Vendimi i KLGJ: Gjykata e Sarandës nuk do të mbyllet, iu duhet banorëve

11/06/228:12

Shperndaje:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi dje mbledhjen plenare dedikuar “Hartës së Re Gjyqësore”.

Në këtë mbledhje të veçantë, Këshilli miratoi raportin vlerësues përfundimtar të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.

Miratimi i aktit të “Hartës së Re Gjyqësore” shënon përmbylljen e një pune 3-vjeçare të Grupit Ndërinstitucional të Punës, i cili është mbështetur dhe asistuar intensivisht nga ekspertët e Këshillit të Evropës, EWM dhe INL. Në aktin e miratuar u reflektuan sugjerimet dhe opinionet e adresuara gjatë procesit të konsultimeve publike të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Në bazë të këtyre konsultimeve GNP vendosi që reforma e “hartës gjyqësore” në Shqipëri të synojë bashkimin e gjykatave më të vogla dhe më pak efikase.

Propozimi mbi “Hartën e Re Gjyqësore” është hartuar duke u bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare. Mbështetur në metodologjinë CEPEJ, propozimi mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore krijon një qasje novatore që rrit efiçencën e sistemit gjyqësor për qytetarët, realizon shpërndarjen e drejtë të ngarkesës së punës midis gjykatave dhe gjyqtarëve dhe nxit specializimin, me pasojë reduktimin e kohës së nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje e dhënies së një drejtësie më cilësore.

Harta e Re Gjyqësore” garanton zbatimin e një sërë objektivash të tilla si:

garantimin e aksesit në drejtësi;
uljen e kostove;
përdorimin efikas të burimeve publike;
përmirësimin e cilësisë dhe performancës së duhur të shërbimeve të ofruara;
ngarkesën e ekuilibruar të punës midis gjyqtarëve;
sigurimin e një numri minimal të vendosur nga ligji për gjyqtarët në çdo gjykatë, me qëllim jo vetëm ruajtjen e funksionalitetit, por edhe nxitjen e specializimit, krijimin e seksioneve me jo më pak se 6 gjyqtarë…etj.
Përgjatë Mbledhjes Plenare të sotme u miratua propozimi për riorganizimi i gjykatave si vijon:

Riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, nga njëzetë e dy gjykata të rretheve gjyqësore në trembëdhjetë gjykata të tilla, me kompetenca tokësore si më poshtë:

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, me seli në qytetin Berat dhe kompetencë tokësore në bashkitë Berat, Dimal, Kuçovë, Skrapar dhe Poliçan;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, me seli në qytetin Peshkopi dhe kompetencë tokësore në bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me seli në qytetin Durrës dhe kompetencë tokësore në bashkitë Durrës, Shijak, Kavajë dhe Rrogozhinë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me seli në qytetin Elbasan dhe kompetencë tokësore në bashkitë Elbasan, Cërrik, Belsh, Peqin, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me seli në qytetin Fier dhe kompetencë tokësore në bashkitë Fier, Patos, Roskovec, Lushnje, Divjakë dhe Mallakastër;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me seli në qytetin Gjirokastër dhe kompetencë tokësore në bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë dhe Dropull;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me seli në qytetin Lezhë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Lezhë, Mirditë dhe Kurbin;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me seli në qytetin Korçë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Korçë, Maliq, Pustec, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, me seli në qytetin Kukës dhe kompetencë tokësore në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me seli në qytetin Sarandë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me seli në qytetin Shkodër dhe kompetencë tokësore në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me seli në qytetin Tiranë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Krujë;
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me seli në qytetin Vlorë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Vlorë, Selenicë dhe Himarë.
Riorganizimin e gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm, nga gjashtë gjykata apeli, në një Gjykatë Apeli të Juridiksionit të Përgjithshëm, që organizohet dhe funksionon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në qytetin Tiranë.

Riorganizimin e gjykatave administrative të shkallës së parë, nga gjashtë gjykata administrative në dy gjykata të tilla, me kompetenca tokësore si më poshtë:

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me seli në qytetin Tiranë dhe kompetencë tokësore që përfshin rrethet gjyqësore, Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Korçë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnje, me seli në qytetin Lushnje dhe kompetencë tokësore që përfshin rrethet gjyqësore Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.
Miratimi i këtij akti nga KLGJ me natyrë vlerësuese të organizimit aktual dhe kompetencave tokësore të gjykatave i hap rrugën procesit të marrjes së mendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave.

Marrja e mendimit nga institucionet e mësipërme përbën kushtin ligjor që duhet përmbushur përpara bashkëpropozimit për Hartën e Re Gjyqësore dhe përcjelljen për miratim pranë Këshillit të Ministrave.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.