506 mijë shqiptarëve u vidhen të dhënat në Facebook

08/04/2116:56

Shperndaje:


Të Shtunën u bënë publike  të dhënat e vjedhura  të 533 milionë përdoruesve të rrjetit social Facebook, ku mbi 506 mijë prej tyre janë nga Shqipëria.

Të dhënat e publikuara përfshijnë informacione personale si numri i telefonit, ditëlindja, vendëndodhja dhe në disa raste adresat  e-mal.

Këto të dhëna momentalisht “lundrojnë”  në dark web (web i fshehtë) dhe personat e interesuar duhet të paguajnë për të përftuar informacionet personale të shtetasve nga 106 vende të ndryshme.

“Pagesa për këto të dhëna nis nga 20 dollarë për një kontakt”, tregon për Citizens Channel Brenton Bënja, nga platforma online Geek Room.

Një zëdhënës i Facebook tregoi për median amerikane “Business Insider” se këto të dhëna janë vjedhur për shkak të një problemi që kompania pati në 2019, pavarësisht se skandali u publikua pak ditë më parë.

“Ka ndodhur në 2019, atëherë kur Facebooku nuk ishte aq i sigurt, por të dhënat janë  koherente, pasi numrat e telefonit dhe adresa e emalit nuk është se ndërrohen përditë” shpjegon eksperti Brenton Bënja.

Kujt i duhen të dhënat e vjedhura?

Përfaqësuesi i Geek Room listoi për Citizens Channel një kategori të interesuarish të cilët mund të ofrohen për të blerë këto të dhëna:

  • Partitë politike

Duke qenë se jemi në prag fushate, Bënja shpjegon se  të dhënat e vjedhura janë goxha specifike për të dërguar mesazhe apo promo politike.

“Psh, duke ditur vendodhjen i dërgon një mesazh më të personalizuar qytetarit të Kukësit në lidhje me problematikat e qytetit përkatës” tregon ai.

  • Call center-at

Sipas Bënjës për call centerat këto të dhëna janë ideale, pasi ofrohen produkte dhe shërbime në bazë të specifikave si mosha, vendëndodhja etj.

  • Shantazhuesit

Dhe së fundmi, sipas tij, këto informacione shërbejnë edhe për të krijuar skema kërcënuese duke frikësuar persona të ndryshëm me të dhëna vetjake, për ti bindur ata t’i nënshtrohen dhënies së rryshfetit.

Si të dallojmë nëse na janë marrë të dhënat?

Për të vërtetuar nëse të dhënat tuaja janë publikuar për shitje apo jo, mjafton të kontrolloni numrin tuaj të telefonit apo emailin në linkun e platformës Geek Room, “Have I Been Pawed”.

Bënja tregon se një nga profilet e vjedhura ishte dhe vetë ai i Mark Zuckerberg, drejtuesit të kompanisë Facebook, të cilit iu bë publik numri i telefonit, numër i cili figuronte i regjistruar në platformën Signal, rivale e rrjetit Whatsapp. Llogari e Zuckerberg në Signal u mbyll dy ditë pas publikimit të të dhënave. /Citizens Channel


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.