ALARM për Delvinën dhe Konispolin/ Reforma territoriale mund të votohet brenda javës

ALARM për Delvinën dhe Konispolin/ Reforma territoriale mund të votohet brenda javës

Delvina dhe Konispoli mund të jenë përpara një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e tyre administrative. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me dy bashkitë e jugut, të cilat, sipas një drafti të Partisë Socialiste të bërë publik më herët, rrezikojnë të humbasin statusin si bashki më vete në ndarjen e re administrativo-territoriale.

 

 

Çështja bëhet edhe më urgjente pas deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili la të hapur mundësinë që reforma territoriale të konkretizohet brenda kësaj jave.

 

Sipas Ballës, Kuvendi vijon punën dhe sesioni parlamentar përfundon të premten, më 31 korrik. Ai bëri të ditur se deputetët socialistë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale po punojnë ende mbi propozimet dhe se ato pritet të konkretizohen pas raportit përfundimtar.

 

“Ne nuk po ikim me pushime, jemi këtu”, deklaroi Balla, duke lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të reja brenda ditëve të ardhshme.

 

Deklarata vjen në një moment kur PS dhe PD kanë prishur, pas disa muajsh, dakordësinë për të prodhuar së bashku një propozim për reformën territoriale. Mazhoranca ka vendosur të vijojë procesin edhe pa konsensusin e opozitës.

 

Pikërisht në këtë situatë, Delvina dhe Konispoli mbeten në pritje, pasi ende nuk ka një vendim përfundimtar publik që të sqarojë nëse do të vazhdojnë të ekzistojnë si bashki më vete apo do të preken nga konfigurimi i ri territorial.

 

Balla nuk dha detaje mbi hartën përfundimtare dhe as mbi propozimin për ndarjen në rajone, duke thënë se për këto çështje duhet të flasin fillimisht anëtarët e komisionit që kanë punuar me reformën.

 

Sipas tij, reforma nuk do të kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës administrative, por do të përfshijë edhe propozime për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike, veçanërisht në zonat rurale.

 

Por për Delvinën dhe Konispolin pyetja kryesore mbetet ende pa përgjigje: A do të vazhdojnë të jenë bashki më vete në hartën e re territoriale?

 

Me mundësinë që zhvillimet të përshpejtohen brenda kësaj jave, ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të mësuar nëse skenari që prek dy bashkitë e jugut do të mbetet vetëm në draft, apo do të përfshihet në propozimin përfundimtar që do t’i paraqitet Kuvendit. Saranda Web

 

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Publikohet projekti për rikontruksionin e Kinoteatrit Butrinti në Sarandë
Lexoni më shumë
Projektbuxheti 2027, 14 milionë euro transferta për Sarandën, Delvinën, Finiqin dhe Konispolin
Lexoni më shumë
Auron Tare akuza për heqjen e 800 hektarëve nga Parku i Butrintit: U falsifikuan dokumentet për t’i hapur rrugë ndërtimeve
Lexoni më shumë
Butrinti dhe Delvina luajnë në transfertë, dy sfida me objektiva të ndryshëm
Lexoni më shumë
Klubi i motoristëve SteelWings Albania krijon degën në Sarandë
Lexoni më shumë
Plagoset me armë zjarri në Athinë 38-vjeçari nga Saranda
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.