Ardit Bido dhe “Beteja për 20 përqindëshin” në Konispol – VIDEO

31/10/2314:03

Shperndaje:

Në qytetin më jugor të Shqipërisë, në Konispol, mes intelektualëve të qytetit, Prof. Asc. Dr. Ardit Bido prezantoi botimin e tij studimor “Beteja për 20 përqindëshin”, i cili në fokus të trajtimit ka edhe Konispolin.

Bido tha se aktualisht jemi në një luftë ekstremesh të debatit publik. Ai theksoi se në regjistër të gjendjes civile në gjithë Bashkinë Himarë janë 2.6% grekë, ndërsa në Konispol janë 7.4% grekë, kryesisht në Vrinë. Rikujtoi se këtu ka edhe vlleh që historikisht kanë patur një vetidentifikim grek dhe se kjo nuk është e pamatshme.

“Qasja e dytë shkencore është që në bazë të çfarë ndihesh, këtu në Konispol ka nga 6.8% në 13% grek, në Himarë nga ai 2.6% ato fiset e Himarës Fshat, shumicë apo Dhërmiut dhe Palasës pothuajse gjysma që vetidentifikohen historikisht si grek shkojnë në 11.6% deri në 14.5 %. Dhe në një census normal këto janë shifrat, ne do shihnim në census se ku bie pika, brenda këtij diapazoni. Këtu ama futet implikimi politik”, u shpreh Bido, duke theksuar se këto në Konispol i dinë më mirë se kudo tjetër sepse njerëzit janë shumë më të lidhur dhe të varur ekonomikisht nga matanë Qafë Botës që është po shqiptare, Çamëria, e mbetur në Greqi.

Gjatë promovimit në krah të autorin të pranishëm ishin profesoresha znj. Bukurie Braho dhe historiani z. Astrit Tartari. Në forum të hapur diskutimi morën pjesë konispolatë, markaqotë e mursjotë.

“Është një event i veçantë për promovimin e një libri që është bërë tani më çështje shumë e rëndësishme kombëtare dhe duhet nga njerëz të guximshëm, ekspertë apo njerëz të studiuar që të arrijnë në përfundime të tilla të mbështetura në fakte reale në një të vërtetë historike, duke lutuar dhe duke marrë informacione shumë të sakta duke i vendosur pikën mbi “i” një problemi shumë të rëndësishëm dhe aktual” u shpreh profesoresha Braho.

Historiani Astrit Tartari lëvdëroi botimin e studimit “Beteja për 20 përqindëshin”, duke thënë se ai shkon një hap më tej nga statistrikat që janë bërë gjer më tani.

“Janë marrë shumë historianë me statistika, unë mund të përmend Mit’hat Frashërin, profesor Selman Shemen e të tjerë janë marrë me çështje të tilla. Apo ka dhe dokumente të autorëve turq që janë marrë me statistika të detajuara për këtë problem. Por, ky libër shkon edhe më tutje, nuk është thjesht konstatues por trajtohet dhe në mënyrë teorike problemi” tha historiani Tartari.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.