Banorët e Delvinës protestë të hënën në Sarandë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak

28/08/2611:27

Shperndaje:

Banorët e Delvinës protestë të hënën në Sarandë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak

Banorët e Delvinës dhe përfaqësues të linjës Delvinë–Sarandë paralajmërojnë një tjetër protestë ditën e hënë, pikërisht në ditën kur do të zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak Sarandë. Protestuesit pritet të mblidhen përpara Bashkisë Sarandë dhe më pas në ambjentet ku do të zhvillohet mbledhja, ndërsa kërkesa kryesore mbetet lejimi i mjeteve të linjës Delvinë–Sarandë për të hyrë sërish në qytet, pa qenë të detyruara që udhëtimin ta përfundojnë në Terminal.

 

 

Ata kërkojnë gjithashtu që, për shkak të afërsisë mes dy qyteteve dhe lëvizjes së përditshme të banorëve, linja Delvinë–Sarandë të trajtohet me një model të ngjashëm me linjat Vorë–Tiranë dhe Kamëz–Tiranë.

 

Protesta është paralajmëruar në të njëjtën ditë kur Këshilli Bashkiak Sarandë, në mbledhjen që pritet të nisë në orën 12:00, do të ketë në rendin e diskutimeve edhe “Analizën për transportin publik në periudhën Janar–Shtator 2026”.

 

Duke shfrytëzuar këtë diskutim, shoferët dhe operatorët e linjës Sarandë–Delvinë u janë drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak me një kërkesë që situata e kësaj linje të shqyrtohet në mënyrë të veçantë. Sipas tyre, kjo linjë nuk duhet parë vetëm si aktivitet ekonomik, pasi përdoret çdo ditë nga qytetarë që udhëtojnë drejt Sarandës për punë, shkollë, shërbime shëndetësore, institucione dhe nevoja të tjera.

 

Sipas operatorëve, një qytetar që udhëton nga Delvina tashmë duhet të zbresë në Terminal, të presë një tjetër autobus dhe të vazhdojë me një mjet të dytë drejt qendrës apo destinacionit të tij.

Kjo, sipas tyre, sjell më shumë pritje, kohë udhëtimi dhe vështirësi, veçanërisht për të punësuarit, të moshuarit, personat me probleme në lëvizje, familjet me fëmijë dhe udhëtarët me bagazhe.

 

Ata kërkojnë që gjatë analizës së transportit të verifikohet edhe nëse modeli i ri e ka ulur realisht numrin e autobusëve që qarkullojnë në Sarandë, apo autobusët ndërqytetës janë zëvendësuar thjesht nga një numër më i madh mjetesh urbane.

Në kërkesat që do i drejtojnë edhe Këshillit Bashkiak Sarandë, kërkohet që të analizohen edhe ndryshimi i numrit të pasagjerëve pas zhvendosjes në Terminal, koha dhe kostoja shtesë për qytetarët, ndikimi te të moshuarit, si dhe pasojat ekonomike për operatorët dhe rreziku për vazhdimësinë e linjës.

 

Shoferët kërkojnë gjithashtu të dëgjohen gjatë mbledhjes, në mënyrë që diskutimi të përfshijë edhe problematikat që, sipas tyre, hasen çdo ditë në terren.

 

Kërkesa përfundimtare është që linja Delvinë–Sarandë të hyjë në Sarandë, duke shmangur detyrimin e pasagjerëve për të ndërruar autobus në Terminal për një distancë relativisht të shkurtër.

 

Protesta e paralajmëruar për të hënën pritet ta çojë edhe një herë debatin për Terminalin drejtpërdrejt përpara Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak Sarandë, këtë herë në të njëjtën ditë kur vetë këshilltarët do të diskutojnë mbi situatën e transportit publik në qytet. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Banorët e Delvinës protestë të hënën në Sarandë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak
Sigurimi i fermerëve nga fatkeqësitë natyrore, shteti do të paguajë një pjesë të primit
Booking dhe Airbnb në “lupën” e Tatimeve, nisin verifikimet për të ardhurat e padeklaruara
Më kërkojnë 2 hyrje për hipotekimin e godinës, 1 kryetari i Bashkisë, 1 drejtori i Hipotekës
Bar Restaurant Riviera në Ksamil kërkon Ndihmës Kuzhinier/e dhe Ndihmës Kamarier/e
Po filmonte te porta e shembur e Kakomesë, dhunohet 46-vjeçari

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.