Sigurimi i detyrueshëm jo vetëm nga tërmeti, por edhe për përmbytjet. Pritet rritje e primit
Sigurimi i detyrueshëm jo vetëm nga tërmet, por edhe për përmbytjet. Pritet rritje e primit
Qeveria shqiptare ka rishikuar sërish projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke zgjeruar skemën ekzistuese. Përveç sigurimit nga tërmeti, në rreziqet e mbuluara do të përfshihen tashmë edhe përmbytjet.

Projektligji mban emrin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet” dhe synon mbulimin e humbjeve financiare të qytetarëve, si pasojë e dëmeve të shkaktuara në banesat e siguruara nga këto dy fatkeqësi natyrore.
Përfshirja e përmbytjeve pritet të rrisë nivelin e mbrojtjes financiare për pronarët, por njëkohësisht parashikohet edhe një rritje e primit të sigurimit, krahasuar me modelin e mëparshëm që mbulonte vetëm dëmet nga tërmetet.
Fond Kombëtar i ri për menaxhimin e skemës
Edhe në versionin e përditësuar të projektligjit parashikohet krijimi i Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet, i cili do të administrojë të gjithë skemën e sigurimit të detyrueshëm. Ky fond do të sigurojë jo vetëm banesat, por edhe pjesët e tyre që përdoren si zyra, njësi shërbimi apo për qëllime të tjera të ngjashme.
Fondi do të funksionojë si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në përputhje me legjislacionin për shoqëritë tregtare.
Shuma maksimale e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Financat.
Si do të llogaritet primi i sigurimit
Metodologjia e llogaritjes së primit do të bazohet në kritere aktuariale, duke marrë parasysh klasifikimin e banesave sipas nivelit të rrezikut nga tërmetet dhe përmbytjet. Modeli i rrezikut do të zhvillohet specifikisht për Shqipërinë dhe do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pas marrjes së mendimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Gjithashtu, qeveria do të përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e agjentëve publikë dhe privatë, si dhe të shoqërive të sigurimit që do të angazhohen në administrimin dhe shpërndarjen e kontratave të sigurimit.
Afatet e dëmshpërblimit dhe mekanizmat detyrues
Sipas projektligjit, dëmshpërblimi, në varësi të shkallës së dëmit, duhet të paguhet brenda tre muajve nga momenti i plotësimit të dokumentacionit përkatës.
Projektligji forcon edhe mekanizmat e detyrimit për zbatimin e sigurimit. Personat që kërkojnë regjistrim ose ndryshim të regjistrimit të banesës, apo shërbime të tjera kadastrale, do të duhet të paraqesin paraprakisht një kontratë të vlefshme sigurimi të detyrueshëm. Pa këtë kontratë, shërbimet kadastrale nuk do të ofrohen.
Kufizime në shërbime publike dhe private
Qytetarët që nuk lidhin kontratën e sigurimit të detyrueshëm nuk do të përfitojnë shërbime elektronike përmes portalit e-Albania, ndërsa shërbimet konkrete që do të kufizohen do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Po ashtu, ata nuk do të përfitojnë shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Ndërkohë, shoqëritë private të sigurimit nuk do të lejohen të ofrojnë sigurime vullnetare për tërmetet apo përmbytjet për një banesë, nëse më parë nuk është lidhur kontrata e sigurimit të detyrueshëm me Fondin Kombëtar.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit