Aksion i ri i Tatimeve në turizëm: kontrolle në Booking & Airbnb, pagat fiktive dhe fiskalizimi

06/05/269:41

Shperndaje:

Aksion i ri i Tatimeve në turizëm: kontrolle në Booking & Airbnb, pagat fiktive dhe fiskalizimi. Administrata Tatimore pritet të ndërmarrë një aksion të gjerë në sektorin e turizmit gjatë vitit 2026, me fokus kryesor formalizimin e plotë të aktivitetit ekonomik.

 

Aksion i ri i Tatimeve në turizëm: kontrolle në Booking & Airbnb, pagat fiktive dhe fiskalizimi.

 

Sipas planit sektorial të miratuar nga Komiteti i Riskut, turizmi vazhdon të jetë një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në vend, por njëkohësisht mbetet edhe ndër fushat me nivel të lartë informaliteti.

Në dokument theksohet se sfidat kryesore lidhen me mosdeklarimin korrekt të të ardhurave dhe mangësitë në raportimet tatimore. Për këtë arsye, Tatimet do të vendosin një regjim më të fortë monitorimi, duke përdorur analiza të të dhënave në kohë reale dhe duke përfshirë edhe platforma si Booking dhe Airbnb në verifikimet fiskale.

 

Sipas planit, po kryhen verifikime të vazhdueshme edhe në Booking dhe Airbnb, me qëllim identifikimin e të gjitha njësive akomoduese dhe apartamenteve që jepen me qira për pushuesit. Administrata synon që çdo apartament apo strukturë që përdoret për qëllime fitimi nga turizmi të futet në skemën e deklarimit dhe tatimit, duke reduktuar hapësirat për aktivitet informal.

 

Një nga problemet që synohet të goditet është deklarimi i rremë i pagave minimale dhe punësimi informal. Sipas planit, bizneset që deklarojnë paga minimale fiktive apo nuk fiskalizojnë plotësisht aktivitetin do të jenë objekt i kontrolleve më të rrepta. Verifikimet do të përfshijnë edhe kontrolle të papritura në terren për të krahasuar pagat reale me ato të deklaruara.

 

Në fokus do të jetë edhe rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, sidomos në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve të bar-restoranteve. Administrata synon të rrisë numrin e subjekteve që deklarojnë TVSH me normat 6% dhe 20%, në mënyrë që të reflektohet më saktë aktiviteti ekonomik real.

 

Tatimet paralajmërojnë se bizneset që raportojnë xhiro zero, pavarësisht aktivitetit të dukshëm, apo ato që shfaqin rënie të pajustifikuar gjatë sezonit turistik, do të klasifikohen si subjekte me risk të lartë. Këto raste pritet t’i nënshtrohen auditimeve të menjëhershme.

 

Një element i ri në strategjinë e vitit 2026 është përdorimi i inteligjencës artificiale për kontrollin e faturave fiskale. Sistemi do të analizojë automatikisht nëse faturat janë fiskalizuar siç duhet, duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe burimet që nevojiten për verifikimet.

 

Po ashtu, monitorimi i platformave online do të kryhet në kohë reale, duke krahasuar çmimet, kapacitetet dhe vlerësimet e klientëve me të ardhurat e deklaruara nga bizneset. Kjo pritet të kufizojë evazionin fiskal në tregun e akomodimeve online.

 

Plani përfshin edhe turizmin alternativ, si agroturizmi dhe turizmi malor, ku sipas Tatimeve një pjesë e aktivitetit vazhdon të funksionojë jashtë skemave formale. Dokumenti evidenton problematika si mosformalizimi i strukturave dhe zbatimi jo korrekt i TVSH-së.

 

Përveç kontrolleve, administrata do të ndjekë edhe një qasje informuese ndaj biznesit, përmes njoftimeve të personalizuara dhe fushatave ndërgjegjësuese. Megjithatë, për subjektet që shkelin ligjin, masat do të jenë të ashpra, duke nisur nga bllokimi i pajisjeve të faturimit deri te referimi i rasteve për hetim penal për evazion tatimor.

 

Objektivi final i këtij plani është që deri në fund të vitit 2026 të arrihet përputhje e plotë mes faturave fiskale dhe xhiros së deklaruar nga bizneset e sektorit të turizmit. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Aksion i ri i Tatimeve në turizëm: kontrolle në Booking & Airbnb, pagat fiktive dhe fiskalizimi
“Fondi Shqiptar i Zhgënjimit” investon në Sarandë pa pyetur qytetarët – VIDEO
Aris Boat Tour në Sarandë kërkon Agjent Shitjesh në terren
Ardit Bido: Delvina dhe Konispoli duhet të mbeten bashki, identiteti nuk negociohet – VIDEO
Shtyu babanë nga shkallët pasi i kishte vrarë nënën, Gjykata jep dënimin për 43-vjeçarin
Nga kënd lojërash në vatër rreziku – Banorët: Bashkia të reagojë para se të jetë vonë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.