor 2023, Gjykata Administrative e Apelit pranoi të legjitimojë 11 organizata të shoqërisë civile, të njohura për aktivitetin e tyre pro mjedisit, për të kundërshtuar vendimet që çuan në zvogëlimin e sipërfaqeve dhe uljen e statusit të disa prej Zonave të Mbrojtura.

 

Këto organizata kundërshtojnë VKM-në nr.59 të datës 26.01.2022, “Për Miratimin e Ndryshimit të Statusit dhe Sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore të Parkut Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore dhe të VKM-në nr.60 të datës 26.1.2022, “Për Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore të Parkut të Menaxhuar/Natyral (Kategoria IV)”.

 

Shqetësimi i tyre lidhet kryesisht me zvogëlimin e sipërfaqeve të parqeve kombëtare të Butrintit, Divjakës, Dajtit, Qaftshtamës, Zall Gjoçaj, Shebenikut, si edhe rrezikimin e parqeve natyrore të Korab Koritnik, Bredhi i Kardhiqit, Karaburun, Kune-Vain Tale, Patok-Fushëkuqe, Ishim, dhe Liqeni i Shkodrës.

 

Sipas aktivistëve mjedisorëve, heqja e statusit të zonës së mbrojtur apo zvogëlimi i sipërfaqes së tyre mund t’i hapte terren investimeve të mundshme apo abuzimeve të natyrave të tjera në këto zona.

Publikuar në REPORTER.AL


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Komisariatet e Policisë Sarandë dhe Delvinë me drejtues të rinj – EMRAT
ROSSMANN & LALA po kërkon një Punonjëse Dyqani – KASIERE
Zgjatimi i shëtitores së Sarandës deri tek kanali i Çukës premtim i pambajtur
I dënuar me 21 vite burg në Itali për trafik, sekuestrohen pasuritë e një personi në Delvinë
ABZHR lajm të mirë për 699 fermerë nga Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi
Tifozët e Butrintit apelojnë: Shpëtoni Onuh, ai është pjesë e Familjes tonë!

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.